Risi në diplomacinë parlamentare

Nga Jorgji Kote, botuar në Balkanweb, 22 gushr 2014

Ditët e fundit tërhoqën vëmendjen publike vizitat në vendin tonë të z. Bunmei Imbuk, Kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve të Japonisë, një prej 7 vendeve më të zhvilluara të botës, dhe e zv.presidentit të Bundestagut të fuqishëm gjerman, z. Johanes Singhammer. Kjo e dyta koincidoi edhe me 30-vjetorin e vizitës historike të ish-politikanit legjendar bavarez, F.J.Strauss; njeriu që hodhi themelet e urave të bashkëpunimit e miqësisë ndërmjet dy vendeve në kohën kur na ndanin mure, gardhe dhe bunkerë pa fund. Krahas Kryetarit të Kuvendit tonë, si ftues dhe mikpritës i rastit, miqtë e shquar u pritën në takime pune edhe nga drejtuesit më të lartë të shtetit, qeverisë dhe të diplomacisë sonë. Veç të tjerash, këto dy vizita të kryera kur ende nuk kanë mbaruar pushimet verore, janë tregues i qartë i përpjekjeve të shtuara për intensifikimin e diplomacisë sonë parlamentare. Duke marrë shkas nga sa më sipër, le të ndalemi disi më gjatë në sfidat dhe risitë që paraqet sot ky komponent, krahas pesë “korsive” të tjera diplomatike.
Diplomacia dhe Parlamenti 
Pohohet se i pari që e ka përdorur termin “diplomaci parlamentare” në vitin 1955 ka qenë ish-Sekretari Amerikan i Shtetit, Dean Rusk. Në mungesë të një përkufizimi të plotë nga ekspertët, pranohet gjerësisht se diplomacia tashmë është edhe “pronë” e parlamenteve. Në zhvillimin e diplomacisë parlamentare sidomos pas përfundimit të Luftës së Ftohtë kanë ndikuar kryesisht: intensifikimi i bashkëpunimit parlamentar në aspektet e shumta të politikës së jashtme. Tashmë elektorati kudo në botë kërkon më shumë përfshirje dhe përgjegjësi nga deputetët edhe në fushën e politikës së jashtme; rritja e rolit të tij në kushtet kur parlamentet kanë forcën e “kuletës”, d.m.th. miratojnë buxhetet për politikën e jashtme dhe diplomacinë; rritja e së ashtuquajturës “diplomaci e influencës”, ku parlamentet kanë mjaft ndikim, pasi konsiderohen si tribuna morale, ku kalojnë rezoluta të ndryshme me rrezatim ndërkombëtar.
Diplomacia parlamentare realizohet në radhë të parë në forumet shumëpalëshe parlamentare; më i vjetri dhe gjithëpërfshirësi ndër to është Unioni Ndërparlamentar i krijuar në vitin 1889, ku vendi ynë për arsye të njohura ka hyrë vetëm 1 shekull më vonë; gjithsesi, me ndikim shumë më të madh janë Parlamenti Europian, Asambleja Parlamentare e OSBE-së, e Këshillit të Europës, NATO-s etj.
Në vitin 1990, për t’u ardhur në ndihmë parlamenteve të ish-vendeve komuniste, kongresmeni amerikan Charlie Rose dhe kolegu i tij senator Bill Roth krijuan një nismë që mban emrin e tyre, për një bashkëpunim të gjerë me parlamentet e këtyre vendeve. Në vijim, u organizuan shumë takime dhe seminare me vlerë në vendet e Europës Juglindore, dhe dy prej tyre në Tiranë, më 1999 dhe 2006.
Gjithashtu, diplomacia parlamentare zhvillohet në forumet dypalëshe, në kuadrin e marrëveshjeve parlamentare, grupeve dypalëshe parlamentare të miqësisë, shkëmbimit të vizitave dypalëshe, takimeve të komisioneve të politikës së jashtme dhe seancave plenare, e deri në pjesëmarrjen e deputeteve të ndryshme në delegacione të nivelit të lartë shtetëror, diplomatik dhe qeveritar. Ndërsa me kryetarët e tyre organizohen forume të posaçme ndërparlamentare.
Sfida dhe Rreziqe 
Krahas epërsive, ekspertë të njohur të kësaj fushe kanë evidentuar dhe jo pak mangësi e probleme në këtë fushë. Kështu, falë shpeshtimit të kontakteve të niveleve të larta të diplomacisë zyrtare apo ekzekutive, në raste të caktuara, ushtrimi jo në mënyrën e duhur i diplomacisë parlamentare mund ta kthejë atë në dublante ose zëdhënëse të rëndomtë të politikës dhe diplomacisë zyrtare, duke humbur kështu fuqinë e saj tërheqëse. Zgjidhja e këtij problemi bëhet nëpërmjet forcimit të dialogut ndërparlamentar, ku Parlamenti dhe deputetët e tij kanë hapësirë, kufi tolerance dhe zhdërvjelltësi më të madhe në shpalosjen e ideve e mendimeve të ndryshme se diplomacia zyrtare.
Një rrezik tjetër sipas ekspertëve të huaj është që vizitat parlamentare, kur bëhen me tepri dhe pa objektiva konkrete mund të kthehen thjesht në “turizëm politik”. Ekziston po ashtu mundësia që diplomacia parlamentare të jetë sporadike dhe josistematike. Kjo pasi, me gjithë rritjen e rolit të saj, diplomacia ende nuk është në krye të agjendës së parlamenteve; mirëpo dihet se për shkak të dinamikës së tyre të pazakontë, marrëdhëniet ndërkombëtare kërkojnë ndjekje të përditshme e operative nga struktura të specializuara, siç janë ato të diplomacisë zyrtare.
Në jo pak raste, ngatërrohet “bashkëpunimi parlamentar” me “diplomacinë parlamentare”, sepse jo gjithçka që bëjnë Parlamenti dhe parlamentarët, përfshirë këtu vizitat e ndryshme, është diplomaci parlamentare. Me këtë të fundit kuptohen kryesisht veprimet, ndërhyrjet dhe ndikimi i parlamentarëve në zgjidhjen dhe sheshimin e problemeve të caktuara në marrëdhëniet dypalëshe me vende të caktuara. Një ndër autorët më prestigjiozë në këtë fushë është parlamentari veteran francez, Christian Poncelet. 11 herë rresht senator dhe gjatë viteve 1998-2008 president i Senatit ose siç njihet “monarku i Republikës Franceze”. Në shkrimet dhe prononcimet mbi këtë temë, Poncelet nënvizon se “diplomacia parlamentare shfrytëzon natyrshëm mundësitë dhe rastet e saj për të shkuar aty ku nuk përfaqësohet dot diplomacia tradicionale”. Në fakt, në praktikën ndërkombëtare, raporti ndërmjet diplomacisë parlamentare me atë ekzekutive dhe llojeve të tjera është një aspekt i rëndësishëm në përpunim e sipër, me shumë ide dhe mendime nga më të ndryshmet. Gjithashtu edhe dimensionet e tjera, duke filluar nga diplomacia zyrtare, e me radhë ajo ekonomike, publike dhe e kulturës, kanë rolin dhe kontributin e tyre të ndjeshëm në mbështetje të diplomacisë parlamentare dhe anasjelltas. Përvoja pozitive ndërkombëtare dhe ajo e vendit tonë e kohëve të fundit po dëshmon edhe mundësitë në rritje të bashkëpunimit të Parlamentit me MPJ-në, si organi kushtetues që zhvillon diplomacinë zyrtare dhe ndërmjet përfaqësive tona diplomatike jashtë vendit me parlamentet e vendeve ku janë akredituar, me deputetët dhe stafet e tyre.
Nga ana tjetër, përvoja e disa parlamenteve të shquara tregon se që të jetë e besueshme dhe efektive jashtë, diplomacia parlamentare fillon brenda vendit, nëpërmjet konsensusit dhe mirëkuptimit ndërmjet forcave politike parlamentare. Dihet tashmë se krahas shembujve pozitivë, disa dukuri negative të viteve të fundit në vendin tonë nuk kanë mundur të krijojnë truallin apo terrenin e nevojshëm dhe “pjellor” për një diplomaci parlamentare efektive dhe të besueshme. Sidomos kur bëhet fjalë për komponentin vendimtar të kësaj diplomacie që zhvillohet në organizatat ndërkombëtare dhe shumëpalëshe, në veçanti në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe Parlamentin Europian. Është e tepërt të përmenden këtu konfliktet e njohura e të brendshme politike sidomos gjatë viteve 2009-2013. Mirëpo, për çfarë diplomacie parlamentare reale dhe të besueshme mund të flitej në ato raste, kur nuk mbeti diplomat europian, nga më i vogli te më i madhi, pa “zbarkuar” në Tiranë, për të ndërmjetësuar në zgjidhjen e situatave tejet tensionuese?
Risi dhe Mundësi
Siç e kam përmendur gjerësisht edhe në librin “Diplomacia për të gjithë” (Prill, 2014), kjo tashmë i takon së kaluarës jo të largët. Duke u kthyer në thelbin e kësaj teme, mund të thuhet se Kuvendi ynë i ka kushtet dhe mundësitë dhe në fakt po i shfaq kapacitetet e duhura në këtë fushë jetike. Veç aktivitetit të dendur dhe efektiv të kohëve të fundit, këtu ndikon mjaft dhe fakti se tani në Kuvend ka disa ish-ministra të Jashtëm, ish-ambasadorë dhe shumë ekspertë të fushës së integrimit euroatlantik, që u përkasin të gjitha forcave politike parlamentare. Edhe në stafin e tij ka ekspertë dhe këshilltarë të aftë, me përvojë e të kualifikuar jashtë vendit në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, diplomatë etj.
Pa dyshim, zgjedhja në krye të Kuvendit, e një politikani të një kalibri tejet të lartë, si zoti Ilir Meta, përbën një faktor shumë të rëndësishëm për t’i dhënë një shtysë të fuqishme forcimit të diplomacisë parlamentare dhe besueshmërisë së saj. Kryetari i sotëm i Kuvendit, është ndër ata pak deputetë të zgjedhur në të gjitha legjislaturat e Kuvendit gjatë 23 viteve të fundit; është i pari dhe i vetmi në historinë e parlamentarizmit shqiptar që vjen në këtë post pasi ka kaluar mes sfidash të mëdha të gjitha shkallët e hierarkisë partiake dhe politike; bie në sy karriera e tij elitare qeveritare – sekretar Shteti për Integrimin Europian, dy herë ministër i Jashtëm, zëvendëskryeministër dhe kryeministër. Padyshim, ai i ka të gjitha kapacitetet dhe karakteristikat e nevojshme për ta ngritur edhe diplomacinë parlamentare në nivelet e kërkuara, sidomos në momentet në të cilat po kalon vendi ynë pas marrjes së statusit kandidat në BE.
Në këtë drejtim është jetik edhe roli i Komisionit të Jashtëm të Kuvendit, si më i rëndësishmi në këtë fushë, krahas komisioneve të tjera. Edhe përbërja e tij në legjislaturën e fundit ka shënuar përmirësime për sa i përket përbërjes dhe funksionimit të tij. Natyrisht, bashkëpunimi dhe aktivizimi nga ana e tij i deputetëve të tjerë dhe ekspertëve jo të pakët si dhe me MPJ-në e përfaqësitë tona diplomatike, përbën një vlerë të shtuar në këtë fushë. Një faktor tjetër domethënës këtu është kryesimi i këtij Komisioni nga një politikane e njohur, me një karrierë të spikatur politike dhe parlamentare – zonja Arta Dade. Veç kësaj, ajo ka një përvojë të gjatë në fushën e diplomacisë, duke drejtuar për gati dy dekada historike marrëdhëniet ndërkombëtare të PS-së dhe si ish-nënkryetare e këtij Komisioni. Gjithashtu ajo ka drejtuar dikasterin e diplomacisë e të kulturës etj. Po kështu mund të flitet për kryetarë të delegacioneve tona parlamentare në asambletë homologe të organizmave ndërkombëtarë; këtu dua të nënvizoj vlerat dhe besueshmërinë që zoti Pandeli Majko i jep postit të Kryetarit të Delegacionit të Kuvendit për NATO-n, si deputet me përvojë të gjatë, ish-kryeministër, ministër i Mbrojtjes, apo Kryetarja e Komisionit të Integrimit, zonja Majlinda Bregu si ish-ministre etj.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi