KLD, një skenar ‘déjà vu’ në gjykatat evropiane

Nga Teuta Vodo, botuar në Shekulli Online, 9 gusht 2014

Zhvillimi i reformave gjyqësore është karakterizuar pothuajse në mënyrë të paevitueshme nga tensione midis gjyqësorit dhe ekzekutivit. Aktualisht në skenarin shqiptar, projektligji mbi KLD-në solli përplasjen institucionale mes kësaj të fundit dhe Ministrisë së Drejtësisë ku anëtarët e KLD-së u shprehen se “projektligji cënon të tkurre kompetencat e saj siç është e drejta për të verifikuar mandatet e anëtarëve të rinj të tij në momentin e zgjedhjes së tyre”. Nga ana e tij, Ministri Naço është shprehur se ‘Ka shkelje të ligjit nga ana e KLD-së me qëllime klienteliste, por edhe emërimet e fundit apo ngritjet në detyre janë në shkelje të ligjit”. Për më shumë, është pohuar se ‘KLD-ja nuk përfaqëson dot sot gjykatësit shqiptarë, aq më tepër ata i japin legjitimitet vetes që të mbrojnë korrupsionin”. Shkurtimisht, neëpërmjet këtij projektligji bëhet thirrje për kontroll të gjyqësorit nga ana e Ministrisë së Drejtësisë ndërkohë që KLD-ja thekson rëndësinë e pavarësisë së gjyqësorit dhe mosndërhyrjes së politikës në të. Prandaj, duke marrë parasysh këto zhvillime të fundit në Shqipëri, është shumë e rëndësishme të shpjegohet pse ky projektligj është i domosdoshëm të hyjë në fuqi në rastin konkret të Shqipërisë.

Para së gjithash, dua të shpjegoj shkurtimisht konceptin e llogaridhënies dhe pavarësisë gjyqësore, dy koncepte kaq shumë të perfolur së fundmi. Të gjesh ekuilibrin midis këtyre dy principeve mbetet një sfidë. Principi i llogaridhënies është një mjet që përdoret nga forca politike (në këtë rast nga Ministria e Drejtësisë) për të kërkuar llogari në emër të qytetarëve pasi gjyqtari duhet të japë llogari para publikut. Përmes llogaridhënies shqyrtohen lidhjet e gjyqtarëve me grupe individësh, zyrtarësh të lartë, grupe nga brenda gjyqësorit, inspektorë dhe politikbërës. Llogaridhënia bëhet e mundur duke filluar nga liria e shtypit për të vezhguar disa procedura të çështjeve më në zë deri te mbikqyrja nga gjykata më të larta. Koncepti i llogaridhënies nuk mund të anashkalohet thjesht me argumentin që po cenon pavaresinë gjyqësore pasi një llogaridhënie më e madhe përforcon pikësëpari, vetë gjyqësorin.

Pra, llogaridhënia bën që të ketë informacion mbi funksionimin e gjyqësorit. Duke patur parasysh që gjyqësori, si pjesë e sistemit, është i infektuar nga korrupsioni, KLD-ja është pikërisht organi që duhet të vëzhgohet në mënyrë të veçantë, sepse një formë korrupsioni buron nga brenda sistemit të drejtësisë ku vendimmarrja është e përqendruar në duart e pak aktorëve. Korrupsioni në gjyqësorin shqiptar është si pjesa tjetër e sistemit në përgjithësi, pra i tipit oligark. Kjo do të thotë që elitat janë të pasigurta dhe si rrjedhim jo vetëm të pangopura dhe të dallueshme, por edhe të paparashikueshme. Pikërisht sepse KLD-ja është organi kyç brenda gjyqësorit, nuk mund të injorojmë veprimet e tij. Në të njëjtën kohë, politikës i kërkohet që të mos ndërhyjë në gjyqësor. Si mund të zgjidhet dilema kur gjyqësorit i kërkohet të jetë i pavarur dhe llogaridhënës në të njëjtën kohë? A nuk duam që gjyqësori të jetë i pavarur e të zbatojë ligjin? Përgjigja nuk është aq e thjeshtë nëse kërkojmë që në të njëjtën kohë gjyqtarët t’i japin llogari publikut. Qëllimi i legjislatorit është që pavarësia gjyqësore të mos jetë një qëllim në vetvete, por një instrument për të mbikqyrur paanshmërinë e gjyqtarëve. Në regjime demokratike liberale, si rezultat i rritjes së pushtetit gjyqësor, principi i llogaridhënies është anashkaluar. Për të kompensuar këtë fenomen, janë marre masa për një gjyqësor me llogaridhënës nëpërmjet mekanizmave të ndryshëm në bazë të nevojave që paraqiten për sistemet gjyqësore përkatëse. Psh, në Finlandë, Ministria e Drejtësisë ka bashkëpunuar me gjykatat për të shqyrtuar produktivitetin dhe efikasitetin e tyre, ku produktiviteti llogaritej me numrin e vendimeve për gjyqtarë, kurse efikasiteti me koston për çdo vendim. Ky i fundit llogaritej duke ndarë buxhetin vjetor të një gjykate të caktuar me numrin e vendimeve gjyqësore. Në këtë rast, gjyqtarët protestuan duke pohuar se pavarësia e tyre po cenohej.

Spanje, në 1997-ën, këshilli gjyqësor aplikoi masat për të shqyrtuar performancën e gjyqtarëve. Spanja paguante gjyqtarët në bazë të numrit të çështjeve që ata zgjidhnin. Ky sistem u përdor në fillim për të përcaktuar numrin e gjyqtarëve dhe stafit administrues për çdo gjykatë. Në Austri, një sistem kompjuterik llogariti numrin e gjyqtarëve që nevojiteshin në bazë të numrit të çështjeve. Në Hollandë, një këshill gjyqësor i posaçëm u ngrit për të kontrolluar numrin e çështjeve, personelin dhe kohën që nevojitej për çdo çështje. Në Francë, një ligj buxhetor i kërkoi Ministrisë së Drejtësisë që të paraqiste buxhetin për programe të cilat shqyrtoheshin nga parlamenti. Në Itali, nga 1981, Ministria e drejtësisë, gjatë një reforme të thellë gjyqësore, nxiti parlamentin për të ndaluar disa gjyqtarë nga arbitrimi dhe nga pjesëmarrja në aktivitetet private. Gjithashtu në Danimarkë, ministrisë së drejtësisë iu kërkua të kufizonte gjyqtarët nga ushtrimi i një pune të dytë jashtë gjykatave. Të gjitha këto masa u zbatuan pavarësisht se gjyqtarët e vendeve përkatëse protestuan, duke argumentuar se pavarësia e tyre po cenohej. Këto shembuj tregojnë sesi mekanizma të ndryshëm llogaridhënës janë përdorur për të promovuar paanësinë gjyqësore. Por kjo nuk do të thotë që principi i pavarësisë gjyqësore është në kundërshtim me principin e llogaridhënies. Pavarësia gyqësore mund të pajtohet me llogaridhënien gjyqësore për aq kohë sa të dy konceptet të shihen si pjesë e përpjekjes për të mbrojtur dhe përmiresuar vlerat kyç mbi të cilat bazohet gjyqësori. Vetëm në këtë mënyrë gjyqësori do të evitojë të shndërrohet në një sistem të mbyllur që zgjedh vetveten, duke rigjeneruar korrupsion dhe klientelizëm.

*Pedagoge në Universitetin e Lirë të Brukselit.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi