Edhe ministër/e, edhe agresiv/e nuk shkon

Nga Alba Malltezi, botuar në Java, 8 tetor 2021

Një ministër/e, tashmë prej më shumë vitesh në pushtet, nuk shkon të jetë agresiv/e në diskurset publike. Epitetet, metaforat, krahasimet në Kuvendin e ri, tani për tani pa Sali Berishën, nuk i shkojnë më debatit politik shqiptar, nëse është vërtetë e sinqertë dëshira e shprehur për të ndryshuar e për t’u përmirësuar. Për disa nuk duket e lehtë dhe qejfmbetjet pas fjalëve të opozitës kthehen në sulme të bezdisshme për këdo që i dëgjon.

Të përdorësh metafora, epitete, krahasime, sarkazëm, hiperbola pikësëpari duhet të jesh i lirë. Një liri që ta jep kryerja perfekte e detyrës, mungesa e skeleteve nëpër dollapët e shumtë të institucioneve, por sidomos atëherë kur edhe qytetari më i i skajshëm i vendit tonë të vogël jeton njësoj si ty, ministër, apo e dashur ministre. Dhe deri në momentin kur edhe vetëm një nënë, një i moshuar, një fëmijë vazhdon të mos kenë kushte dinjitoze jetese, kurimi, mësimi, atëherë, si ato kallinjtë që në fjalët e mrekullueshme të të parëve tanë, mbahet koka ulur duke punuar, shërbehet me përulje e përgjigjesh me fakte të thjeshta e të qarta, të lexueshme lehtësisht për të gjithë.

Ashtu sic me të drejtë e përsërit dhe e nënvizon prej kohësh dhe e vlerëson kryeministri Edi Rama, shqiptarët kanë një zgjuarsi të lindur, të fituar e të stërvitur, ndaj dinë të lexojnë, të shohin e të zgjedhin mirë, prandaj, pikërisht për këtë, disa ministra/e duhet të na kursejnë recitimet patetike e të paktën, këtë fushë të retorikës t’ja lenë opozitës me zemërgjerësi dhe dashamirësi.

Duke i dëgjuar të bërtasin e të ironizojnë, shumë nga shërbëtorët e administratës sot, që nga ministritë te institucionet e artit dhe kulturës, njerëzit e caktuar dhe të paguar me taksat e shqiptarëve, mendojnë se autorizimin për të vazhduar drejtimin e institucionave ua ka dhënë vetëm puna e tyre e mirë, fotot e bukura në facebook, deklaratat plot shpoti e ironi, veshjet që ndryshohen dhe ekspozohen si të ishin “rockman” e “popgirl”, duke harruar se cilido nënë e baba që punon nga mëngjesi në darkë e ka të pamundur, të vështirë të kalojë përditë kohën në parrukeri, në butique, apo në institute dobësimi e liftimi. Kështu, të dashur ministre e ministra, pa asnjë rudhë e me flokët të hekurosura përherë kaq mirë, saqë homologët tuaj nga Perëndimi, përballë jush në takime duken si të vuajtur e përvuajtur, na kurseni. Ndoshta dikush duhet t’jua kujtojë se përballë dhe si rivalë kishit njerëzit më të frikshëm dhe të korruptuar në Ballkan, ndaj shqiptarët, bënë zgjedhjen si të keqen më të vogël dhe besoj, të gjithë biem dakord se ju, të dashur ministra e ministre, drejtorë e drejtore, nuk jeni vajzat dhe djemtë tanë më të mirë. Prandaj, lini të flasë puna juaj e dukshme dhe e padukshme, përgjigjuni me fakte dhe profesionalizëm ndaj akuzave, provokimeve dhe ngjyrimeve. Vetëm kështu do të ishte një fillim parlamentar i ri.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi