Të qeverisësh me zemër në dorë

Nga Mimoza Koçiu, botuar në Balkanweb, 1 gusht 2014

Ka marrë frymë i lehtësuar kryeministri Rama të enjten e fundit parlamentare për këtë sesion, kur paketa e ligjeve të mbetura pezull nga seanca e kaluar dhe ato të radhës, u miratuan pa surpriza. Pavarësisht artikulimit befasueshëm super të shpejtë të Ilir Metës “pro, kundër, abstenim, miratohet”, u deshën gati 90 minuta ankthi, që procesi teknik i votimit të ligjeve të përmbyllej.
Ankthi ishte i justifikuar, pasi mazhoranca e 1 milion votave ishte tronditur fort javën e kaluar, kur pesë deputetë socialistë finalizuan një “aksion kontestues”, të nisur ditë më parë në komisionet parlamentare, edhe nga deputetë të LSI-së. Rezervat e hapura, e me shënjestër ministrin e Rendit, ishin emëruesi i përbashkët, që nisën një zhurmë dyditore në media, për t’u finalizuar me një braktisje demonstrative të seancës plenare, duke sjellë humbjen e kuorumit, e duke bllokuar mazhorancën në vendimmarrjet e saj. Qershia mbi tortë ishte një drekë e pesëshes në një restorant të dukshëm në Tiranë, që frekuentohet nga vetë kryeministri për marrëveshje jo gjithnjë parimore. Një karshillëk publik i pesë deputetëve socialistë, që nuk u lëkund as pas telefonatave të kryeministrit e bashkëpunëtorëve të tij, e as nga “vizita” në tryezën e drekës, e vetë kreut të Kuvendit, që kishte lënë enkas drejtimin e seancës plenare.
Pas 300 ditë qeverisje, kjo ishte tronditja më serioze e mazhorancës, pasi kryeministri u sfidua nga deputetët e tij “me muskuj”, të vendosur nga ai vetë në listat e socialistëve, pikërisht për këtë tipar, të nevojshëm për të arritur fitoren në 23 qershor. Pavarësisht se anatemohet për mungesë transparence për këtë sfidë publike, duhet pranuar se heshtja publike e kryeministrit ishte deri diku e justifikuar, sepse një negocim publik me pesëshen, nga pozitat e kryeministrit, do ishte krejt i pavend e i kotë dhe z. Rama e di më mirë se kushdo tjetër këtë. “Negociatat” me dyer të mbyllura, një kombinim i kryeministrit me eksponentë të tjerë socialistë, ia dolën ta “bindnin” pesëshen, së pari të bënte në media deklarata “reflektuese”, e më pas të paraqiteshin urtë e butë në seancë, duke kontribuar në arritjen e shumicës së kërkuar kushtetuese të ligjeve. E megjithatë njëfarë ankthi lexohej gjatë procesit të votimit, në kujtesat sistematike të kryetarit të kuvendit se X ligj kërkonte 84 vota, e madje edhe se Y ligj kërkonte 71 vota, aq sa mori ligji për Policinë e Shtetit, një dëshmi se “negociatat” me pesëshen nuk janë finalizuar plotësisht.
Katër gjëra mësoi publiku nga kjo tronditje brenda mazhorancës.
Së pari, konfirmoi se Rilindja nuk është një aleancë e ideve dhe vizionit për të ndërtuar shtet, por një konglomerat interesash e axhendash krejt të ndryshme.
Së dyti, se kryeministri i 1 milion votave u vu përballë realitetit të krijuar nga ai vetë, e kur ky realitet u përdor kundër tij, ai e pranoi shantazhin. E ky mund të shndërrohet në një precedent të rrezikshëm për të ardhmen.
Së treti, teksa mori frymë lirisht për mbylljen sipas parashikimit të këtij sesioni parlamentar, nuk është e thënë të bëjë pushime të qeta. Gushti mund të jetë një muaj po aq aktiv për kryeministrin, sa vera e para një viti, kur për të rënë dakord për kabinetin ministror, u desh edhe një fundjavë me Ilir Metën në Qeparo. Kjo pasi “reflektimi” i pesëshes se do votonin ligjet e mazhorancës, por nuk u hiqnin asnjë presje qëndrimeve për Saimir Tahirin, ministrin që Rama e motivon sistematikisht në publik, paralajmëron “sfida” të reja për kryeministrin, që sa më shumë “lëshon” nga pushteti i vet, aq më pak mundësi ka për të bërë shtet, e lënë gjurmë në histori siç pretendon.
Së katërti, kryeministri mund të ketë probleme të reja brenda grupit me standardet që sapo vendosi duke iu nënshtruar kësaj sfide publike. Ky dorëzim i kryeministrit vë në pikëpyetje impenjimin e përditshëm të pjesës profesioniste të deputetëve socialistë, atyre që janë ekselenca në fushat e tyre, e që u ka ardhur në majë të hundës, pasi me draft ligjet e ministrave, duhet të bëjnë edhe korrektorin gjuhësor. Ata deputetë që u vunë në rresht, pavarësisht opinioneve personale, kundër komisionit hetimor të kërkuar nga opozita për Policinë e Shtetit, e po aq shpejt bënë prapakthehu, duke iu bindur kryeministrit që pas 12 orësh debat, dha verbalisht konsensusin për ngritjen e komisionit.
Të njëjtët që u mobilizuan për komisionin e drogës, si kundërpërgjigje e kërkesës së opozitës, u pajisën me certifikata sigurie në kohë rekord, e po aq shpejt prodhuan një raport, që e mbrojtën të detajuar në parlament, ndryshe nga sa bëri opozita me raportin e saj të Komisionit hetimor për Policinë e Shtetit.
Një disiplinë që këtyre deputetëve “profesionistë”, u vjen si edukim shumëvjeçar i të qenit pjesë e një formacioni politik me vizion e ide të përbashkëta. Pikërisht këtyre kryeministri u tërhoqi veshin në transmetim të drejtpërdrejtë televiziv në njëvjetorin e ardhjes në pushtet, se i kishin rënë në qafë jo publikisht Saimir Tahirit.
Por nuk “trembi” aspak pjesën e “padisiplinuar”, atë që në grupin socialist nuk ka ardhur për idetë e Rilindjes, e që shënjestroi direkt ministrin Tahiri, duke rrezikuar miratimin e reformave kyçe të premtuara nga vetë kryeministri.
A e parandiente vallë këtë Edi Rama kur po u shkelte syrin PDIU-së e PDK-së, që u shfaqën korrektë në komisione e në seancë plenare? Sidoqoftë, ai flirtim jashtë gardhit qeveritar, nuk i mjaftoi, sepse duket se të paktën pesë deputetë socialistë, kanë më shumë peshë se numrat që përfaqësojnë në Kuvend.
Vetë karshillëku politik si gjest, tregon cenim të besueshmërisë e autoritetit të kryeministrit, që kritikon oponencën por pranon shantazhin brenda llojit.
Një ekuilibër sa delikat, aq edhe absurd për këtë supermazhorancë.
Ekuilibri bëhet akoma më i brishtë për shkak të faktorit LSI, që krahët i mban hapur 24 orë në 24, e që edhe në përplasjen e fundit Rama-Dule për reformën territoriale, preferoi abstenimin, si një derë gjithnjë mikpritëse.
A do qeverisë dot kryeministri Rama me këto orekse që veç shtohen, e me zemër në dorë?

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi