Përse gënjehen njerëzit nga politika (I)

Nga Prof. Ylli Pango, botuar në Mapo Online, 12 prill 2014

Mjaft gënjeshtra të politikanëve dëgjohen, besohen, më pas vërtetohen si të tilla e përfundimisht kalojnë pa asnjë pasojë për ta. Nuk flitet për ndëshkim, as për ekzekutim politik, madje as edhe vetëm për mosbesim a humbje besueshmërie për ta. Nuk flitet për këto, madje edhe kur vetë ata pohojnë nganjëherë që fjalimi a premtimi i tyre (i thënë publikisht) nuk ishte as i vërtetë e as i bazuar në fakte. Flitet minimalisht, qoftë edhe për një rënie a dëmtim imazhi që do të kishte njëfarë ndikimi në karrierën politike të politikanit. E megjithatë nuk ndodh kështu. Njerëzit vazhdojnë të besojnë te politika e politikanët, edhe kur gënjejnë a provohet se gënjejnë, t’i votojnë ata, të udhëhiqen prej tyre. Në këtë aspekt është interesant të studiohet si dhe pse gënjehet njeriu i thjeshtë, a së paku si mësohet ai me gënjeshtrën e politikanit, dhe ky mbi bazën e kësaj vazhdon me të njëjtin stil. Përse gjithnjë kalohet situata dhe politikanët mësohen, edhe kur nuk e kanë nisur karrierën politike me gënjeshtra, ta bëjnë këtë kaq shpesh më vonë. Cilat janë çështjet etike që heshturazi, nuk janë pjesë e strategjive të përdorura nga liderët politikë e politikanët në përgjithësi duke ia lënë vendin mashtrimit e që i bëjnë njerëzit të besojnë? Pra, si arrijnë shumë prej tyre të gënjejnë, nganjëherë edhe rëndshëm fare, e të vazhdojnë pas kësaj, pa pasoja karrierën politike, ndonëse vazhdojnë të gënjejnë?

Së pari duhet pasur parasysh se vetë njerëzit janë të prirur të besojnë shumë. Madje njerëzit janë shpesh të paaftë të kuptojnë a zbulojnë gënjeshtrën e më pas qoftë edhe thellë në vetvete zhgënjimin soje. Shumica e njerëzve nuk arrin t’i  kuptojë a zbulojë gënjeshtrat e përditshme, e sidomos ato mediatike të servirura nga politika, veçse po të qëllojë, pra jo shpesh, rastësisht që të shpërthejë ndonjë skandal i madh politik si pasojë a të ketë një denoncim të guximshëm prej njerëzish që rrallë shfaqen, sidomos në demokracitë ende në shpërgënj si jona. Dhe sado që të gjitha sa thamë, lidhur me paaftësinë e njerëzve për të kapur gënjeshtrën, janë të vërtetuara edhe nëpërmjet testimesh, në të vërtetë shumica e njerëzve mendojnë se munden ta pikasin gënjeshtrën dhe madje mburren se atyre nuk jua hedh dot njeri. Kjo vjen edhe për arsyen e thjeshtë të vështirësisë së identifikimit “në vend”, a menjëherë të gënjeshtrës, sidomos asaj të madhe politike, e cila madje, kur kalon mjaft kohë, harrohet si e tillë, si premtim, si mosrealizim a mashtrim elektoral. Në një aspekt tjetër thjesht psikologjik, që ka të bëjë me psikologjinë njerëzore, shumica e njerëzve janë të prirur, “by default”, të jenë besues ndaj “dredhive, njëanshmërive”. Kjo sepse njerëzit përgjithësisht besojnë atë që thonë të tjerët. E para, sepse njeriu priret të bëjë më të lehtën, ndërkohë që verifikimi, mosbesimi, të menduarit kritik për atë që të thuhet a premtohet janë më të komplikuar, më të vështirë, a të kërkojnë edhe të jesh më “kreativ” nëse mund të thuhet kështu; kurse besimi e sidomos ai i verbër e pa mundim, është më i thjeshtë e më pak lodhës.

Së dyti, edhe sepse të verifikosh, edhe nëse je i prirur a ke njëfarë aftësie ta bësh një gjë të tillë, kërkon prova, kohë, fakte, pra punë, gjë që njeriu i thjeshtë, sidomos në fushë të politikës, pra të inteligjencës spekulative, që e karakterizon politikën e politikanin, është më pak, a thuaj aspak i talentuar, sidomos në raport me politikanin që e ka këtë prirje, dhunti, a aftësi të fituar. Është kjo arsyeja që artistët e politikës, ashtu si artistët e kinematografisë janë aq të suksesshëm. Njeriu i thjeshtë veç këtyre, tenton të besojë spekulantin, të aftin në fjalë e gojëtari, të shkathëtin, atë që tenton t’i ngjajë, por nuk e arrin dot. Hollywood-i quhet me ironi nga amerikanët e thjeshtë, “industria e ëndrrave” por megjithëkëtë, të gjithë e pëlqejnë dhe e admirojnë filmin, lënë kokën për të dhe celebrities e filmit, janë ndër më të adhuruarit. Paralelizmi me politikanin e suksesshëm, sado gënjeshtar, këtu është më se i qartë.

Por ka edhe një besim a “ngrënie të gënjeshtrës”, që lidhet me dëshirën për t’u pëlqyer nga politikani, për t’u bërë i afërt me të e për të përfituar nga favoret e tij. Në këtë rast, të gënjyerit e vetes, është i vullnetshëm, madje “i gënjyeri” mund të bëhet pjesë e strategjisë gënjyese të politikanit apo e stafit të tij të fabrikimit të rrenave dhe ndjekës i tij me besim herë të plotë e herë të pjesshëm në ato që thotë politikani.

Ndonëse gënjeshtra konsiderohet pothuaj në të gjitha shoqëritë e globit, si ves jo aq i rëndë, megjithëse jashtë normave morale, njerëzit e falin më lehtë atë se mjaft vese të tjera ndonëse prej saj mund të derivojnë mjaft vese e pasoja të tjera negative për njerëzit e gënjyer. Megjithëkëtë e megjithë përvojën e gjatë të gënjeshtrës në politikë, njerëzit janë ende më shumë besues se sa mosbesues ndaj liderëve a politikanëve të krahut që besojnë a mbështesin. Kjo edhe për arsye interesash, por edhe sepse njeriu beson atë që i pëlqen të besojë. Këtu natyrisht bëjnë përjashtim vetëm njerëzit që kanë një formim më solid në politikë, por edhe në lëmë të kulturës së përgjithshme, e sidomos, nëse zhvillojmë një mosbesim të mësuar, a mbi bazë përvoje karshi politikanëve. Ka pra edhe njerëz që nuk i besojnë politikanët, por shumica akoma i beson. Mbi bazën e kësaj politikanët mësojnë se mund të gënjejnë pa pasoja, iu bëhet kjo zakon a për më së shumti domosdoshmëri funksionimi, modus vivendi, dhe gënjeshtra bëhet pjesë e pandarë e jetës së tyre politike e më tej edhe asaj të përditshme.

Ka ndër të tjera dhe kushte të caktuara në të cilat gënjeshtra e politikanit mund të besohet më lehtë apo më me vështirësi. Dihet për shembull, sado paradoksale të duket në pamje të pare, se kur gënjeshtra është e madhe e guximshme, e pacipë, ajo besohet më lehtë. Njerëzit në këso rastesh mendojnë se “do të ishte e pamundur të gënjehej kaq shumë, dhe sigurisht këtu ka një të vërtetë apo së paku një pjesë të saj”. Dhe përsëri del në pah natyra besuese njerëzore. Hitleri e njihte këtë psikologji njerëzore, dhe e kishte këtë lloj gënjeshtre të madhe moto të politikës së vet. Ai ishte i bindur se gënjeshtra e madhe besohet më lehtë. Ai e përdorte këtë lloj gënjeshtre sidomos për asgjësimin e kundërshtarit politik (kujtoni sajimin për djegien e Reichshtagut), Natën e thikave të gjata kundër Ernst Remit, por edhe në premtimet fantazmagorike për të ardhmen, fitoren, supremacinë botërore, që i bënte popullit gjerman, aq sa arriti t’i ekzaltonte njerëzit deri aty sa të hidheshin me besim të verbër në aventura që së fundmi u morën edhe jetën milionave.                                                                                                                    

Përtacia konjitive është fenomeni që shfaqet kur njerëzit dëgjojnë një premtim, në dukje gënjeshtër, një diçka nga një politikan dhe e besojnë pa e verifikuar atë, edhe sepse shpesh nuk duan të angazhohen në përpjekje mendore ose fizike për të kontrolluar vërtetësinë e fakteve lidhur me atë që iu thuhet, apo u duket mundim të fillojnë të vrasin mendjen për të vënë në diskutim pohimin. Ekziston edhe një lloj shprehje apo të menduar i pashprehur apatik i tipit “Nëse politikanët i kemi zgjedhur të na udhëheqin, le ta ngasin ata makinën, ata e dinë më mirë ku po na çojnë”.

Shpesh gënjeshtra justifikohet me mungesën e etikës së politikanit apo me disa slogane etike të tipit “Qëllimi justifikon mjetin” që vënë në dukje problemet etike të politikës. Në këtë aspekt mund të thuhet se në përgjithësi, politikanët, shpesh kanë një kod të varfër etik që sigurisht e përfshin gënjeshtrën brenda tij, mjafton që ajo të ndihmojë për arritjen e qëllimit, pushtetit, zgjedhjes në parlament, fitimit. Kjo është sidomos tipike për politikën e quajtur ‘politika e pisët’. Këtu gënjeshtra fillon e përpunohet a hidhet në tregun mediatik e politik, së pari për kundërshtarin, për të cilin, a kundër të cilit mund të përdoret çdo gjë, çdo mjet, gënjeshtër a mashtrim deri në shpifje a sajesë nga hiçi. Nëse trukohet një gënjeshtër për kundërshtarin, kjo konsiderohet e natyrshme, e zakonshme, me vlerë, sepse nëse ai do të zgjidhet a do të jetë në pushtet, kjo do të jetë humbje, disfatë, pra mënxyrë për ekipin politik ku politikani bën pjesë.

Për të gjithë arsyet e mësipërme, e për të tjera, në demokracitë qofshin ato të konsoliduara, por sidomos në ato në zhvillim, autoriteti, pushteti, politika,duhen kontrolluar gjithnjë. Demokracia është reale e funksionale e rreziku i pushteteve korruptive, mashtruese e në ekstrem i diktaturave mund të mënjanohet vetëm nëse qytetari është e kupton se duhet të jetë i informuar. Duhet të kontrollojë faktet. Kurrë nuk duhet të besojë çfarë thotë politikani a lideri pa e verifikuar, sidomos për faktin se politikani është në pozicionin e autoritetit e të pushtetit dhe i intereson të mbetet atje sa më gjatë për interesat e veta e për privilegjet që gëzon. Por, edhe pasuesit vetë, në politikë, nëse janë të një niveli më të lartë moral, mund e duhet ta kontrollojnë gjithnjë liderin politik, i cili ndër politikanët e të gjithë niveleve është i prirur të gënjejë më shumë, a të organizojë gënjeshtrën e madhe, për vetë pozicionin më suprem, më të privilegjuar e më të pakontrolluar që zotëron, dhe përgjegjësinë që ka për t’i dhënë fitoren ekipit që drejton e për ta mbajtur atë sa më gjatë në pushtet.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi