Për një Gjyqësor që përballon sfidat e kohës

Nga Xhezair Zagonjari, Kryetar i Gjykatës së Lartë

Sot më tepër se kurrë, me të drejtë kërkohet nga të gjithë rritja e performancës, përgjegjësisë dhe profesionalizmit të sistemit të drejtësisë në përgjithësi, e në veçanti e pushtetit gjyqësor. Dhe kjo kërkohet jo vetëm për shkak të integrimit, por në radhë të parë e mbi të gjitha për shkak të nevojës urgjente për t’i shërbyer e për të mbrojtur sa më mirë interesat e qytetarëve, për të konsoliduar demokracinë e brishtë dhe për të forcuar shtetin e së drejtës në Shqipëri. Në fakt, qysh prej institucionalizimit të sistemit demokratik dhe miratimit të Kushtetutës, sistemi gjyqësor shqiptar ka pësuar ndryshime të mëdha. Megjithatë, vetë dinamika e zhvillimit, transformimet e thella ekonomike e shoqërore, procesi i gjatë dhe i ndërlikuar i kalimit nga diktatura në demokraci, megjithëse edhe pas gati 25 vjetësh, ende imponojnë vazhdimin e reformave në fushën e drejtësisë, me synim arritjen e standardeve të demokracive perëndimore. Një kontribut të çmuar në këtë proces kanë dhënë pa dyshim edhe partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët nëpërmjet asistencës teknike apo mbështetjes financiare për projekte të ndryshme, kanë mundësuar konsolidimin dhe përmirësimin e eficiencës së sistemit gjyqësor.

Sistemi i drejtësisë po u nënshtrohet disa reformave ligjore dhe institucionale, disa prej të cilave janë konkretizuar në një sërë nismash që kanë pasur si objektiv konsolidimin e shtetit të së drejtës, ruajtjen dhe garantimin e pavarësisë së Gjyqësorit, rritjen e eficiencës dhe të kapaciteteve administrative të aktorëve të sistemit të drejtësisë, përqasjen e legjislacionit me të drejtën e Bashkimit Europian dhe me aktet e tjera ndërkombëtare, si dhe përmirësimin infrastrukturor, organizativ dhe funksional. Veçanërisht në vitet e fundit, ndryshimet në Gjyqësor kanë qenë të shumta. Ato kanë pasur në fokus të tyre krijimin e një sistemi gjyqësor të përgjegjshëm, të pavarur dhe efektiv.

Pavarësisht përmirësimeve, dua të theksoj së në përgjithësi edhe cilësia e vendimeve gjyqësore nuk është në nivelet e kërkuara. Shpesh konstatohen vendime të paarsyetuara mirë, jo objektive, në përmbajtjen e të cilave rezulton se nuk janë shqyrtuar në mënyrën tërësore të gjitha kërkesat e palëve dhe provat e paraqitura në gjykim. Për pasojë, në mjaft raste konstatohen vendimeve të dobëta, të paqarta e kontradiktore. Sigurisht që këto vendime bëhen të cenueshme nga gjykatat më të larta, e në mjaft raste kjo çon në gjykimin e rigjykimin për vite me radhë të së njëjtës çështje. Një gjë e tillë pa dyshim që sorollat dhe “lodh palët” në gjykim, rrit perceptimin negativ të publikut ndaj pushtetit gjyqësor dhe ul besimin e vendimeve gjyqësore. Ç’është më e rëndësishmja, në këtë mënyrë cenohet dukshëm efektiviteti i punës së gjykatës dhe cilësia e dhënies së drejtësisë.

Një ndër problemet kryesore me të cilin ballafaqohet sot sistemi i drejtësisë në përgjithësi është lufta kundër korrupsionit, fenomen i shëmtuar dhe tepër i dëmshëm për shtetin dhe shoqërinë shqiptare në tërësi. Megjithatë, duke pasur parasysh në radhë të parë natyrën dhe efektet e vendimeve gjyqësore, krahasuar me degët e tjera të pushtetit apo dhe me operatorët e tjerë të sistemit të drejtësisë, korrupsioni në pushtetin gjyqësor është më i dëmshmi dhe më i rrezikshmi. Filozofi dhe politologu i shquar anglo–amerikan Herbert Spenser thekson në veprën e tij “Njeriu kundër shtetit” se: “Kusht themelor për progresin e shoqërisë është garantimi i lirisë së individit, garantimi i paqes sociale, detyra që në një shoqëri demokratike i takojnë t’i bëjë në radhë të parë drejtësia”. Është bërë rëndom zakon të thuhet se korrupsioni cenon direkt imazhin e Gjyqësorit në sytë e shoqërisë. Unë mendoj se dëmi apo efektet negative të korrupsionit janë shumë më tepër se kaq. Ai pengon zhvillimin e vendit; cenon rendë paqen dhe sigurinë sociale; nxit arbitraritetin dhe vetëgjyqësinë; polarizon me pa të drejtë shoqërinë; toleron dukshëm cenimin e të drejtave dhe lirive themelore të individit. Sepse përmes korrupsionit në vend të drejtësisë jepet padrejtësi. Nëse gjyqtari e jep vendimin për shkak se është korruptuar nga palët apo për shkak të favoreve të padrejta ndaj subjekteve të caktuara, atëherë sigurisht që nuk mund të flitet më për drejtësi, sepse nuk ka më gjykatë të pavarur e të paanshme, të cilat janë realisht vlerat kryesore të saj. Drejtësia në këtë rast nuk është gjë tjetër veçse një farsë, një fjalë bosh, pasi krimineli jo vetëm që nuk shkon në burg apo nuk merr atë që meriton, përkundrazi ndihet edhe më i motivuar për të vazhduar rrugën kriminale; prona e përbashkët shtetërore apo prona e qytetarit merret apo thënë më troç “vidhet” me pa të drejtë nga spekulante apo mashtrues të ligjit; nuk luftohen fenomenet korruptive në degët e tjera të pushtetit dhe institucionet shtetërore; buxheti i shtetit si burimi kryesor i mirëqenies për të gjithë nuk merr të ardhurat që duhet të marrë; biznesi tkurret, nuk ndjen siguri dhe ka frikë të investojë; qytetari nuk merr drejtësi dhe për këtë arsye raportet e tij me të tretët, qoftë edhe brenda familjes vazhdojnë të jenë konfliktuale. Shkurt, nëse drejtësia nuk jepet, nëse sistemi nuk funksionon, të gjithë dalim të humbur, shteti, shoqëria, individi. Për pasojë, pengohet dukshëm edhe perspektiva e zhvillimit dhe integrimit të vendit.

Personalisht mendoj se shumica e gjyqtarëve punojnë me seriozitet, përgjegjshmëri, profesionalizëm dhe përkushtim në profesionin e nderuar që keni zgjedhur, me bindjen se drejtësia është e shenjtë dhe se ne kemi fatin e madh të jemi në shërbim të shtetit dhe të publikut. Megjithatë, është fakt se aktualisht besimi i publikut shqiptar në sistemin e drejtësisë është në kuota mjaft të ulëta. Është fakt se organizata prestigjioze Transparancy International e radhit vendin tonë si një nga vendet me korrupsion më të lartë në Europë, e ndoshta edhe në botë, sidomos përsa i përket sistemit të drejtësisë. Është fakt se Bashkimi Europian e ka përcaktuar luftën kundër korrupsionit, veçanërisht në drejtësi, si një nga 5 detyrat apo prioritetet kryesore të shtetit shqiptar në procesin e integrimit. Është fakt se shpesh, mjaft nga ne, gjatë kontrollit vertikal të vendimeve gjyqësore ndeshemi me probleme jo të vogla lidhur me marrjen e provave, arsyetimin e vendimeve, zbatimin e ligjit material dhe procedural nga gjykatat e të gjitha niveleve, të cilat në rastin më të mirë mund të konsideroheshin si mungese e theksuar profesionalizmi. Sipas juristit të shquar amerikan Stephen Carter, integriteti nuk është gjë tjetër veçse qëndrim i përgjegjshëm ndaj shtetit, shoqërisë dhe mbi të gjitha ndaj vetvetes. Është aftësia për të dalluar të mirën nga e keqja, të drejtën nga e gabuara, dhe mbi këtë bazë, aftësia për t’i marrë vendimet respektive vetëm si rezultat i analizës dhe bindjes që krijohet në çdo rast konkret. Filozofi i shquar francez Rene Dekart (Rene Descartes), duke iu referuar procesit të analizës dhe krijimit të mendimit, përmend shprehjen e njohur romake Cogito Ergo Sum (I think therefore I am). Sepse pikërisht kjo na përcakton si qenie të përgjegjshme. Vetëm nëse vendimet merren në bazë të bindjes së brendshme, kemi edhe qetësinë e duhur shpirtërore ndaj palëve dhe detyrës që na është besuar. Po në këtë kuadër, mendoj se ka shumë më tepër vend për një kontroll më të kualifikuar e më të përgjegjshëm të vendimeve gjyqësore edhe vetë brenda sistemit gjyqësor. Ka më shumë vend për transparencë e komunikim të drejtpërdrejtë e të vazhdueshëm me publikun. Ka më shumë vend për debat, analiza e kritika profesionale të vendimeve gjyqësore nga masa tashmë mjaft e madhe e personave që merren me shkencën e së drejtës.

Në këtë betejë të rëndësishme kundër korrupsionit kërkohet edhe bashkëpunimi konstruktiv me të gjithë operatorët e tjerë të sistemit të drejtësisë, me degët e tjera të pushtetit shtetëror, shoqërinë civile e veçanërisht me median. Është e qartë që betimi solemn që kemi bërë të gjithë ne me marrjen e detyrës, se do të respektojmë Kushtetutën dhe ligjet, është premisë, por nuk është aksiomë. Ai është i pamjaftueshëm për të supozuar se me të vërtetë në çdo rast jepet drejtësi. Në këto kushte, sigurisht që qëndrimet tona të përbashkëta duhet të jenë të vendosura, të qarta e të patolerueshme. Sistemi i drejtësisë duhet të spastrohet nga gjyqtarët e korruptuar e të papërgjegjshëm, të cilët përmes vendimmarrjes abuzive cenojnë rëndë themelet e shtetit demokratik, cenojnë rendë të drejtat e qytetarëve, cenojnë rendë imazhin dhe punën tonë.

Nga ana tjetër, dua të theksoj me forcë gjithashtu se lufta kundër korrupsionit nënkupton gjithashtu edhe marrjen e masave efektive për forcimin real të pavarësisë së pushtetit gjyqësor në tërësi; mbrojtjen dhe forcimin e statusit të gjyqtarit dhe trajtimin e tij me dinjitetin dhe vlerësimin që i takon. Duhet pasur parasysh se puna e tij është shpesh mjaft delikate dhe e vështirë. Përballë gjyqtarit qëndrojnë çdo ditë kriminelë, njerëz në konflikte të ashpra me njëri-tjetrin dhe ligjin, qëndrojnë interesa të rëndësishme private dhe shtetërore, interesa të partive politike dhe njerëzve të veshur me pushtet. Në këto rrethana, pa dyshim që duhen marrë më shumë masa që gjyqtarët të ndihen të vlerësuar, të qetë, të lirë, të pavarur dhe të mbrojtur nga shoqëria dhe shteti. Sigurisht që pavarësi nuk do të thotë arbitraritet, nuk do të thotë se ligji duhet interpretuar në mënyrë voluntariste. Nuk do të thotë pavarësi nga ligji. Pavarësia nuk është privilegj i gjyqtarit, por është garanci për qytetarin, është garanci për dhënien e drejtësisë, është interpretim e zbatim korrekt i ligjit. Liria, nga ana tjetër, është mundësia që duhet të ketë gjyqtari për të dhënë vendim vetëm në bazë të bindjes së brendshme të tij, duke i trajtuar të gjithë njerëzit njëlloj si të barabartë, duke zgjidhur konfliktin apo duke dërguar pas hekurave çdo person që shkel ligjin, pavarësisht statusit të tyre shtetëror apo partiak. Në shtetin e së drejtës askush nuk duhet të jetë mbi ligjin. Prandaj kërkohet mirëkuptim e bashkëpunim i vazhdueshëm ndërmjet tri pushteteve, shoqërisë civile e medias. Me drejtësinë nuk mund të luhet pingpong duke akuzuar njëri-tjetrin për të gjetur fajtorin e kujtuar kompetencat. Për çështjet e drejtësisë, ashtu si për gjithë çështjet me rendësi shtetërore e shoqërore, është detyrim kushtetues të kërkohen e gjenden format e bashkëpunimit konstruktiv, kërkohet luajalitet e përkushtim nga të gjithë. Me gjithë përpjekjet e bëra për uljen e ngarkesës së punës, nëpërmjet masave ligjore e administrative, numri i madh i çështjeve të akumuluara përbën problem serioz dhe shqetësues për gjykatat, problem i cili shtron si nevojë urgjente diskutimin dhe gjetjen e zgjidhjeve të përshtatshme. Në raport me numrin e popullsisë, masa e konflikteve që paraqiten për vendimmarrje në gjykatat shqiptare është tepër i lartë. Në radhë të parë kjo vjen si rezultat i konflikteve të shumta që prodhon shoqëria shqiptare në tërësi. Aktualisht, në këndvështrim të ngarkesës dhe për pasojë edhe vonesave në gjykim, situata paraqitet mjaft problematike, veçanërisht në gjykatat administrative si dhe në Gjykatën e Lartë. Por, dua të theksoj se situata në Gjykatën e Lartë, krahasuar me rreth një vit më parë, duket mjaft e përmirësuar, pavarësisht se numri i çështjeve të grumbulluara në vite në këtë gjykatë vazhdon të jetë i madh. Normalisht Gjykata e Lartë, ashtu si gjykatat homologe kudo në botë, nuk duhet të punojë nën presionin e numrit të madh të çështjeve. Ajo duhet të përqendrohet te cilësia e gjykimit dhe unifikimi i praktikës gjyqësore. Gjykata e Lartë nuk është fabrikë që prodhon vendime. Për këtë arsye mendoj se në kuadër të reformës në Drejtësi, duhet të gjenden rrugë e mjete për të forcuar filtrat e trajtimit të çështjeve në Gjykatën e Lartë, ashtu siç veprohet kudo. Numri i çështjeve që ajo gjykon në seancë duhet të jete i kufizuar. Nga ana tjetër, paralelisht me këtë duhet të forcohet cilësia e gjykimit dhe e vendimmarrjes në gjykatat më të ulëta, veçanërisht në gjykatat e apelit.

Aktualisht Gjyqësori shqiptar i ka energjitë dhe kapacitetet e nevojshme profesionale për të përballuar me sukses sfidat që ka në kuadër të integrimit të vendit në strukturat europiane. Këto sfida kërkojnë dhe imponojnë mbi Gjyqësorin një rritje të ndërgjegjësimit të vetë trupës gjyqësore lidhur me rolin e rëndësishëm që luan dhe përgjegjësitë që mbart ajo në një shoqëri demokratike dhe në një shtet të së drejtës. Pavarësia në kryerjen e funksionit kushtetues dhe ligjor të administrimit të drejtësisë, ndërgjegjja e lartë profesionale si dhe integriteti moral duhet të jenë shtyllat mbi të cilat duhet të bazohet puna e gjyqtarëve shqiptarë.

Përmirësimi dhe përsosja e mëtejshme e organizimit dhe e funksionimit të sistemit gjyqësor, në funksion të rritjes së pavarësisë së tij si dhe të eficiencës së punës në administrimin e drejtësisë sipas standardeve të vendeve europiane, duhet të jetë motoja e punës së Gjyqësorit shqiptar si dhe e aktorëve dhe faktorëve të tjerë të përfshirë në sistemin e drejtësisë. Vullneti dhe përkushtimi për kurimin e sëmundjeve të Gjyqësorit duhet të burojë së pari nga vetë Gjyqësori, dhe ky vetë duhet të jetë promotori i ndryshimeve, të cilat sjellin risi pozitive në sistemin gjyqësor.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi