Formalizimi i bujqësisë, hap në drejtimin e duhur

Nga Auron Mneri, botuar në Balkanweb, 20 prill 2014

Ditët e fundit, media i ka kushtuar një hapësirë të rëndësishme prezantimit të skemave të mbështetjes fi nanciare në bujqësi Kjo vëmendje e madhe e mbarë opinionit bazohet jo vetëm për rolin jashtëzakonisht të rëndësishëm që ka bujqësia në ekonominë dhe shoqërinë shqiptare, por edhe në vendin që zë ky sektor strategjik në axhendën kombëtare të integrimit. Në Shqipëri, sipas të dhënave të vitit 2013, në bujqësi punonin rreth 47.8% të forcës së aftë për punë, duke kontribuar vetëm për rreth 20% të prodhimit të përgjithshëm bruto. Kjo mospërputhje është rrjedhojë e problemeve të trashëguara të infrastrukturës, numrit shumë të madh të fermave me bazë familjare dhe me një sipërfaqe mjaft të vogël toke dhe që bëjnë gati të pamundur përdorimin e mekanikës moderne, duke ulur kësisoj rendimentin dhe eficencën. Sikur të mos mjaftonte, këtij fragmentarizimi i shtohet edhe një situatë e trashëguar kaotike me titujt e pronësisë dhe mjaft probleme e konflikte të tjera. Pronësia mbi tokën në masën më të madhe është pasojë e procesit të privatizimit për frymë gjatë tranzicionit. Kjo situatë e krijuar e marrëdhënieve me pronësinë i ka bërë të vështira krijimin e tregjeve të tokës, kreditimin dhe investimet. Për më tepër, fragmentarizimi ekstrem i parcelave ka sjellë si pasojë të drejtpërdrejtë rritjen e kostove të prodhimit dhe uljen e kompetivitetit dhe të fitimit me ndikim të drejtpërdrejtë në braktisjen e fshatit nga popullsia. Në këto kushte, duke pasur parasysh edhe mbizotërimin e informalitetit dhe mungesën e eficencës së këtyre bërthamave ekonomike familjare, mund të thuhet se është e vështirë të arrihet integrimi i tyre modern në ekonominë kombëtare si edhe arritja e standardeve dhe e cilësisë. Për të përballuar një situatë tillë, me gjithë shtrëngesën buxhetore, mbështetja për zbatimin e skemave mbështetëse është rritur me 70% në krahasim me vitin e kaluar. Kjo tregon qartësisht, krahas të tjerave, edhe për rëndësinë që ka marrë ky sektor në rritjen ekonomike të vendit dhe pozicionin e tij në Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit. Por sundimi i informalitetit në gjithë zinxhirin e prodhimit/grumbullimit/përpunimit të produkteve bujqësore, pengon në mënyrë të drejtpërdrejtë rritjen dhe zhvillimin e sektorit të bujqësisë, duke dekurajuar rritjen e investimeve, kreditimit, shërbimeve të këshillimit dhe duke bërë ineficente edhe ato sisteme ekzistuese të garantimit të cilësisë. Fermat familjare konsumojnë shumicën e prodhimit të tyre dhe shesin vetëm kur kanë mbiprodhim. Përpunimi i produkteve bujqësore në shumicën e rasteve bëhet në kushte shtëpiake, larg standardeve të cilësisë dhe higjienës. Ndërsa cilësia dhe sasia e produktit dëmtohet nga metodat e prodhimit dhe përdorimi i kufizuar i mekanikës, cilësia e dobët e farërave ul prodhimtarinë dhe rrit çmimet, duke cenuar konkurrencën. Shitja e produkteve zakonisht ndodh në tregjet lokale që veprojnë në kushtet e informalitetit dhe jashtë standardeve. Në këtë situatë, është për t’u përshëndetur fakti që skemat mbështetëse janë një përpjekje e qartë për formalizimin e bujqësisë shqiptare. Ky formalizim është një proces i gjatë dhe i vështirë dhe ka të bëjë jo vetëm me masat që duhet të marrë administrata, por duhet edhe një revolucion në ndryshimin e mendësisë së fermerëve. Duhet të bëhet e qartë se formalizimi i veprimtarisë së sektorit të bujqësisë, në radhë të parë është në interesin e prodhuesve dhe të përpunuesve. Nëpërmjet skemave mbështetëse kërkohet dorëzimi i produktit në pikat e grumbullimit. Ky proces, jo vetëm do fusë në skemë këta fermerë, por do sigurojë për ta avantazhe, në sigurimin e kreditimit, përfitimin e granteve, shërbimeve të këshillimit etj. Njëkohësisht përmirësohet aksesi i produktit në tregje, duke siguruar infrastrukturën e nevojshme për grumbullim, ruajtje, përpunim dhe tregtim të produkteve. Ky proces realizon gjithashtu rritjen e garancive për përmirësimin e standardeve dhe cilësisë së produkteve, si edhe përmirësohen sasia dhe cilësia e informacionit bujqësor. Për ta përfunduar, gjykoj se një përpjekje e tillë e mishëruar me zbatimin e skemave mbështetëse, duhet shoqëruar me një punë më të madhe sqaruese, sidomos me fermerët, për të mirat që sjell formalizimi, si edhe me një bashkëpunim më të ngushtë të institucioneve shtetërore që administrojnë elementë të sektorit të bujqësisë.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi