Rimodelimi i projektit të ndarjes administrative

Nga Romeo Gurakuqi, botuar në Panorama Online, 22 korrik 2014

Pak ditë më parë një projekt i ndarjes së re administrative iu paraqit nga shtypi publikut shqiptar, i cili po pret tani nga qeveria një shpjegim të bazuar mbi një ekspertizë shkencërisht ndërdisiplinore, mbi këtë subjekt me rëndësi vitale për procesin modernizues të vendit dhe ndërtimit të një qeverisjeje sa më përfaqësuese dhe të europianizuar. Kjo reformë administrative po kryhet në kushtet e heshtjes së plotë dhe të mungesës së një reforme kushtetuese, një reforme të sistemit zgjedhor, gjë që e vendos sistemin në një situatë të papërshtatshme, mbasi janë tri reforma që nuk mund të ndahen lehtësisht nga njëra-tjetra në një vend normal të perëndimizuar. E them këtë sepse nuk mund të bësh reformë administrative duke lënë në harresë themelin e shtetit, Kushtetutën, që përcakton formën e organizmit shtetëror dhe sistemin e qeverisjes dhe, mbi të gjitha, duke harruar nevojën e përditshme që ka vendi për rregullimin e sistemit konstitucional, rregullimin e parlamentarizmit që është aktualisht në rrethana të pangjashme me sisteme parlamentare në Europë. Ndërkohë nuk mund të iniciosh një reformë administrative pa qartësuar në fillesë metodologjinë dhe kriteret e përdorura për realizmin e saj, si edhe duke e heshtur kërkesën se ajo reformë administrative do t’i paraprijë ndryshimit të parimeve të Kodit Zgjedhor dhe sistemit zgjedhor në tërësi.
Nga harta e projektit më të fundit duket qartësisht se ndërtuesit e projektit kanë qenë jashtë ekspertizës ndërtimore, pa një metodologji shkencore të barasvlershme në territor, të pabazuar në konsiderata etnologjike, historike dhe të papajisur me patentën e nevojshme të ekspertizës administrative, instrumente këto që përgatisin situatën për një korrigjim të nesërm të sistemit elektoral, në rrethanat kur sistemi aktual ka sjellë produktin parlamentar më të shëmtuar të historisë pluraliste të këtij vendi të prapambetur dhe me progres të mundimshëm. Është një ndarje administrative e krijuar pa një emërtim paraprak të komuniteteve me identitete historike korresponduese. Krahina të tilla si Malësia e Madhe, Dukagjini, Nikaj-Merturi, Malësia e Gjakovës, Mirdita dhe të tjera në Jug të vendit, që i kanë dhënë jo pak Shqipërisë me historinë e tyre qëndrestare, si dalazotese të këtij dheu, meritojnë të njihen si krahina me ndarje më vete, të rindërtohen në gjendjen e vet reale dhe të kenë përfaqësuesit e tyre në Parlament dhe jo të mbesin në situatën e caktuar nga regjimi komunist si në 1946-n.
Ndarja e propozuar nuk ka arritur dot të përkufizojë territore gjegjëse, as të emërtojë bashkësi, as të përcaktojë dot seli të dobishme për institucione që do të instalohen për njësitë, si edhe nuk ka arritur të bëjë një hyrje përmbledhëse historike të ndarjeve administrative të Shqipërisë, 1913-1945, kohë kur logjika dhe arsyetimi ishin në fuqi. Është një ndarje që propozohet nga lart, që përfiton nga gjendja e bashkësive krahinore dhe kultura imponuese e ndërtueme nga diktatura dhe postdiktatura, mbi periferitë e vendit dhe nga procesi i shprishjes së komuniteteve të krijuar nga emigracioni dhe imigracioni, për të kërkuar bindje pa oponencë.
Nevoja prioritare për thjeshtëzimin administrativ të vendit, kushtëzuar nga kërkesa e rritjes së efektivitetit qeverisës, shkurtimit të shpenzimeve, në thelb më ngjan se është deformuar nga interesa parciale politike, të partive të paketës kontrolluese të shtetit më 2014, individëve me oreks të pandalshëm brenda tyre, që luftojnë për përjetësi në sistemin politik shqiptar, dhe interesave sunduese të një piramide politike që nuk e dëshiron, madje frigohet nga një rikthim i ndarjes administrative në strukturën fillestare të Shqipërisë tradicionale. Nevojat modernizuese administrative janë përdorur për të fshirë kujtimin e një Shqipërie me shtet unitar, por me ndarje administrative që respektonte komunitetet tradicionale të Shqipërisë natyrale, duke imituar taktikat e diktatorit, që fshin blloqet e kundërshtisë ndaj regjimit të instaluem përdhunshëm. Për rrjedhojë, edhe sot është prodhuar përgjithësisht një ndarje administrative, produkt i kompromiseve (rasti i kompromisit të paparimtë me PDIU është tipik), që mundësojnë përforcimin e domeneve të politikës, ngurtësojnë sistemin aktual politik piramidal dhe proporcional të përfaqësimit, siguron edhe më tutje dobësimin e nukleve kompakte të popullsisë dhe posaçërisht deformojnë prirjet politike tradicionale liberale dhe jo komuniste brenda konstrukteve sociale të shoqërisë shqiptare etj. Nuk është një hartë e krijuar pa studim të interesave. Përkundrazi, është një ndarje e menduar krejt mirë nga pikëpamja e parimeve që u mundësojnë kastave të kristalizueme politike, mbijetesën në një sistem jo krejtësisht të lirë, jo demokratik dhe të kontrollueshëm në pikëpamje të ndërtimit politik, bazuar në besnikërinë klanore dhe të tarafit piramidal. Është një hartë fuzionare, e ngjashme me ato harta administrative që diktatori i krijoi për të mbytur forcën e disa krahinave përjetësisht të lira në frymë, mendje dhe atdhetari në Shqipëri, për të pasur në vijim një dominim mbi ata. Është një skemë që mbyt identitetet qytetare të kristalizueme në shekuj, duke i përzierë në një vorbull interesash që janë ose të ndryshme, ose të pamjaftueshme për nga pikëpamja e nivelit edukativ dhe kulturor, për t’u njësuar në një përfaqësim të përbashkët. Me duket si një përpjekje shoshitëse dhe barazimtariste që shmang shtratin e përfaqësimi identitar i qyteteve, me përputhshmëri kulturore dhe asfikson demokracinë që prodhon e rrezaton një polis i vërtetë. Me të njëjtin kujdes eliminues që u fshinë nga ndërtesa e Parlamentit aktual fotografitë e MARUBI-t, dhe nga administrata e Parlamentit, qytetarët shqiptarë të shkolluar në Perëndim, komisioni parlamentar i dirigjuar në prapaskenë nga inxhinierët e politikës, ka ngatërruar skemat ndarëse të Shkodrës dhe Korçës qytetare, të Mirditës, të Dukagjinit, të Malësisë së Madhe, të Himarës, të Vurgut dhe të Konispolit etj.
Nga ana e saj, opozita politike edhe këtë radhe, në kaosin e saj vetmitar e destruktiv, gjendet e papërgatitur për të ndërtuar edhe një faqe parimesh ndërtimore, e jo më një hartë alternative, me qartësi metodologjike, perspektivë politike, administrative dhe me kujdesin e nevojshëm për përfaqësime identitare reale të fillesës. Dhe s’ka si të jetë ndryshe: ajo në vijimësi nuk e ka pasë të qartë përmbajtjen e Atdheut të vet Real, kompozimin e tij, interesat regjionalë dhe promovimin e kanaleve të lirisë në shtet, nevojën e përfaqësimeve adekuate, por ka flirtuar me kundërshtarët e vet politikë për krijimin e zonave të sigurta elektorale, për luanët e luaneshat e politikës, që u kanë mundësuar këtyre dominuesve të mëdhenj mbijetesën në sistemin tranzitiv politik shqiptar.
Projekti i një ndarjeje të re administrative, në rrethanat e një qeverisjeje që pretendon të jetë sa më e përgjegjshme dhe sa më përfaqësuese, do të duhej të kujdesej: 1. për thjeshtëzimin administrativ dhe rritjen e operativitetit ekzekutiv të qeverisjes të vendit; 2. për korrigjimin e dëmtimeve që iu bënë nga diktatura komuniste, ndarjeve tradicionale të Shqipërisë; 2 të kishte kujdesin maksimal për përfaqësimin e përshtatshëm dhe të përputhshëm të krahinave etnografike shqiptare, të cilat, në fund të fundit, janë shprehëse edhe të një vullneti politik dhe kulturor identitar, të cilin do të duhet ta marrë në konsideratë çdo qeveri; 4. të kishte kujdesin më të plotë për ruajtjen e qendrave më të rëndësishme urbane të vendit që kanë luajtur dhe luajnë një rol të rëndësishëm centrifugal në forcimin e prirjeve zhvillimore demokratike, arsimore, kulturore dhe ndërtimin e përfaqësimeve sa më të rëndësishme intelektuale shqiptare; 5. është nevoja e përfaqësimit politik në organin e sovranit: shkrirja sërish e disa zonave tampon të krijuara nga diktatori dhe e pjesëzave krahinore shumë të rëndësishme, të integruara artificialisht në krahina pa ndërlidhje antropologjike e kulturore. Ndarja administrative e bërë në periudhën 1946-1990 nuk përbën më argument për ruajtjen e mëtutjeshme të kësaj harte të dekompozuar nga Liria në Shtet dhe nga standardet europiane të njohjes së identiteteve krahinore; 6. lidhur me nevojën e përfaqësimit politik, do të duhet të theksojmë se vendi ndodhet para urgjencës së ndryshimit të Kodit Zgjedhor dhe sistemit zgjedhor, drejt një sistemi maxhoritar njëemëror me prag të lartë, ose drejt një sistemi të përzier proporcional-maxhoritar, sikurse është ai gjerman. Këtë ndryshim e ka bërë të domosdoshëm dhe imperativ situata e krijuar në Parlamentin aktual, i dekompozuar në fillesë nga niveli i përfaqësimit që prodhoi ligji aktual në fuqi, situata e degraduar e partive politike piramidale, familjare dhe jo demokratike në Shqipërisë, destabiliteti permanent politik dhe sfida e ndryshimit radikal të sistemit politik aktual që e ka prodhuar këtë realitet të dhimbshëm.
Shteti shqiptar do të duhet të jetë i organizuar në komuna të inkluduara në bashki, qytete metropolitane, provinca dhe rajone, dhe për këtë është i nevojshëm një ndryshim kushtetues më shumë.
Provincat mund të kenë një kryebashki si kryeqendër, që përfshin brenda saj një krahinë të tërë, përfshi edhe komuna, por në provinca nuk mund të përfshihen qytete të tilla të mëdha si Tirana, Shkodra, Durrësi, Korça, Vlora, Elbasani. Është më e arsyeshme dhe më e dobishme në aspektin e përforcimit të polisit në Shqipëri dhe e kulturës që një qytet tradicional promovon në areal, krijimi i njësisë administrative të qytetit metropolitan, si një tip i veçantë i provincës, ndërtuar brenda zonës verdhë të qytetit, i karakterizuar nga një raport i ngushtë integrimi. Nuk mund të shkrihet administrativisht një qytet historik shqiptar, në një bashkësi aq të përzierë interesash rurale, siç ndodh me ndarjen e re administrative që po projektohet. Korça, Shkodra, Vlora, Durrësi, Elbasani, Berati e Gjirokastra, nuk mund të shkrihen administrativisht, por do të duhet të përforcohen në rrethin e linjës së verdhe dhe të shërbejnë edhe me tutje si qendra centrifugale të qytetërimit dhe të urbanizimit shqiptar. Projekti e injoron plotësisht këtë ekzigjencë.
Projekti fillestar i reformës përmbante krijimin e rajonit si njësia më e madhe administrative që e shoh të zhdukur në projektin e paraqitur në shtyp. Kjo nuk duhet të ndodhë për një seri arsyesh, por para së gjithash për shkak të nevojave zhvillimore dhe përfshirjes së Shqipërisë në proceset zhvillimore sipas regjioneve. Është më pas e diskutueshme nëse rajonet, do të duhet të gëzojnë autonomi statutare, financiare dhe rregulluese.
Problemi tjetër shumë i rëndësishëm nga i cili vuan situata e përfaqësisë në Shqipëri është ndarja dhe nëndarja e distrikteve elektorale, shumë e pafavorshme për përfaqësimin e minoriteteve kulturore. Në qoftë se minoritetet kulturore do të bashkohen në distrikte të veçanta sikurse natyralisht kanë qenë, në krahina elektorale të veçanta, ose në një sistem proporcional përfaqësimi, ata do të duhet të jenë në gjendje me zgjedh përfaqësinë e vet, ndërsa nën këtë sistem të ofruar, ata do të jenë nën mëshirën shumicës, së imponuar nga mekanizmi i pamëshirshëm i partive politike.
E njëjta gjë do të duhet të thuhet edhe për krahina të tilla aq të rëndësishme të Shqipërisë si Dukagjini, Mirdita, Malësia e Madhe, Himara dhe zona në jug të Bregut të Matës etj. Ndarja aktuale njëlloj si projekti, mbajnë jashtë Dukagjinit zonën e Nikaj Merturit dhe pjesë të tjera të Malësisë së Gjakovës që në përgjithësi përfshihen në identitetin kulturor e tradicional dukagjinas, duke e parapërcaktuar me mohim përfaqësimin e Dukagjinit në Parlamentin shqiptar nesër. E njëjta gjë mund të thuhet për një pjesë të Mirditës të inkluduar në Mat: Bajraku i Rranzes me Bushkash, Bazi, Ulza. Po ashtu edhe Gjegjani me projektin e ri ka kalue me Pukën, në një kohë që ose mund t’i kalonte Fushë-Arrëzit, ose Mirditës. Është ruajtur pozicioni i zonës e Vigut, Mneles dhe Vaut të Dejës në Shkodër, ndërkohë që ai është ekstrem veriperëndimor i Mirditës etnografike. Malësia e Madhe shqiptare përbëhet nga Kastrati, Shkreli, Hoti, Kelmendi dhe zona lindore e maleve në lindje të fushës së Postopojës. Ajo është pjesa e Malësisë e mbetur në Shqipëri, sepse pjesa më e madhe e Hotit, e gjithë Gruda, Trieshi dhe Koja ndodhen në Republikën e Malit të Zi. Është i nevojshëm kështu rimodelimi i njësisë administrative Malësia e Madhe, duke e zhvendosur qendrën në Bajzë dhe kufizimin e saj në vijën Kastrat-Lohe-Reç drejt Vermoshit. Ndërkohë, dalja e qytetit të Shkodrës si njësi më vete administrative, si qytet metropolitan, krijon automatikisht: (a) njësinë administrative të Mbishkodrës me kryeqendër në Koplik dhe (b) njësinë administrative të Nënshkodrës me kryeqendër në Bushat, kufiri jugor i së cilës do të përfshijë sigurisht edhe Sapen inkluziv. Kjo zhvendosje më pas kërkon rimodelime në Lezhë, në Breg Matë, në Kurbin dhe deri në zonën bregdetarë në Rodon, varësisht përkatësive etnografike dhe njësive ekonomike.
Pamundësia konstante e shtetit shqiptar për të ndërtuar përfaqësime institucionale politike, që do të lehtësonin ushtrimin e mirëfilltë të integritetit territorial shtetëror dhe mundësonin gëzimin e lirisë për regjionet (në Jug, por edhe në Veri), me specifika etnike dhe religjioze do të duhet të konvertohet me projektin e ri në të kundërtën, d.m.th. në krijimin e përfaqësimeve adekuate, përmes ndarjeve logjike historike dhe antropologjike, që i paraprijnë kolegjeve të nesërme elektorale të arsyeshme dhe përfaqësimit në liri, në organin sovran të kombit. Mbi të gjitha, shteti shqiptar do të duhet të dëshmojë njohjen në vijimësi të përfaqësimeve të efektshme dhe të përshtatshme në të gjithë piramidën e nënpiramidën shtetërore të veçantive të popullsisë mbi të cilën ushtron de jure sovranitetin. Rasti i Mirditës, i ndarë në pesë rrethe administrative; dhe shkatërrimi nëpër zona të ndryshme elektorale i bashkësive me interesa përfaqësimi të njëjta, Himarës dhe Bregut në tërësi, Dropullit dhe Vurgut, do të duhet të marrin fund një herë e mirë, në të mirë të tregimit se jemi një shembull i procesit europianizues, shembull i lirisë politike dhe civile, që dimë të kapërcejmë ngërçet e krijuara nga ngurtësia e njohjes së realiteteve tona të brendshme. Drejtuesit e politikës shqiptare që kanë marrë përsipër të reformojnë strukturën administrative, duhet të dëshmojnë se janë njohës të mirë të popullit të vet, Shqipërisë zyrtare dhe asaj reale. Ky është testi që i mban ata në këmbë. Përndryshe, projektuesit teknicienë të reformës administrative kanë dëshmuar të kundërtën: janë pa njohuritë e nevojshme në histori, antropologji, gjeografi regjionale dhe në të drejtën administrative europiane. Ndaj qeveria do të duhet t’i ndalë ata nga vijimi i mëtejshëm i punës mbi këtë bazë të pamjaftueshme teorike dhe metodologjike.


Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi