Deformimet e tregut dhe abuzimi me lirinë ekonomike

Nga Sherif Bundo, botuar në Panorama Online, 28 korrik 2014

Në këtë një çerekshekulli të historisë demokratike të shoqërisë shqiptare, zhvillimet në fushën e ekonomisë janë mjaft interesante. Analiza e kujdesshme e transformimeve dhe rritjes ekonomike përbën një proces shumë të rëndësishëm dhe me interes në dy këndvështrime. Së pari, për të studiuar arritjet, për të evidentuar mundësitë dhe për të identifikuar rezervat. Avantazhet ekonomike të një vendi janë energjia që e vë në lëvizje rritjen ekonomike të tij dhe busulla që drejton dhe orienton prirjet ekonomike. Së dyti, studimi na jep mundësinë të kuptojmë gabimet, të reflektojmë ndaj tyre dhe të korrigjojmë deformimet që i kushtojnë ekonomisë. Më duhet të nënvizoj që në fillim se një gabim i vogël, i pastudiuar, një gabim që buron nga voluntarizmi në ekonomi, dhe në mënyrë të veçantë në financë, përkthehet në shifra kolosale, në kosto të rënda për ekonominë dhe shoqërinë. Në këtë rast, kemi të bëjmë me atë që në fjalorin e financave quhet risk sistematik, i padiversifikueshëm, i paevitueshëm. Në të kundërt, gabimet e një specialisti të thjeshtë apo të një drejtuesi individual në një ndërmarrje përbën një kosto operacionale të evitueshme dhe një risk të veçantë, të shkëputur, të diversifikueshëm.
Tregu në një shoqëri që nuk kuptonte tregun
Pa u zgjatur në shpjegime të tjera të kësaj natyre, më duhet të shtroj disa pyetje që në vlerësimin tim përbëjnë thelbin e zhvillimeve. Avantazhet e liberalizimit dhe të tregut janë të padiskutueshme. Nuk dëshiroj të merrem me këtë anë dhe nuk dëshiroj të bëj historianin. Shqetësimi im është gjetkë. A ka pasur dhe a ka ekonomia e derisotme shqiptare zhvillime të pakontrolluara? Tregu, ky gjenerator i zhvillimit dhe rritjes ekonomike, ka manifestuar gjithnjë vetëm zhvillime pozitive dhe progres, apo ka pasur dhe ka edhe deformime që burojnë natyrshëm nga forcat e keqorientuara të tregut? A ka ekzistuar mundësia e korrigjimit të zhvillimeve të pakontrolluara të tregut? Kërkesa dhe oferta në treg për mallra dhe shërbime janë rregullatorë të mjaftueshëm, apo është dashur që roli ekuilibrues i shtetit të konceptohej ndryshe? Nëse tregu prodhon vetvetiu deformime, a duhet të pranojmë se kostot e tyre janë barrë që duhet mbajtur dhe përballuar dhe se nuk ka vend për ndjeshmëri subjektive në ekonomi? Pyetje të tilla mundojnë dhe preokupojnë këdo që ka një formim të mirë dhe të mjaftueshëm në ekonomi dhe që ka ndjenjë të lartë përgjegjësie e qytetarie.
Përpara se të shpreh opinionin, tashmë të konsoliduar, se në Shqipëri ka pasur zhvillime të pakontrolluara, që do të duhej të evitoheshin, për të reduktuar kostot që këto zhvillime i kanë rrëmbyer ekonomisë, më duhet të nënvizoj se roli ekuilibrues dhe sjellja e shtetit është çështje filozofie dhe konceptimi. Ky rol, kudo, kurdoherë dhe vazhdimisht ka qenë dhe është produkt i formimit profesional, individual, të personave që drejtojnë shtetin dhe drejtojnë institucionet. Politikat i hartojnë individët. Ky rol është në funksion të faktit se si e kuptojnë dhe si e konceptojnë ekonominë e tregut individët që i hartojnë këto politika. Duke qenë se politikat ekonomike dhe roli i shtetit janë çështje madhore për një vend, ato duhet të jenë përfundime të nxjerra nga laboratorët e mendimit ekonomik dhe nga studimi, minimalisht i efekteve që kanë prodhuar dhe prodhojnë të njëjtat politika në vende dhe ekonomi me kushte të ngjashme. Në ekonomi nuk ka mundësi për eksperimentime. E pakta e domosdoshme që duhet kërkuar, është që politikat ekonomike të konceptohen jo si detyrë dhe privilegj i një grupi të reduktuar individësh, ndonjëherë me formim ekonomik dhe profesional të pamjaftueshëm, por si një nevojë jetësore, në të cilën të përfshihen profesionistët dhe teknicienët më të mirë dhe më të formuar të mundshëm të vendit. A ka ndodhur dhe a ndodh kështu? Do të ishte një gabim i madh t’i përgjigjem kësaj pyetjeje të fundit me një po ose jo të thatë. Analiza e zhvillimeve duhet të shërbejë si një përgjigje e argumentuar. Roli ekuilibrues dhe korrigjues i shtetit për evitimin e kostove të panevojshme dhe të deformimeve është njëra gjë. Sjellja e shtetit në shërbim të nxitjes së këtyre deformimeve është një gjë tjetër, shumë e rëndësishme.
Në këto kushte, gjykoj, është mjaft e rëndësishme të nënvizojmë se në hartimin e politikave dhe shprehjen e tyre nëpërmjet ligjeve, si vullnete të shumicave, roli i shtetit, përveçse atribut i formimit të individit, është edhe derivat i qëndrimit me administratën. Në këto 25 vite ka dominuar sjellja partizane dhe militante me administratën. Individë me formim nga një shkollë e modelit të centralizuar inferiorë para nevojës për të instaluar modelin e tregut. Nga një ekstremizëm në tjetrin. Nga një shoqëri tërësisht e shtetëzuar, në një shoqëri mundësisht pa rol të shtetit në ekonomi. Kjo sjellje do t’i kushtonte siç i ka kushtuar shoqërisë sonë. Militantët e përdorur si “mish për top” profesionalisht e shumëfishojnë efektin negativ në ekonomi, të shkallës së lartë të ndikimit të mungesës së profesionalizmit dhe të voluntarizmit në punët e shtetit. Shpeshherë, në ekonomi, zgjidhjet dhe vendimmarrjet e drejta janë shumë afër me arsyetimin dhe gjykimin racional.
Në rastin më të mirë, një politikëbërës apo grupe politike, kur kupton apo kuptojnë se ka/kanë gabuar në politikat e veta, pranon që ka gabuar dhe se tani e tutje mbaron karriera e tij/tyre. Variantet më të këqija janë pa mbarim. Rrotacionet politike bëjnë që të zëvendësohet një politikë ekonomike e gabuar me një politikë tjetër ekonomike, që duhet testuar brenda një mandati tjetër nëse është e drejtë apo jo. A mjafton mbyllja e karrierës politike të një politikëbërësi për të zëvendësuar kostot që bien në shpinë të shoqërisë nga deformimet e tregut apo nga dështimet në treg për shkak të aplikimit të politikave të papërshtatshme, apo të formuluara jo në mënyrën e duhur? Përgjigjen dhe arsyetimin më të mirë e jep kushdo, mjafton që të shpjegojmë dhe të kuptojmë cilat janë disa nga zhvillimet e pakontrolluara të tregut në vendin tonë dhe sa na kanë kushtuar ato. A mund të evitoheshin? A duhej të evitoheshin?
Deformimi i parë, privatizimet pa kriter
Si temë dhe problematikë është e njohur për publikun. Në thelb, problemi qëndron në pyetjen: a është realizuar një performancë më e mirë në të gjithë sektorët, objektet dhe ndërmarrjet e privatizuara? A është gjetur varianti më i mirë në privatizim? A kanë sot objektet e privatizuara performancë më të mirë krahasuar me periudhën para privatizimit? A ka ende pasuri kombëtare të privatizuar, por të shndërruar në aktive hedhurina? Për të gjykuar lidhur me performancën e privatizimeve mjafton të studiojmë një parametër të vetëm: sa për qind e pronarëve që privatizuan objektet ish-pronë shtetërore për herë të parë, vijojnë të jenë pronarë të ndërmarrjeve të privatizuara? Rezulton se mbi 58.6% e objekteve të privatizuara janë tjetërsuar. Fakti që janë rishitur flet shumë. Zhvillim i pakontrolluar i tregut, ligj i papërshtatshëm, apo mungesë në zbatimin e ligjit? Apo të tria njëherësh? Ky fakt tregon se ndërmarrjet janë privatizuar në favor të individëve të mbështetur nga administrata shtetërore dhe/ose nga politika dhe jo në favor të individëve që kishin aftësi sipërmarrëse dhe programe të qarta zhvillimi ekonomik e teknologjik. Të kuptohemi, jo të gjitha objektet dhe ndërmarrjet e privatizuara duhet domosdoshmërisht të performojnë më mirë. Një pjesë e tyre do të falimentojnë. Ky është ligj i tregut. Por masa e falimentimit ka një kufi logjik dhe ekonomik. Ai është i lidhur me ciklin e biznesit.
Në pamje të parë, duket pa vend të ndalemi apo të kthehemi në një fenomen që sot nuk përbën tendencë, nuk është fenomen dominues apo që sot privatizimet konsiderohen dosje të mbyllura. Qëllimi i këtij shkrimi nuk është të propozohet rishikimi apo hapja e dosjeve të privatizimeve, por të kuptohet se një proces i konceptuar dhe drejtuar keq është në shpinë të të gjithë ekonomisë dhe të shoqërisë dhe se mbrapshtësia e procesit kthen mbrapsht gjithë shoqërinë, mban peng zhvillimin dhe progresin ekonomik. Privatizime dhe nacionalizime ka pasur dhe do të ketë edhe në të ardhmen si nevojë për ekuilibër dhe baraspeshë. E mira për të cilën angazhohet dhe ekziston shteti është sigurimi i barazisë dhe të drejtës. Ky është një parim i formuluar prej Aristotelit që para 2350 vitesh.
Deformimi i dytë, ndërtimet pa leje dhe pa kriter
Është pa asnjë dyshim një prej zhvillimeve më të mbrapshta në shoqërinë shqiptare. Toka, trojet në shoqërinë tonë janë trajtuar në mënyrën më të mbrapshtë të mundshme. Zhvillimet e tregut në këtë element kanë qenë tërësisht në krahët e anarkisë. Ndërto ku të mundesh, ka qenë jo vetëm një sjellje që ka dëmtuar dhe shpërdoruar mjaft vlerat urbane dhe ambiente publike në zonat urbane, por ky mentalitet ka shërbyer si një eksplozion që ka shkatërruar tokën bujqësore, pyjet, vreshtat, ullishtat, agrumet etj. Ndërtimet pa kriter dhe pa leje në Shqipëri të japin idenë e plotë të një shoqërie që ka ecur për një çerek shekulli në rrjedhje të lirë. Në këtë pikë, mund të themi me plot gojën që s’ka pasur shtet. Ndërtimet pa leje kanë shpërdoruar tokën që të parët e kanë ruajtur me fanatizëm si burimin më të shtrenjtë dhe të paktë të jetës së tyre. Nuk mjafton pronësia mbi tokën për të justifikuar çdo lloj ndërtimi mbi tokë. Ndërtimet pa leje, një deformim i tregut, apo abuzim me lirinë ekonomike? Ndërtimi i një objekti ndërtimor të çdo lloji, në çdo vend të mundshëm, është një çështje private, është një çështje e lidhur thjesht me lirinë e individit, apo është një problem i interesave publikë? Jo, pronësia mbi tokën është dhe do të jetë private, por interesi publik mbi administrimin dhe përdorimin e tokës është dhe duhet të jetë gjithnjë një shqetësim shoqëror. Ndërtimet pa leje dhe pa kriter kanë kërkuar fonde për t’u ndërtuar, duke shpërdoruar një herë e përgjithnjë fondin e tokës, por ato kërkojnë dhe angazhojnë fonde të tjera shtesë për t’i prishur ndërtimet pa leje. Shpeshherë, të gjithë njëzëri miratojmë prishjet për ndërtimet pa leje. Por harrojmë që janë fonde, pasuri e madhe financiare e vendit, pasuri kombëtare që shkatërrohet. A mund të justifikohen këto qëndrime me zhvillimet e tregut? Jo, në asnjë mënyrë. Individi jeton në komunitet. Komunitetet kanë nevojë për rregullime. Kjo nuk është ndërhyrje dhe deformim i tregut, por përkundrazi, sjellje e kontrolluar njerëzore.
Shteti në emër të interesave të shoqërisë është i interesuar që toka të punohet, që paralelisht me punimin e tokës të nxitet zënia me punë. Njëherësh shtohet prodhimi bujqësor dhe blegtoral dhe begatohet individi në një kuptim makroekonomik. Kjo është arsyeja dhe kuptimi ekonomik i vendosjes së tatimit mbi tokën bujqësore, si tatim mbi pasurinë. Por, zhvillimet në tregun e tokës në vendin tonë janë dramatike. Abuzim me lirinë ekonomike apo moszbatim të ligjit? Të dyja njëherësh. Abuzimet me “lirinë ekonomike” të individit janë tronditëse. Toka shpërdorohet vetëm një herë. Të parët tanë patën mirësinë, edukatën, kulturën dhe dashurinë që e ruajtën tokën si një nga gjërat më të shtrenjta. Ne si qytetarë, qeveritë e këtyre viteve si përgjegjëse, kanë lejuar një deformim, që do t’u kushtojë brezave të ardhshëm. Me siguri, ndonjëri do të ngrejë përsëri zërin: ky është rregullimi që bëri tregu! Cili treg? Si ka funksionuar ai? Sa i plotë ka qenë tregu? A kanë pasur mundësinë që të gëzojnë akses të përsosur në informacionin lidhur me zhvillimet e tregut të tokës, të gjithë operatorët e interesuar? Jo, me plot gojën jo. Tregu në këtë element ka qenë monopol i një grupi shumë të kufizuar individësh, të cilët për asnjë lloj merite profesionale, pronësie apo risku, janë gdhirë të pasur, madje shumë-shumë të pasur.
Deformimi i tretë: firmat piramidale
E kemi dëgjuar justifikimin që firmat piramidale ishin produkt i tregut të lirë. Kemi dëgjuar gjithashtu edhe një justifikim tjetër se firmat piramidale ndodhën ngaqë qeveria nuk e dinte e “nuk kuptonte” se çfarë po ndodhte dhe se asnjë specialist, asnjë bankier, asnjë financier, asnjë jurist apo prokuror nuk e ngriti zërin dhe të denonconte se çfarë po ndodhte. Në fakt, kjo nuk është aspak e vërtetë. Për faktin se ngritën zërin disa pedagogë të Fakultetit të Ekonomisë në UT, humbën në mënyrën më skandaloze të mundur vendet e punës. Qeveria e kohës u ndje e turpëruar më vonë, por kjo pak rëndësi ka. Rëndësi ka një fakt tjetër: Firmat piramidale shpërdoruan rreth 1.5 miliardë euro të ekonomisë shqiptare. Në vitet kur ndodhën, kjo pasuri ishte shumë-shumë e vlefshme dhe se kjo pasuri financiare mjaftonte për ta shumëfishuar dhe nxitur mjaft ekonominë. Përsëri kemi të bëjmë me një abuzim të ndërgjegjshëm të shtetit me lirinë ekonomike.” Lëreni individin të sillet si të dëshirojë”. Jo, në ekonomi, faktorët socialë, kulturorë, psikologjikë, moralë dhe faktorët e lidhur me traditën dhe historinë kanë shkallë të lartë ndikimi. Ekonomia është shkencë sociale që ndikohet nga faktorë të tillë, madje mjaft. Për shkak të faktorëve psikologjikë kanë falimentuar banka brenda një dite. Firmat nuk ishin produkt i tregut, por deformim i qëllimshëm i tij. Në një konferencë të kohës, një ish-drejtues deklaroi afërsisht kështu: “ne do të lejojmë të rrjedhë pastrimi i parave se kështu do zhvillojmë, madje shpejt, ekonominë”. Pra, kjo ishte filozofi e shtetit, mentalitet i tij. Ishte në një farë mënyre konceptim i gabuar, apo më saktë i ekzagjeruar, i termit treg i lirë. Shpjegimet e mëvonshme kanë shërbyer si justifikime të një njeriu të zënë në faj.
Dëmi që i shkaktoi fenomeni “firma piramidale” ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare ishte i shumëfishtë. Ato pothuaj paralizuan sistemin financiar dhe bankar për disa vite. Dëmtuan mbi të gjitha mentalitetin e punës dhe injektuan pasigurinë e individit tek institucionet e ndërmjetësimit financiar. Mbi të gjitha, pasuritë e firmave piramidale janë bërë në vijim objekt i një marrëzie tjetër disavjeçare.
Deformimi i katërt, fenomeni kioska
Fenomeni kioska ishte përfytyrimi më banal i tregut dhe i ekonomisë së tregut. Në atë kohë, mjaft profesionistë të ekonomisë orientuan dhe propozuan që paratë e investuara vend e pa vend në kioska të vendosura dhe të instaluara kudo, në mënyrë të shëmtuar dhe në trajtë primitive, të orientoheshin në katet e para të pallateve, të cilat të shndërroheshin gradualisht në ambiente të kultivuara tregtare. Sikur të mos kishim nxjerrë fare mësime, fenomeni kioskë përsëritet edhe sot. Nuk ka një rrugë që lidh dy qytete që të mos ketë ndërtime pa leje në të paktën çdo kilometër. Nuk ka kilometër që të mos ketë nga dy dhe tri pika të shpërndarjes së karburanteve. Në çdo 100 metra rrugë në qytete, gjen tri deri katër farmaci, tri deri katër furra buke, pesë deri gjashtë kafene, katër deri pesë permanente, dy deri tri lotari sportive. Këto të fundit, që u krijua përshtypja sikur po viheshin nën kontroll, po shtohen përsëri dita-ditës. Biznese që konkurrojnë pa asnjë kriter njëri-tjetrin. Deformimi i tregut ka lidhje edhe me mungesën apo moszbatimin e ligjit. Biznese që ushtrojnë aktivitet pa kurrfarë logjike dhe koncepti. E rregullon vetë tregu biznesin kam dëgjuar të thuhet. Ky është konceptimi më i shtrembëruar i rolit të tregut dhe i veprimit rregullator të ofertës dhe të kërkesës. Çfarë kuptimi ka roli rregullator i tregut në faktin që në një distancë 78 kilometra, studentët e degës së Financës në Universitetin e Tiranës kishin numëruar dhe llogaritur 86 qendra të shpërndarjes së karburanteve. Janë miliona që mund të ishin investuar diku duke plotësuar një boshllëk, duke zhvilluar dhe zbukuruar një sektor tjetër. Ky është teprim me lirinë ekonomike. Është thjesht mungesë vizioni dhe shpërdorim i energjive dhe burimeve financiare.
Në një rrugë të shkatërruar të qytetit të Tiranës, në një lagje jo dhe aq periferike, janë ndërtuar dy lokale luksoze, një kafene dhe një restorant. Këtë luks në një kafe nuk e gjen as në Paris e në Londër. Duket qartë se ka një konflikt të madh midis luksit të biznesit privat dhe mjerimit të rrugës si objekt publik. A mund të veprojë tregu vetëm në një krah? A mund të ketë kuptim roli rregullator i tregut që bashkon luksin dhe mjerimin në të njëjtin vend? A ka vlerë një objekt luksoz privat në një mjedis me infrastruktura publike mesjetare? Këtë lloj tregu do ta kishte mallkuar vetë Adam Smithi, i cili fuqinë çudibërëse të dorës së padukshme të tregut e shihte te barazia e operatorëve në treg, tek aksesi i barabartë në raport me informacionin, te trajtimi i njëjtë i subjekteve prej shtetit dhe te reagimi e sjellja racionale e individëve.
Deformimi i pestë, ekonomia e drogës
Ekonomia e drogës është një fenomen më vete. Është produkt i një sjelljeje tjetër të shtetit, të ngjashme me disa të tjera të përmendura më sipër. Kultivimi i drogës, kamufluar mbas mentalitetit dhe arsyetimit që është tregu i lirë që i prodhon këto fenomene, është një deformim me pasoja po aq të mëdha. Madje, edhe më të mëdha. Në kuptimin ligjor dhe financiar, ekonomia e drogës deformoi zhvillimin ekonomik të vendit. Me paratë e drogës vërtet u ndërtuan objekte luksoze ku u punësuan njerëz dhe u shtua pasuria kombëtare. Por, ekonomia e drogës kultivoi mentalitetin se paratë dhe kapitalet mund të vihen në rrugë të paligjshme, pa shumë mund. Mjafton të kesh përkrahjen e shtetit. Ekonomia e drogës është ekonomi kriminale. Abuzimi dhe teprimi me lirinë ekonomike e keqorienton zhvillimin ekonomik. Deformimi që ka bërë dhe bëri ekonomia e drogës dhe pasojat negative të saj duhen kërkuar më thellë në shoqërinë tonë, te kriminalizimi i një pjesë të shoqërisë, te lëvizja kundër rrymës, te toka e lënë pa punuar, tek imazhi jashtëzakonisht i keq krijuar për shqiptarët, te kostot e mëdha që ka përballuar dhe përballon shteti për ta kthyer në normalitet këtë segment të jetës, shoqërisë dhe të ekonomisë. Pasojat e ekonomisë së drogës do të ndihen gjatë.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi