Reformat: përballë grupeve të interesit dhe interesave të grupeve

Nga Kosta Barjaba, botuar në Dita, 8 korrik 2014
  1. Kufijtë midis shtetit dhe privatit

Një ndër “punët” më të vështira të reformave, sidomos të reformave të tranzicionit, është vendosja e kufijve midis sektorit shtetëror dhe sektorit privat. Sa më shumë që të dy sektorët shkëmbejnë përvoja dhe modele efiçiente qeverisëse, menaxhuese dhe përgjegjësie shoqërore, aq më tepër ata kanë nevojë për kufij dhe zona veprimi të qarta. Hezitimi për ta bërë këtë, mund të shndërrohet në një pengesë të reformës dhe krijues, pa qenë nevoja, i sabotatorëve të saj. Nënvizoj “mosvendosja” dhe jo “mosndarja” e kufijve shtetëror-privat sepse qartësimi i zonave të veprimit siguron plotësueshmërinë e shërbimit ndaj qytetarëve. Si rregull, sektori shtetëror merr nga sektori privat efiktivitetin dhe efiçiencën, ndërsa sektori provat duhet të marrë prej shtetërorit përgjegjësinë shoqërore dhe humane të shërbimeve. Nga ana tjetër, kufijtë shtetëror-privat nuk duhet të presupozojnë vetëm zonat e veprimit të burimeve njerëzore, në rastin e reformës shëndetësore, të mjekëve, por edhe ato të operatorëve shtetërorë dhe privatë. Prandaj akreditimi i institucioneve shëndetësore duhet të plotësohet nga krijimi i kushteve ligjore që institucionet publike dhe private të konkurrojnë në tregun e shërbimeve me kapacitete, standarte e burime të monitoruara rreptësisht prej qeverisjes.

  1. “Pronësia” e reformave

Kufijtë midis shtetërorit dhe privatit presupozojnë edhe “pronësinë” e këtyre dy sektorëve në realizimin e reformave. Kjo vlen për të gjithë sektorët. Megjithatë, “pronësia” shtetërore dhe private nuk mund të jetë e njëjtë në të gjithë sektorët që reformohen. Si rregull, shteti duhet të ruajë një pronësi më të lartë reformuese në sektorët e zhvillimit njerëzor (shëndetësi, arsim, punësim, politika sociale)  si edhe në sektorin e drejtësisë. Midis sektorëve të mësipërm, mendoj se vendim-marrja shtetërore dhe qeverisëse duhet të jetë vendimtare në sistemin shëndetësor dhe sistemin e drejtësisë.

  1. Përse “pronësi” më e madhe shtetërore në reformën shëndetësore dhe drejtësi?

Ka disa arsye që e justifikojnë “pronësinë” më të madhe të shtetit dhe autoritetin e tij vendim-marrës përcaktues në të dy sektorët e mësipërm. Së pari, shëndetësia ka misionin më fisnik që mund të ketë një sistem: shpëtimin e jetëve njerëzore. Por ky sistem ka në qendër dy grupe specifike të fuqishëm interesi: komunitetin e mjekëve dhe industrinë farmaceutike. “Përplasja” e interesit publik për shpëtimin e jetëve me interesat (e natyrshëm) private për maksimizimin e fitimeve kërkon më shumë sesa një arbitër. Kërkon, pra, një rregullator dhe ky duhet të jetë shteti, si roje e interesave publikë. Ndërsa reforma në drejtësi përballet me disa grupe interesi, midis të cilëve komunitetin e gjyqtarëve. Përballë tyre qëndrojnë jo vetëm qytetarët, por edhe mjaft agjensi ligjzbatuese jo gjithmonë të kënaqura prej saj, (policia) si edhe disa institucione të vetë sistemit, gjithashtu gjithmonë të kënaqura (prokuroria). Së dyti, mjekët dhe gjyqtarët, si dy grupe profesionistësh të lirë, shumë shpejt do të jenë përbërësit kryesorë të klasës së mesme të lartë. E cila po bëhet një gjenerator i zhvillimit. Por përgjegjësia shoqërore dhe publike e  klasës së mesme të lartë nuk ecën paralel me kontributin ekonomik. Kjo për shkak të mungesës së kuadrit të plotë rregullator që jetërson përgjegjësinë e saj  shoqërore dhe publike. Mjekët dhe gjyqtarët, duke kontribuar për përgjegjësinë sociale të klasës së tyre, duhet të kontribojnë në të njëjtën kohë për të gjithë shoqërinë. Por kjo nuk ndodh si duhet, edhe për shkak të disa tipareve specifike të këtyre profesionistëve të lirë, të cilët praktikisht gëzojnë më shumë liri sesa duhet, brenda dhe jashtë sistemeve ku veprojnë. Madje ndonjëherë tentojnë dhe ngrihen edhe mbi sistemet. Por kjo kërkon edhe mekanizma ligjorë dhe institucionalë, të cilët do të mundësojnë jetërsimin e fisnikërisë së mjekëve dhe serenitetit të gjyqtarëve si pjestarë funksionalë të elitës së shoqërisë. Së treti, ndryshe nga profesionistët e sektorëve të tjerë, mjekët dhe gjyqtarët, nuk kanë përballë një grup interesi oponent. Organizatat e biznesit kanë përballë sindikatat, të cilat megjithë dobësitë e tyre, janë në gjëndje të krijojnë sensibilitetet publike dhe politike. Të paktën legalisht kanë instrumentet për të artikuluar vullnetet dhe interesat e tyre në nivele të ndryshme të qeverisjes. Reforma arsimore ka përballë universitetet dhe profesoratin, por ka edhe studentët dhe komunitetet e prindërve, të cilët janë sponsorët kryesorë të sistemit. Ndërkohë, grupi më i madh i interesit që ndodhet përballë mjekëve, ai i pacientëve, është praktikisht i pazëshëm dhe i paformalizuar. Po përballë gjyqtarëve kush qëndron? Sa kanë në dorë individët apo grupet jashtë sistemit të ndikojnë brenda tij? Shumë pak. Së katërti, në demokraci dega gjyqësore e qeverisjes legjitimohet nga veprimet e harmonizuara të degës legjislative dhe ekzekutive. Përvoja tregon se edhe institucionet shtetërore apo trupat legjislative që legjitimojnë gjyqësorin disa herë “janë ndalur” para portave të tij.  Por presionet për të stepur Kuvendin dhe Qeverinë përballë reformës së sistemit të drejtësisë janë kundër logjikës së demokracisë. Së pesti, organet përfaqësuese profesionale, (në rastin e reformës shëndetësore) dhe strukturat e degës gjyqësore të qeverisjes (në rastin e reformës në drejtësi) mund të luajnë vetëm rolin e konsulentëve në raport me reformën. Sepse platformat reformuese të sistemeve duhet të pasqyrojnë vizionin dhe programin qeverisës. Sidomos në kushtet kur parashikohen ndryshime themelore në funksionimin dhe menaxhimin e sistemeve.  Në të dyja rastet, grupet e interesit duhet t’i përshtaten reformave dhe jo reformat atyre. Përndryshe nuk do të kishin grupe interesi, por interesa të grupeve.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi