Disa përsiatje mbi “reformën” e skemës së pensioneve

Nga Aleksandër Kocani, botuar në Panorama Online, 19 prill 2014

Këto ditë kam menduar për njoftimin se po përgatitet një reformë në sistemin e pensioneve dhe si informacion detajues jepet që është fjala për të shtuar me dy ose tre vjet moshën e daljes në pension.  Nisur nga fakti që sistemi i pensioneve përbën një sfidë të madhe politike, sociale dhe ekonomike edhe për çdo vend të zhvilluar, më shkoi në mendje që të nxit një debat në këtë rrjet (Facebook).

  Së pari, mendoj se në vendin tonë në përgjithësi keqpërdoret termi “reformë” si në rastin në fjalë. Po t’i referohemi kuptimit etimologjik të termit, kemi të bëjmë me një formësim të ri të diçkaje! Që do të thotë se fjala është për një ndryshim cilësor dhe jo për ndonjë ndryshim thjesht sasior! Reformbërësit e sistemit të pensioneve mendojnë thjesht të shtyjnë kufirin e sipërm aktual të daljes në pension, por ky nuk është riformësim i vetë sistemit, por vetëm rregullim i pjesshëm i tij! Harrohet ose jo, sistemin e kemi krijuar nga modifikimi (dhe jo transformimi apo zëvendësimi me një sistem krejt tjetër!) i sistemit të pensioneve që trashëguam nga regjimi i mëparshëm komunist. Kështu që në themelin e sistemit aktual të pensioneve që kemi janë parimet morale të regjimit që lamë pas. Sipas tyre, u takon jo individëve që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të siguruar ekonomikisht një të ardhme disi dinjitoze me një skemë pensionesh, por institucioneve shtetërore, një frymë kjo etatiste që shtrihet edhe në vendimmarrjen arbitrare për kuotën (dhe ndryshimin e saj) që do t’u mbahet personave të punësuar në funksion të skemës dhe, sidomos, për mënyrën e konceptin e përdorimit të saj në skemë! Në frymën e barazitizmit (në mjerim!) kontributet e dhëna nga persona të punësuar që marrin pagë relativisht më të lartë nuk do t’u kthehen të pacenuara kontribuesve, por një pjesë e tyre do të rishpërndahet në kontribuesit me paga më të ulëta. Konsiderohet kjo si një farë politike sociale! Por politikat sociale legjitime bëhen vetëm me fonde shtetërore, buxhetore në varësi të faktit se sa e zhvilluar është ekonomia e një vendi, dhe jo me fonde që u përkasin individëve! Nëse si parim bazë i një skeme në një shoqëri ku sundon e drejta është që individi në marrëdhënie pune pranon që një pjese të të ardhurave nga shpërblimi për pune që bën, t’i jepet “hua” (pa interes!) institucioneve shoqërore që menaxhojnë skemat e pensionit, atëherë askush nuk ka të drejtë që këtë kontribut t’ia cenojë dhe të mos ia kthejë të plotë personit (ose familjes së tij, kur ai është larguar nga jeta)!!! Ato para që përbëjnë kontributin që ky individ ka dhënë për vite të tëra i përkasin ligjërisht dhe moralisht vetëm atij (ose familjes së tij) dhe askush nuk ka të drejtë t’u japë të tjerëve “tapi” mbi to!!! Këto para janë një pronë private e individit dhe në momentin që ai ka nevojë për to i duhen kthyer të plota, madje me falënderimin që ai i ka vënë ato në dispozicion të skemës së pensioneve pa kërkuar ndonjë përqindje interesi! Aktualisht në skemën tonë të pensioneve (se mos vetëm atje!!!) nuk respektohet kjo pronësi private si në të drejtën e kohës së kthimit të saj sipas dëshirës së pronarit legjitim, ashtu edhe në atë të moscenimit të sasisë së saj apo të arbitraritetit të menaxhimit të saj. Dhe flasim pastaj për “ekonomi të tregut!” dhe për “shtet të së drejtës!” Vetë ideja e kufirit “të sipërm” të daljes në pension në vetvete është kontradiktore me parimet e një shoqërie të së drejtës. Kjo sepse arbitrarisht ajo ndërhyn në një marrëdhënie kontraktuale midis një të punësuari dhe punëdhënësit. Prishja e një kontrate të tillë, që sjell si pasojë largimin nga puna të punësuarit, është një çështje që rregullohet me ligjin përkatës. Nëse të dyja palët e kontratës nuk gjykojnë se janë shkelur klauzolat e saja dhe janë për vazhdimin (ose rinovimin e saj), ç’punë kanë të tjerët që ta kundërshtojnë këtë vullnet duke vendosur një normë absurde të moshës maksimale të daljes me detyrim në pension!!! Kështu që këtu problemi i vërtetë nuk është nëse do mbajtur mosha aktuale e daljes së detyruar në pension, por vetë ideja absurde e futjes së një moshe të tillë që detyron individin të dalë në pension jashtë vullnetit të tij edhe kur është në gjendje të mirë shëndetësore për të punuar!!! Partizanët e kësaj ideje mund të kundërshtojnë se nëpërmjet asaj krijohet mundësia që brezat e rinj të punësohen! Por në SHBA veprohet ndryshe dhe, sipas mendimit tim, në përputhje me parimet e ekonomisë së tregut dhe të shoqërisë së të drejtës! Atje nuk detyrohen individët e moshuar që të dalin në pension, por e shikojnë pensionimin si një çështje midis tyre dhe punëdhënësve përkatës. Kjo sepse kështu zbatohen parimet morale të një shoqërie të së drejtës, por edhe sepse shoqëria ka përfitim më të madh nga puna e individëve që kanë një përvojë të madhe, se sa nga ajo e punonjësve pa përvojë. Në SHBA ndiqen politika të hapjes së vendeve të reja të punës, dhe jo të lirimit të tyre nëpërmjet pensionimit të punonjësve më të moshuar! Këto politika kanë në bazë një skemë “spiraloidale” dhe jo “ciklike”, skemë që realisht zgjeron numrin e të punësuarve dhe kështu rrit progresivisht edhe sasinë e kontributeve që hyjnë në skemën e pensioneve.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi