Kush i gjykon gjyqtarët?

Nga Ledi Bianku, botuar në Panorama Online, 15 korrik 2014

Unë po i zbardh këto mendime në një kohë kur shumë kusure i vishen Gjyqësorit shqiptar, dhe jo vetëm atij, me dyshimin dhe keqardhjen që kritikat dhe pastaj reformat në fushën e Gjyqësorit, sidomos në Shqipëri, vuajnë nga kriteri paraprak për konceptimin dhe zbatimin e suksesshëm të tyre në praktikë – nga mungesa e analizës së vazhdueshme, periodike, profesionale mbi punën e tij. Për arsye që kanë të bëjnë me rolin e vetë gjyqtarëve në këto reforma, vendosa të zgjedh për trajtesë një pyetje, përgjigjja e së cilës mund të jetë më e gjerë dhe më e dobishme për qëllimin e temës mbi reformat në pushtetin gjyqësor. Për këtë arsye m’u duk e natyrshme të shtroja për trajtim pyetjen: kush i gjykon gjyqtarët?
Dilema e parë është nëse duhen dhe a mund të gjykohen gjyqtarët? Platoni, në kryeveprën e tij “Republika”, e shihte si të vështirë këtë mundësi, pra, që gjyqtarët, ose ata që janë ngarkuar të kontrollojnë ose ruajnë, të gjykohen, ruhen ose të kontrollohen nga të tjerë në këtë rol. Nëse sistemi gjyqësor në logjikën e tij institucionale dhe funksionale është konceptuar për të kontrolluar dy pushtetet e tjera, përfshirë edhe Legjislativin, me anë të kontrollit kushtetues dhe, për këtë qëllim, janë parashikuar mekanizma dhe procedura të posaçme, çështja është më delikate kur shtrohet problemi i kontrollit apo i gjykimit të gjyqtarëve. Kjo jo vetëm për arsyen e lartpërmendur të pavarësisë dhe të paanësisë së tyre, por edhe për faktin se gjykata flet e fundit në lidhje me të gjitha çështjet që ka në shqyrtim. Pasur parasysh hapësirën, por edhe rëndësinë e diskrecionit gjyqësor në zbatimin e ligjit, duket pra se figura të shquara, të hershme, por edhe të kohëve tona të Gjyqësorit në Europë e pranojnë dobinë e kontrollit të punës së Gjyqësorit në zbatimin dhe interpretimin e ligjit, me idenë e kufizimit të diskrecionaritetit të gjyqtarit në ushtrimin e tagrave të tij. Dhe kjo duket se është pjesë e rëndësishme e shtetit të së drejtës.
Dilema e dytë – si mund të gjykohen gjyqtarët? 
Duke pranuar se kontrolli ose gjykimi i Gjyqësorit është i dobishëm, madje mund të thuhet edhe i domosdoshëm në kuadrin e integrimit europian, çështja është e mënyrës se si ky kontroll mund dhe duhet të ushtrohet, pa cenuar tiparin themelor të ndarjes së pushteteve dhe të pavarësisë së Gjyqësorit në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Në vlerësimin tim ka tre faktorë përcaktues në vlerësimin nëse një kontroll që i ushtrohet Gjyqësorit është apo jo ai që duhet, natyrisht edhe në varësi se nga kush ushtrohet. Po i trajtoj tepër shkurtimisht më poshtë. Së pari – ligjshmëria. Kush ligjërohet të gjykojë gjyqtarët dhe në ç’mënyra dhe forma ligjërohet të bëhet një gjykim të tillë. Guy Canivet shprehet që Gjyqësori duhet t’i japë llogari popullit, sovranit, dhe unë besoj që ai e ka fjalën për organet përfaqësuese të tij që veprojnë sipas rregullave të caktuara dhe të qarta. Mjafton të vlerësohet veprimtaria dhe raportet e Komisionit Europian mbi Efikasitetin e Drejtësisë, ose të Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Europianë, ose edhe e Komisionit të Venecias për të pasur të qartë e për ta kuptuar se organet përfaqësuese të sovranit, të caktuara me ligj dhe mënyrat e vlerësimit të punës dhe të kontrollit të Gjyqësorit në përputhje me ligjin, janë të larmishme. Pra, në parim një lloj kontrolli i tillë ligjërohet dhe është i dobishëm.
Së dyti – Arsyet dhe pasojat ose legjitimiteti. A mund të orientohen dhe të kushtëzohen kontrollet ose reformat ndaj një gjykate ose sistemi gjyqësor për shkak se organi që legjitimohet formalisht që t’i bëjë këto kontrolle nuk është dakord ose nuk i pëlqen një vendim i veçantë, apo më keq, një rrymë e caktuar jurisprudenciale, ku për më tepër mund të jetë edhe palë ose i interesuar? Këto apo të tjera të ngjashme nuk janë pyetje që mund të marrin një përgjigje negative në parim, por në vlerësimin tim nuk mund as të marrin një përgjigje pozitive në parim, nga ana tjetër. Për ta sqaruar më tej këtë mëdyshje, besoj jo vetëm timen, më lejoni të kaloj në kriterin e tretë. Pra, pavarësisht nga ligjërimi formal, pyetja për mua shtrohet: sa legjitimohet dhe si ushtrohet në substancë kontrolli ose gjykimi i pushtetit gjyqësor, për cilat arsye dhe në pritje të cilave pasoja? Ky kriter – i treti – ka të bëjë me atë që quhet kontroll joformal i pushtetit gjyqësor. Ai konsiston në gjykimin që i bëhet punës së Gjyqësorit jo nga organe të ngarkuara me ligj për këtë qëllim. Rëndësia e një kontrolli të tillë është pranuar edhe kjo prej vitesh. Pyetja shtrohet përsëri nga kush? 
Shembujt nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg provojnë që edhe një gjykatë ndërkombëtare, kontrollet formale ndaj së cilës janë tepër të kufizuara, përderisa është gjykata që flet e fundit në Europë, mund të përfitojë së tepërmi nëpërmjet një kontrolli ose gjykimi jo formal. Besoj është e qartë – edhe për gjykatën që flet e fundit në Europë, ndaj së cilës në parim nuk ushtrohet asnjë kontroll formal, ka një gjykim që e bën të reflektojë, eventualisht të reagojë, të përshtatet, ta konsolidojë ose ta ndryshojë jurisprudencën e vet. Ky gjyqtar është arsyeja, mendimi profesional juridik, i përçuar qoftë nga gjykatat e tjera, me vendime gjyqësore apo me qëndrime doktrinale, qoftë nga doktrina, qoftë edhe nga shtetet anëtare dhe institucionet e tyre.
Më lejoni ta sjell paksa më afër, natyrisht brenda kufijve që më lejon funksioni që kam, shpjegimin e idesë sime. Të nderuar lexues, Gjyqësori shqiptar ndodhet në vazhdimësi nën trysninë e presioneve të ndryshme, për arsye që ju i dini mirë. Por në qoftë se për vendimet që marrin një mori gjykatash në Europë, përfshirë edhe Gjykatën e Strasburgut, ka një analizë, kritikë dhe vlerësim shkencor dhe profesional, fatkeqësisht nuk është, ose nuk më duket të jetë kjo situata në doktrinën shqiptare.
Më lejoni të përmend vendimin e dhjetorit 2010 të Gjykatës së Strasburgut në lidhje me çështjen Mishgjoni kundër Shqipërisë. Mund të thuhet se është i vetmi rast në jurisprudencën e gjykatës sonë në të cilin analizohet zbatimi i kritereve të nenit 6 të Konventës nga një organ që kontrollon Gjyqësorin, KLD në këtë rast. As për një rast të tillë nuk kam gjetur asnjë reagim për të shtjelluar, shpjeguar, kritikuar apo lëvduar mënyrën se si vlerësohen gjyqtarët në Shqipëri nëpërmjet kontrollit formal. Vetëm vitet e fundit gjykatat shqiptare kanë qenë para sfidës së madhe profesionale të zgjidhjes të një sërë çështjesh me ngarkesa të konsiderueshme juridike, por edhe sociale, politike, ndërkombëtare e më tej. Në lidhje me asnjë prej këtyre vendimeve, unë të paktën, pavarësisht interesimit, nuk kam arritur të gjej ndonjë analizë doktrinale që ta bëjë Gjyqësorin shqiptar të reflektojë dhe të reagojë, dhe të tjerët ta gjykojnë, si duhet e kam fjalën.
* * *
Ku mund të çojë një vakum i tillë i analizës profesionale të punës së Gjyqësorit? Përpara shumë vjetësh kam pasur një profesor, i cili më thoshte: “Kur në mbrojtjen e një çështjeje përpara një gjykate sheh se faktet janë kundër teje, mbështetu te ligji; kur sheh se ligji është kundër teje, mbështetu te faktet. Por kur edhe faktet dhe ligji janë kundër teje, atëherë s’të ngelet asgjë tjetër veçse të bërtasësh e të ulërish që t’i tërheqësh vëmendjen gjykatës. Po të gjitha gjasat janë që kjo mos të të çojë gjëkundi, sepse kjo nuk ka të bëjë shumë me profesionin e juristit”.
E njëjta gjë ndodh edhe përpara atij që Guy Canivet e quante gjykatësi popull, kur dikush nuk bazohet tek interpretimi i ligjit ose i fakteve, ka shumë mundësi që në procesin e gjykimit të gjyqtarëve t’i tërheqin vëmendjen me të bërtitura. Shpresoj që kjo mos i çojë gjëkundi. Ata që komentojnë, kritikojnë punën e Gjyqësorit duke u mbështetur te ligji ose te faktet, i sjellin dobi punës së Gjyqësorit; ata që nuk mbështeten as në fakte, as në ligj, sepse nuk janë profesionistë që të mund ta bëjnë, nuk mund t’i sjellin veçse dëm.
Në qoftë se, siç thotë prof. Rivero, “e drejta është matematika e lirive”, ajo qenka aq e rëndësishme, përderisa ka të bëjë me liritë, dhe aq teknike, përderisa qenka matematikë, sa nuk mund t’i lihet në dorë kujt nuk ka kuptimin e duhur të rëndësisë dhe përgatitjen e përshtatshme shkencore të fushës që të merret me zbatimin, interpretimin e saj ose, aq më pak me kritikën ndaj atyre që aplikojnë këtë shkencë. Problemi në Shqipëri është që personi ose organi që komenton thashethemet e tele-realiteteve analizon edhe zhvillimet ligjore ose vendimet gjyqësore, përfshirë madje edhe ato të specializuara, që jo çdo jurist madje do merrte përsipër t’i komentonte. Dhe këto dy operacione analitike ose edhe thjesht komunikative, vështirë i shoh të pajtohen intelektualisht me njëra-tjetrën. Në qoftë se shkenca juridike nuk bën punën e vet dhe analizon dhe gjykon gjyqtarët, këtë ka rrezik ta bëjë, as më shumë e as më pak, por injoranca.
Më duhet të nënvizoj një premisë, në përpjekje për të shmangur çdo keqkuptim, ndoshta në formën e një konkluzioni të ndërmjetëm. Askush nuk duhet të mendojë që me propozimet ose qëndrimet e mia të shkoj deri aty sa të pretendoj se kritika profesionale ndaj gjyqtarëve dhe sidomos roli i doktrinës në këtë proces të shkojnë deri aty sa të kushtëzojnë ato vetë rolin dhe diskrecionaritetin e gjyqtarit. Jo! Aspak! Por për mua pavarësia, paanësia dhe autonomia e gjyqtarit shprehen në një sistem të informuar, profesional, i cili ofron premisat e analizës dhe të reflektimit gjyqësor, përfshirë këtu edhe gjykimin vijues të gjyqtarëve, e ndihmon dhe i ofron alternativa vendimmarrjes së gjyqtarit, por nuk e kushtëzon atë. Ai është terreni profesional në të cilin një gjyqtar duhet të jetë i ndërgjegjshëm dhe i lirë të vendosë. Në këtë drejtim doktrina ofron një gjykues të pakrahasueshëm të punës së Gjyqësorit, sepse duke qenë e lirë dhe e larmishme, ofron zgjedhje dhe jo imponim, e forcon dhe nuk e cenon pavarësinë.
Në qoftë se gjyqtarët, siç thotë Lord Bingham, duhet të merren vetëm me shqyrtim gjyqësor, sepse vetëm në atë fushë kanë ekspertizë dhe jo në fushë tjetër, për analogji, punën e Gjyqësorit mund dhe duhet ta bëjnë ata që posedojnë dhe kanë ekspertizën ligjore përkatëse. Dikush mund edhe të thotë që ky është një pamflet në mbështetje të juristokracisë ose të qeverisë të gjyqtarëve. Por në çdo demokraci që pretendon të mbështetet në shtetin ligjor dhe këto dy nocione janë të pandarë nga njëri-tjetri, niveli i debatit profesional juridik kushtëzon jo vetëm cilësinë e Gjyqësorit, por edhe vetë nivelin e shtetit ligjor dhe të demokracisë në vetvete. Në qoftë se kjo do të thotë juristokraci, atëherë ashtu qoftë, unë pa asnjë dyshim jam për të, si gur themelor i demokracisë dhe i shtetit ligjor. Në qoftë se asnjë sistem gjyqësor nuk mund të jetë më i mirë se gjyqtarët që e përbëjnë, nga ana tjetër, edhe gjyqtarët reflektojnë nivelin e sistemit ligjor, përfshirë këtu analizën ligjore, në të cilin ata punojnë dhe zhvillohen.
Kur shtroj pyetjen se kush i gjykon gjyqtarët, nuk e kam fjalën vetëm se kush ka të drejtë ta bëjë këtë konstitucionalisht apo ligjërisht, ose edhe në kuadrin e lirisë së shprehjes, por se këta, organe ose persona, duhet të kenë ose të ngrenë aftësinë dhe cilësinë profesionale për ta bërë një gjykim të tillë. Legjitimiteti në gjykim nuk mund të qëndrojë vetëm në atributin për ta bërë një gjë të tillë, por edhe në aftësinë për ta përmbushur atributin në mënyrën e duhur. Nëse aftësia është kriter themelor dhe kështu duhet të jetë për gjyqtarët, nuk ka përse të mos jetë ndryshe për ata që marrin përsipër t’i gjykojnë gjyqtarët.
Më lejoni t’ju kujtoj një shprehje të ish-kryetarit të Gjykatës së Strasburgut, Jean-Paul Costa, ku ai thoshte se: “Autoriteti është i pandashëm nga arsyeja, nga besueshmëria, dhe në fund të fundit nga pushteti për të bindur, më shumë sesa nga e drejta për t’u imponuar”.
Por arsyet, besueshmëria, aftësia e Gjyqësorit për të bindur, analizohen, shpjegohen, kritikohen apo mbështeten nga profesionistët. Ashtu si autoriteti i Gjyqësorit është i lidhur me aftësinë profesionale për të bindur dhe me arsyen, nuk ka përse dhe nuk do ishte e logjikshme në fakt që këto kritere të mos u kërkohen atyre që marrin përsipër të gjykojnë Gjyqësorin. Kultura juridike në përgjithësi dhe kultura gjyqësore në veçanti, me dy kahet e veprimit nga publiku te gjyqtari dhe nga gjyqtari te publiku, janë elemente themelore në të gjithë procesin e vlerësimit të gjyqtarëve. Megjithatë, në këtë proces konsideroj se profesionistët, juristët, kanë një rol kyç, pasi janë ata që komentojnë dhe përçojnë mesazhin te publiku, duke gjykuar, por edhe duke lejuar që të tjerët të arrijnë të gjykojnë gjyqtarët. Është ky kriter në vlerësimin tim që në vijim bën më të drejtë, më të arsyeshëm dhe më suksesshëm edhe çdo lloj kontrolli formal që mund t’i bëhet Gjyqësorit.
Dialogu mes profesionistëve, të cilët duhet të gjejnë, por duhet edhe t’u krijohen mundësitë dhe instrumentet e duhura për ta zhvilluar këtë dialog, për të gjykuar në mënyrë të paanshme dhe profesionale vendimet gjyqësore, jo duke u nisur domosdoshmërisht nga rezultati, por nga kriteret shkencore juridike që përdoren në arritjen e tij, është kriteri më i mirë që ka në Europë dhe duhet të ketë edhe më shumë në Shqipëri, një kontribut të pazëvendësueshëm edhe në lidhje me kontrollin formal ndaj Gjyqësorit. Këtij dialogu duhet t’i shërbejë shkenca juridike dhe doktrina e konsoliduar.
Përgjigjja që unë do guxoja t’i jepja sot pyetjes “kush i gjykon gjyqtarët?” është: ata që, për shkak se kanë ose shprehin aftësitë, mund ta bëjnë këtë duke u bazuar në kritere shkencore dhe profesionale juridike. Por në mungesë të një doktrine dhe mendimi juridik periodik, të paanshëm dhe të shkëputur nga çdo debat me natyrë tjetër, çdo pretendim për një gjykim profesional mbi punën e Gjyqësorit do më dukej i pambështetur, madje i pamundur. Ky do ishte gjykimi dhe në të njëjtën kohë edhe mbrojtja më e mirë që mund t’i bëhej pavarësisë dhe profesionalizmit të pushtetit gjyqësor.
P. S. Ky artikull për gazetën “Panorama” është një përmbledhje e fjalës sime në Konferencën e Unionit të Gjyqtarëve “Reforma gjyqësore si një ndër prioritetet e sfidës së integrimit”
*Gjyqtar në Gjykatën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, Strasburg

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi