Fillim i sigurt i fundit të tranzicionit shqiptar

Nga Ksenofon Krisafi, botuar në Panorama Online, 12 gusht 2014

Vendimi i ditëve të fundit i Këshillit të Ministrave për mbylljen e 17 universiteteve private, 60 programeve studimi dhe 7 degëve të universiteteve publike, si dhe pezullimin e 13 të tjerëve, përbën një ngjarje jo vetëm në fushën e arsimit të lartë, por edhe në zhvillimet e pritshme të vendit. Ai shënon fillimin e sigurt të fundit të tranzicionit shqiptar, “sulmin” institucional ndaj informalitetit në zhvillimet shqiptare, posaçërisht në një nga sektorët më delikatë. Për të lartësuar reforma të ndryshme të ndërmarra nga qeveritë e dy dekadave të fundit, është dëgjuar të cilësohen si hapi i fundit i tranzicionit. Në të vërtetë, asnjëherë nuk kanë qenë dhe nuk kanë rezultuar si të tilla. Ndërtimet e autostradave ose tuneleve, industritë e bizneset e ndryshme të ngritura nga shqiptarët në vendin e tyre, edhe pse kanë qenë një transformim i pamohueshëm realitetesh dhe mentalitetesh, vetëm i janë drejtuar fundit të tranzicionit, por nuk e kanë afruar. Madje, për autostradat e tunelet merita u takon të huajve dhe sipërmarrësve shqiptarë që kanë investuar paratë e tyre. Qeveritë në pushtet dhe politikanët kanë “meritën” që shprehjen e vullnetit politik për mbështetjen e projekteve të tyre e kanë kushtëzuar me mbushjen e xhepave personale me disa qindra milionë euro, duke grabitur mundin e shqiptarëve, duke i zhytur ata edhe më tej në mjerim dhe varfëri të skajshme. Tranzicionit i vjen fundi kur transformohen realisht arsimi, shëndetësia dhe posaçërisht drejtësia. Ky trekëndësh ka të bëjë me tri kulmet e themeleve të shtetit të së drejtës, sepse arsimi determinon të ardhmen e vendit, shëndetësia lidhet me jetën dhe shëndetin e njerëzve, kurse drejtësia, gjyqësori – me shtetin. Në një shoqëri të organizuar politikisht ekzistenca dhe funksionimi i shtetit në të gjithë komponentët është parakushti i ekzistencës së gjithçkaje tjetër. Pa shtet nuk ka arsim, nuk ka të ardhme, nuk ka shëndetësi, nuk ka jetë të sigurt, nuk ka sistem gjyqësor normal, nuk ka drejtësi, garanci për barazi, për gëzimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut etj. Vendimi i lartpërmendur i qeverisë i jep fund informalitetit dhe fiktivitetit në arsimin e lartë, çka e kanë ndier të gjitha segmentet e shoqërisë. E kanë ndier vetë studentët dhe prindërit e tyre, të cilët edhe pse mund të kenë qenë të kushtëzuar për t’u regjistruar në ndonjë nga universitetet që do të mbyllen, kanë synuar gjithmonë që vitin e fundit ose masterin ta kryejnë në universitetet publike ose në ndonjë nga universitetet private prestigjioze, për të “rregulluar disi biografinë”. E kanë ndier pedagogët që kanë provuar ndjenjën e poshtërimit dhe skualifikimit profesional kur kanë qenë të imponuar të vënë nota të pamerituara ose aq më keq të firmosin nota fiktive për individë që nuk i kanë parë kurrë në auditorë. E ka ndier veçanërisht shoqëria shqiptare që sheh jo pak defiçentë dhe të paaftë në administratë dhe në organet e tjera shtetërore, të cilët, nëpërmjet diplomave false që paraqesin, transformojnë militantizmin e tyre politik ose të prindërve të vet në privilegje, poste zyrtare dhe paga të majme. Shpresohet se tashmë shoqëria shqiptare do të shpëtojë nga një e keqe e përmasave të frikshme, nga fiktiviteti i institucionalizuar dhe i inkurajuar “nga lart”, në një nga sektorët më jetikë, që bart dhe përgatit të ardhmen e brezave. Në vorbullën e diskutimeve që shoqëron njohjen me këtë vendim të rëndësishëm shprehet me të drejtë shqetësimi i studentëve dhe prindërve, që kanë frekuentuar universitetet që do të mbyllen. Nuk mund të shpërfillet ky shqetësim, por vendimi në thelb ka vetëm të mira. Ai ka garantuar vazhdimin e shkollimit të mëtejshëm të tyre pa asnjë problem. Universitetet publike dhe ato private, në zbatim korrekt të rregullave dhe ligjeve në fuqi, do t’i presin dhe trajtojnë këta studentë me kujdesin maksimal, që ata të mos provojnë shqetësime. Në njëfarë kuptimi ata dalin të fituar, sepse do të kenë mundësi që tani e tutje të frekuentojnë universitete ku do të marrin dije dhe jo thjesht kartonë diplomash, jo “letra me vlerë” pa vlerë. Do të formohen si specialistë kompetentë dhe të aftë për të zënë vend në profesionin që kanë zgjedhur dhe që t’ia ndiejnë kënaqësinë studimeve që do të kryejnë, për të mos vegjetuar në injorancë profesionale dhe intelektuale me diploma koti në duar. Keqardhja që mund të ndihet për universitetet që mbyllen, për pronarët dhe administratorët e tyre, e parë pak më me realizëm, nuk duhet përjetuar si fatalitet. Vendimi i jep fund një biznesi të pandershëm, që nuk respektonte kërkesat më minimale formalo-juridike, që kishte si objektiv themelor vetëm fitimin dhe jo formimit të specialistëve të ardhshëm të Shqipërisë. I jepet fund shitjes së diplomave, madje edhe ndaj atyre që nuk dinin ku binin dyert e “universiteteve”, diplomën e të cilit do ta mbanin në xhep, i jepet fund shitjes së diplomave të mbi 900 të huajve, që janë pajisur me diploma universitare shqiptare pa ditur asnjë fjalë nga gjuha shqipe. Mbyllja e kësaj veprimtarie do të parandalojë investime dhe shpenzime që, nëse do të liheshin të vazhdonin, mund të shndërroheshin në të pakthyeshme. Vendimi dekurajon dhe ndëshkon dhunuesit e ligjit, por ai iu jep atyre mundësinë që të gjejnë vetveten në fusha të tjera biznesi, ku mund të transferojnë investimet dhe të rifillojnë nga e para. Në të njëjtën kohë vendimi nxit dhe favorizon sipërmarrësit korrektë, ata që kombinojnë biznesin, të zhvilluar brenda kuadrit ligjor dhe normave të moralit njerëzor, me dhënien e kontributeve të vërteta për formimin e brezave të specialistëve që do ta bëjnë Shqipërinë vend të denjë për në familjen e madhe europiane. Vendimi do të shërbejë patjetër edhe si inkurajim për ta, që të përmirësojnë më tej punën dhe veprimtarinë për arritjen e standardeve dhe cilësisë maksimale, veprim ky në interes të studentëve, pedagogëve dhe shoqërisë në tërësi. Vendimi i lartpërmendur nuk është ndonjë shpikje shqiptare, është ndjekja e një shembulli që vjen nga vende të tjera. Para disa vjetësh, rektori i një universiteti privat rumun deklaroi në një takim ndërkombëtar në Shën Stefan të Malit të Zi, se qeveria e tij kishte mbyllur rreth 350 universitete private, për mospërmbushje të kërkesave ligjore dhe të standardeve. Tingëllojnë false dhe hipokrite thirrjet e përditshme, mbushur me të pavërteta, që dëgjohen këto ditë nga disa politikanë, të cilët nuk rreshtin së hedhuri baltë mbi këtë vendim, sikurse edhe mbi çdo nismë tjetër institucionale të ekipit të ri qeveritar. Shqiptarët presin që ata, së paku të përpiqen të gjejnë forcë për të heshtur, nëse nuk kanë qytetarinë dhe kurajën intelektuale ta përshëndesin si hap historik dhe t’i bashkohen, sepse arsimi është e mirë publike e gjithë shoqërisë, dhe jo parcelë e njërës apo tjetrës forcë politike. Duke folur kaq shumë dhe vetëm duke sharë, pa shqiptuar asnjë argument bindës, dashur pa dashur, iu kujtojnë shqiptarëve se ishin pikërisht ata që edhe pse i kishin të gjitha mundësitë për ta parandaluar këtë situatë absurde dhe katastrofike, jo vetëm nuk e bënë, por e projektuan, e iniciuan, e inkurajuan dhe e vunë në jetë. Vendimi është një akt i shumëpritur, i miratuar pas një pune të gjatë, serioze dhe të përgjegjshme, që të bën të besosh se edhe për shqiptarët po vijnë ditë të mira. Ai është një kthesë e madhe që mbush me frymëzim, duke nxitur këdo për t’u angazhuar për ta vënë në jetë reformën në arsimin e lartë dhe për të përballuar me përgjegjësi intelektuale dhe qytetare të gjitha detyrimet që burojnë prej saj. Le të shpresojmë që kjo vendosmëri, ky guxim dhe ky vullnet politik do të vazhdojnë, dhe reforma në arsim do të shndërrohet në precedent pozitiv për ndërmarrjen e reformave të thella në sektorë të tjerë të rëndësishëm, si drejtësia, ku fatkeqësisht një pjesë gjyqtarësh e prokurorësh janë shndërruar në turpin dhe shëmtinë e këtij vendi, mjekësia, ku gjithashtu jo pak mjekë e infermierë gëlltitin pa mëshirë paratë e shqiptarëve të drobitur, deri në qindarkën e fundit, edhe kur e dinë se janë duke i përcjellë në botën tjetër etj.

*Autori është dekan i Fakultetit Juridik në Universitetin Europian të Tiranës

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi