Si do të jetë sistemi arsimor që do të na fusë në Bashkimin Europian

Nga Edi Rama, botuar në Mapo Online, 30 korrik 2014

Ne kemi hartuar një kornizë të re kurrikulare, duke e përafruar Shqipërinë me vendet e Bashkimit Europian, në bazë të rekomandimeve  të Bashkimit Europian.

Por në 300 ditë kemi bërë atë që në 20 vjet as nuk u tentua të imagjinohej dhe jo më të  realizohej. Kemi arritur një marrëveshje konkretedi-rama-31e për të unifikuar kurrikulën e arsimit parauniversitar me Kosovën dhe për të krijuar një standard të vetëm arsimor në të dyja shtetet shqiptare në rajon. Besoj që, është një themel shumë i fortë, për të ndërtuar një ngrehinë që do t’i shërbejë gjeneratës tjetër të shqiptarëve në rajon dhe t’i shërbejë vetëdijes sonë kombëtare, drejtpërdrejt, jo duke rrahur gjoksin dhe duke i rënë daulleve me qeleshe në kokë, por duke e shoqëruar gjeneratën tjetër drejt bashkimit kombëtar në qiellin e Europës së Bashkuar.

Kemi ndërhyrë në gjithë sistemin kanceroz të librave mësimorë. Një sistem kanceroz, që ka gjeneruar vit pas viti, metastaza me pasoja të tmerrshme për nivelin e edukimit dhe të arsimimit të fëmijëve dhe të të rinjve, në gjithë sistemin tonë parauniversitar. 120 tituj librash mësimorë janë hequr. Janë hequr jo nga lart-poshtë, me një vendim arbitrar, por nga poshtë-lart, në konsultim të drejtpërdrejtë me të gjithë mësuesit. Janë mësuesit që kanë vendosur në një quasi referendum brenda sistemit të shkollës, që të heqin këta 120 libra. Ndërkohë që, revolucioni me tekstet do të vazhdojë. Shumë shpejt, vetë altertekstit do t’i vijë fundi, si një eksperiment tërësisht i dështuar, që krijoi vetëm kaos vlerash, kaos pikash referimi, kaos në gjithë hapësirën e formimit të më të rinjve dhe të fëmijëve.

Nga ana tjetër, për ne ka qenë dhe mbetet objektiv i patjetërsueshëm e strategjik, që shkolla të mos jetë një vend ku brenda mureve jepet mësim dhe pastaj provohet cilësia e mësimdhënies, por të jetë një hapësirë e hapur komunitare dhe ku aleanca mes mësuesve, prindërve dhe qeverisë të jetë një partneritet strategjik, i patjetërsueshëm, për ta transformuar shkollën në një qendër të edukimit të gjeneratës tjetër të qytetarëve të këtij vendi. Praktikisht, në 66 shkolla ka nisur projekti i shkollës si qendër komunitare. Ndërkohë, në 300 ditë është kaluar në hartimin dhe aprovimin e kartës së performancës së shkollës, që ofron të dhëna për arritjet e shkollës gjatë një viti të tërë arsimor. Të dhëna që do të jenë në shërbim të prindërve, në shërbim të Ministrisë së Arsimit, në shërbim të partneritetit strategjik mes prindërve, qeverisë dhe mësuesve, për të gjykuar realisht arritjen dhe nevojat dhe për të marrë masat e duhura, bazuar jo mbi epshe politike të radhës, por mbi realitetin konkret të shkollës, lidhur me çfarë duhet bërë që situata në çdonjërën nga këto shkolla, të marra veç e veç, në bazë të kartës së performancës të shkojë duke u përmirësuar.

Jemi të gjithë të vetëdijshëm se është bërë një hap kolosal përpara, shumë i domosdoshëm, jetik, për shkollën dhe për integritetin moral të shkollës shqiptare, në Maturën Shtetërore. E, faktikisht, ne trashëguam një sistem ku me 50 pyetje mjaftonte t’i përgjigjeshe 3 pyetjeve për të marrë  “5”. Që në 50 pyetje ta kalosh maturën me 3 pyetje, do të thotë që të kesh pranuar defiçencën si standard. Defiçenca është pranuar si standard kryesor në gjithë politikën arsimore të gjithë këtyre viteve, në të gjitha planet. Ndërkohë që, u arrit të vendosej një minimum, 20%, për kalueshmërinë. Pra, 10 pyetje nga 50, që solli pastaj në atë rezultat të njohur botërisht, që, nëse deri dje flitej për kalueshmëri që na e kishte zili Gjermania, Anglia, Amerika, gjithë bota, sepse praktikisht kalonin të gjithë, kemi 33% të nxënësve që nuk kaluan dot. 33% të nxënësve që shumë prej tyre janë viktima jo të vetvetes, jo të familjes, por të një sistemi që pati si standard defiçencën në gjithë ecurinë drejt Maturës Shtetërore. Sa më defiçent, aq më rehat. Sa më defiçent, aq më i vlerësuar. Sepse, në fund të fundit, është shumë më tepër i vlerësuar dikush që me 3 pyetje nga 50 merr “5”, sesa dikush që i përgjigjet 50 pyetjeve dhe merr “10”, se s’ka ç’të marrë më shumë.

Ka qenë një test për Drejtoritë tona Arsimore dhe për drejtuesit e rinj të Drejtorive Arsimore dhe për gjithë standardet e reja të administrimit të sistemit, integriteti i Maturës Shtetërore. Të gjitha kontrollet dhe të gjitha testet e bëra shkencërisht, për nivelin e kopjueshmërisë në këto provime, kanë konfirmuar integritetin e Maturës Shtetërore, si shprehje të integritetit që ne po garantojmë në drejtimin e Drejtorive Arsimore të Qarqeve. Për këtë, sot dua t’i falënderoj nga zemra të gjithë drejtuesit e Drejtorive Arsimore të çdo qarku. Në mënyrë të posaçme dua të falenderoj një zonjë, Drejtoren e Drejtorisë Arsimore të Kukësit, që trashëgoi një situatë skandaloze dhe që, praktikisht po i kthen edhe në Kukës, integritetin, sistemit tonë arsimor.

Pjesë e punës sonë do të jetë padyshim ajo që Ministrja e thotë sa herë që e merr fjalën dhe e thotë sepse e beson, nuk e beson se e thotë, që në asnjë moment të mos reshtim së kërkuari në radhë të parë, nga vetvetja; cilësi, cilësi, cilësi. Për këtë arsye, është e domosdoshme që gjithë periudhën e gushtit të bëhet një inspektim në çdo drejtori dhe në çdo zyrë arsimore, për të kontrolluar standardet e cilësisë së rekrutimeve të bëra gjatë gjithë kësaj periudhe dhe cilësinë që garantojnë  të gjithë punonjësit që janë pjesë e drejtorive dhe zyrave tona arsimore, bazuar tek merita, merita, merita. Jo tek tesera e partisë, jo tek mbiemri, jo tek lidhjet farefisnore, jo tek lidhjet krahinore, por tek merita, tek merita, tek merita. Sepse investimi tek merita e tyre është investim për mijëra, dhjetëra mijëra, qindra mijëra fëmijë dhe të rinj, që nuk mund të jenë më viktima të gjithfarë trukesh dhe tarafesh, që për vite të tëra i pushtuan dhe i transformuan Drejtoritë Arsimore në fole të defiçencës.

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, përveçse ashtu siç ka ndodhur, që dokumenti më i rëndësishëm strategjik për arsimin e lartë të ishte produkt i këtij procesi demokratizimi që ne po sjellim në sistemin arsimor. Për herë të parë, kemi një Komision të pavarur ekspertësh, të të gjitha përkatësive dhe simpative, – unë me shumë kënaqësi kam parë në atë Komision njerëz që na kanë votuar hapur kundër, por që janë aty për arsye të kompetencave të tyre lidhur me arsimin, – dhe për herë të parë, do të kemi një reformë radikale në arsimin e lartë, që do të bazohet tek puna e bërë nga ky Komision, si një qendër graviteti që ka krijuar një fushë të tërë magnetike, përmes kontributeve të të gjithë profesoratit dhe në të gjitha nivelet, në të gjithë territorin. Prandaj, dua ta them qartë, se nga një anë ne jemi krenar që kemi përgatitur një nga reformat më të rëndësishme për 20 vitet e ardhshme, së paku, dhe për t’i dhënë fund të gjithë katrahurës së 20 viteve të shkuara, bazuar tek demokracia e brendshme që është krijuar në sistem dhe tek një proces tërësisht demokratik i mbledhjes së opinioneve dhe gjithë profesoratit, por edhe i mbledhjes së gjithë eksperiencave më të mira ndërkombëtare. Praktikisht, jemi përballë një reforme që me një skemë të re financimi do të reflektojë një qasje tërësisht të re mbi autonominë financiare dhe administrative të universiteteve, duke garantuar konkurrencën e lirë brenda sistemit, pa dallim. Shtetëror apo privat, do konkurrojnë. Shtetëror apo privat, do të mbyllen nëse nuk konkurrojnë dot. Nuk do të kemi më universitete shtetërore dhe private në kuptimin e sotëm, por do të kemi universitete publike, me financim shtetëror ose privat, që do të konkurrojnë mes tyre për të ofruar cilësinë më të mirë të mësimdhënies. Shpresoj që nuk do të kemi më doktorata si këto që kemi pasur me shumicë vitet e fundit.

Pashë një raport fantastik të bërë nga Inspektorati i Ministrisë së Arsimit dhe lexova një doktoratë në infermieri, që besoj do të gajaste jo gjithë botën njerëzore, por edhe botën e kafshëve. Doktoratë në infermieri me titullin “Roli i diplomacisë së vendeve të vogla në sigurinë rajonale”. Ose doktoratë tjetër në infermieri, me titullin “Vlerësimi i performancës në politikën e Shkodrës”. Megjithatë, kjo e dyta duket shumë më korrekte në krahasim me të parën. Jam shumë kurioz se ku i bën gjilpërat ky Doktori i Shkencave që ka doktoruar për siguri rajonale dhe nuk e di a e ka fjalën për Ballkanin apo për ndonjë rajon të trupit. Gjithsesi, sot, ne jemi përpara një fakti dhe fakti është se Shqipëria jonë e vogël ka 20 institucione të arsimit të lartë për 1 milionë banorë, ose 8 herë më shumë sesa Britania e Madhe. Sa për të sjellë një shembull, sepse me siguri, me herë mundim Gjermaninë, mundim Francën, mundim Amerikën, i mundim të gjithë, sepse kemi arritur në shkallën që kemi doktorë infermierie që merren me sigurinë rajonale.

Procesi i verifikimit për kushtet e ligjshmërisë në të gjitha institucionet e arsimit të lartë do të sjellë në një vlerësim të plotë. Do të sjellë, sigurisht, të gjithë bashkë, jo qeveritë por qeverinë, trupën drejtuese në të gjitha rajonet, do të sjellë prindërit, do të sjellë shoqërinë përballë domosdoshmërisë për të bërë një operacion pa asnjë mëshirë, me tolerancë zero ndaj defiçencës, me tolerancë zero ndaj këtij biznesi makut që ka shkrirë para pa fund nga xhepat e prindërve të shkretë, për të provuar një industri të tërë babëzie dhe diplomash pa asnjë vlerë dhe për ta bërë Shqipërinë, në këtë sektor të posaçëm, vendin më qesharak të planetit. Prandaj, nuk do të kemi asnjë hezitim që bazuar në ligjin e Republikës së Shqipërisë dhe bazuar në standarde të caktuara, jo nga ne arbitrarisht, por nga ligji, të ndajmë nga njëra anë ata që meritojnë të shkojnë më tutje dhe nga ana tjetër ata që duhen, absolutisht, nxjerrë jashtë sistemit. Sepse kanë nxjerrë veten jashtë sistemit dhe nuk mund të jenë më në pozitat e mashtruesve publikë për të vazhduar të grabisin paratë e prindërve të këtij vendi dhe për të vazhduar të shtojnë nivelin e defiçencës në këtë vend.

Në dhjetor, siç e kemi premtuar, do të vijë pjesa më e vështirë, por kjo është pjesa që na takon. Sepse në dhjetor të vitit ’90 kemi kërkuar liri dhe demokraci, kemi kërkuar pikërisht këtë; Konkurrencë, meritë dhe integrim në Bashkimin Europian.

Kështu që, në dhjetor, një nga agjencitë më prestigjioze ndërkombëtare, agjenci britanike, do të nisë procesin e akreditimit të gjithë institucioneve të arsimit të lartë, pa dallim, të shtetit apo të privatit. Të gjithë do të akreditohen dhe do të akreditohen me standarde të Bashkimit Europian, jo me standardet e fisit, jo me standardet e krahinës, jo me standardet e deridjeshme të politikës së mbylljes së syve përpara këtij mashtrimi të madh ordiner dhe përpara këtij shkatërrimi të madh, në shkallë të gjerë, ëndrrash dhe shpresash për familje të tëra, që pasi mezi i presin të dalin fëmijët nga universitetet fantazmë, kanë në shtëpi një “ushtri” të tërë me të papunë. Të reja e të rinj të papunë, që posedojnë një diplomë pa asnjë vlerë, për të cilën janë shkrirë paratë e kursimeve të prindërve dhe me të cilën nuk mund të shkojnë asgjëkund.

Renditja e universiteteve sipas cilësisë, sigurisht, do të krijojë kushtet për konkurrencë, por do të krijojë edhe një kusht themelor, që çdo prind do ta dijë paraprakisht se ku po investon; çdo djalë apo vajzë do ta dijë paraprakisht se ku po tenton të futet dhe çfarë duhet të presë në fund; i gjithë tregu do ta dijë paraprakisht se ku t’i drejtojë sytë më shumë dhe ku më pak, për të thithur burimet e reja njerëzore, që dalin nga universitete reale, universitete publike me financim shtetëror ose privat, të cilat trajtohen njësoj, pa asnjë dallim. Jo, këta të shtetit të “nënës” dhe ata të privatit të “njerkës”. As anasjelltas, ata të privatit “o burra”, kush të fitojë më shumë në kurriz të prindërve dhe ata të shtetit “o burra”, kush ta vjedhë më shumë buxhetin në emër të autonomisë.

*Ekstrakt i fjalës së Kryeministrit mbajtur dje në analizën e 300 ditëve të Ministrisë së Arsimit. 

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi