Mbi përgjegjësitë e munguara

Nga Afrim Krasniqi, botuar në Shqiptarja.com, 10 prill 2014

Presidenti i Republikës ka shpërndarë dje në media një koment politik, diçka e rrallë në traditën presidenciale shqiptare dhe evropiane. Zakonisht Presidentwt shkruajnë komente për tema të mëdha, ngjarje të mëdha, në përpjekje për të lënë gjurmë dhe për të ndikuar në një hapësirë të gjerë të jetës publike e institucionale. Në rastin tonë mesazhi presidencial vjen si material konsumi ditor, duke bashkuar në një dy pjesë: një pjesë me kakofoni teorike mbi demokracinë, bashkim citatesh nga libra dhe thënie të njohura, dhe e dyta si një përgjigje “shqiptare” ndaj kritikave të ardhura nga qeveria ose letrave të Ministrit të Brendshëm.

Nëse në pjesën e parë analiza teorike vuan shumë nga struktura amorfe dhe bashkimi pa sens i citateve, duke arritur deri atje sa p.sh, një fenomen kritik i pranishëm në masë të ndryshme në çdo shoqëri demokratike, si “mosmarrja e përgjegjësive” të cilësohet fatale, biletë për në humnerë apo deri edhe rrëshqitje në diktaturë.

Pavarësisht formës së zgjedhur, nuk janë anashkalimet e dukshme të rregullave të drejtshkrimit të gjuhës shqipe, bashkimi mekanik i citateve të huazuara dhe përkthyera keq apo kalimi nga apeli për përgjegjësi tek pjesa e parë tek vënia e kësaj përgjegjësie në dyshim vetë përmes cilësimeve e koncepteve joinstitucionale të dominuara në pjesën e dytë të mesazhit presidencial, ato që tërheqin vëmendjen kryesore; thelbi është shqetësimi që e shtyn Presidentin të flasë, pasojat në jetën institucionale dhe rrugëzgjidhja afatgjatë. Kjo analizë merr vlerë edhe për faktin se në morinë e problemeve që ne kemi, një konflikt luksi midis institucioneve kryesore kushtetuese, është sa i pavend, aq i dëmshëm sa edhe i evitueshëm.

Presidenti është dukshëm i pakënaqur me kritikat që i vijnë nga qeveria dhe Ministri i Brendshëm dhe të paktën, në rastin e letrave publike, ai ka të drejtë. Sipas ligjit, monopoli i propozimeve disiplinore në gjyqësor merret nga Ministri i Drejtësisë, ndaj përpara se ta kërkojë këtë gjë tek Presidenti, Ministri i Brendshëm duhet p.sh, t’i adresojë shqetësimit kolegut të tij në qeveri. Edhe klima arrogante në komunikimin ekzekutiv me presidentin, përfshirë nismat e njëanshme për kufizim me ligj të kompetencave apo etiketim publik të tij, janë tregues kritikë, negativë dhe dëshmojnë brishtësi të kulturës politike e shtetërore shqiptare.

Ajo që e bën edhe më kritike situatën nuk është gabimi i njërës palë, por mentaliteti i njëjtë edhe tek pala tjetër. Vetë Presidenti flet me të njëjtën logjikë arrogante, preferon fajësimin kolektiv të njërës palë politike, bën përgjegjës për gjendjen e sigurisë vetëm Ministrin (kur ai këshillon në mesazh se një individ nuk mund të jetë përgjegjës për një fenomen në sistem), i ikën çdo përgjegjësie institucionale edhe pse e shikon mosmarrjen e përgjegjësive si kërcënimin më të madh për shtetin dhe lirinë.

Presidenti është dukshëm i pakënaqur edhe me kritikat e pritshmëritë që publiku, politika dhe media kanë ndaj sistemit gjyqësor në vend, dhe të paktën, në këtë rast, ai, duke vetë-identifikuar vetën ashtu siç nuk dëshiron ta identifikojnë, avokat i gjyqësorit, ka arritur në konkluzione të njëanshme. Kritikat më të ashpra sistemit gjyqësor nuk i vijnë nga politika e ditës, media apo letrat institucionale, por nga raportet ndërkombëtare, qytetarët dhe vetë ekspertët e drejtësisë, përfshirë ekspertët e huaj.

Që reformimi i sistemit gjyqësor është jetik e tha së fundi edhe BE, dhe e thonë çdo ditë qytetarët, pavarësisht se zëri i tyre nuk dëgjohet as nga ata që po merren së fundi me letërkëmbime publike. Madje disa muaj më parë vetë kreu i shtetit ka qenë shumë më kritik ndaj sistemit gjyqësor sesa vetë mazhoranca e sotme. Alibia se kritikat janë negative, mosrespektimi i çdo vendimi të drejtësisë është shumë më negative apo se politika nuk ka punë me drejtësinë, – sa emocionale dhe e brishtë në koncept, ka një vlerë, – sepse shpreh një reflektim të dukshëm në konceptin presidencial mbi drejtësinë.

P.sh, nëse hapen arkivat e 6-7 viteve më parë kur presidenti ishte ministër e politikan, akuzat e retorika e motivuar partiake ndaj presidentit të atëhershëm ishin shumë më të avancuara dhe absurd (p.sh, akuza e përfshirjes në trafik ndërkombëtar të drogës!!) sesa retorika populiste e mazhorancës aktuale ndaj kreut të shtetit. Evoluimi është pozitiv, si është pozitiv thirrja e Presidentit që të bashkojë vullnetin e tij me vullnetin e mazhorancës dhe parlamentit për reforma serioze në çështjet e drejtësisë.

Fakti është publik: secila palë u ka ikur përgjegjësive të veta publike e kushtetuese, dhe se për interesa afatshkurtra politike nuk ka bashkëjetesë të moderuar dhe as sjellje serioze institucionale midis mazhorancës dhe presidentit, – një traditë që vijon prej më se një dekade dhe që ndikon në dobësimin e dy aktorëve të përfshirë në debat apo konflikt. Mazhoranca sheh tek Presidenti një kundërshtar politik, dhe anasjelltas, Presidenti sheh tek mazhoranca një kundërshtar politik. Një qëndrim i gabuar nga dy anët, – sepse mazhoranca gabon kur konteston gjithçka që nuk është politikisht e saj, sepse Presidenti gabon kur nuk gjykon mbi palët, dhe në mënyrë të balancuar ndaj dy ose më shumë palëve, të cilat praktikisht kanë pasur qëndrime të njëjta kontestuese dhe selektive ndaj gjyqësorit dhe institucioneve të tjera kushtetuese.

Cila mbetet zgjidhja? Bashkëjetesa e kushtëzuar? Kjo nuk është zgjedhje, është detyrim. A është zgjidhje reflektimi i dy palëve, – mazhoranca për të ndaluar çdo nismë kufizuese ndaj kompetencave presidenciale dhe duke ndarë me të shqetësimet e saj, Presidenti duke hequr dorë nga logjika joinstitucionale e etiketimit në bllok apo ligjërimit denigrues politik ndaj mazhorancës dhe duke dëgjuar me racionalitet pretendimet e saj? A nuk është koha që institucionet të mos komunikojnë përmes medias?

Njëherësh, a është garanci për shtetin e demokracinë respektimi formal i institucioneve, mandateve dhe përbërjes së tyre, të pavotuar nga qytetarët, duke injoruar bilancin e punës së tyre, detyrimin e tyre për transparencë, kontroll dhe sjellje funksionale, pra mosmarrjen dhe moszbatimin e përgjegjësive të tyre në demokraci? A ofron zgjidhje këshilla që Presidenti (i cili ka thënë publikisht se kërkon mandat të dytë pa konsumuar ende gjysmën e mandatit të parë) të kërkojë publikisht ndryshime kushtetuese për zgjedhjen direkte të Presidentit nga qytetarët?

A nuk do të ishte vota popullore votë reflektimi mbi programet, premtimet, integritetin dhe bilancin e përgjegjësive në demokraci prej atyre që aspirojnë kreun e shtetit? A nuk flasin secili në emër të qytetarëve, duke u mohuar de facto konsensualisht qytetarëve të zgjedhin Presidentin e tyre, dhe bashkë me të edhe sistemin e dëshiruar cilësor qeverisës?

Zgjidhje ka dhe zgjidhje mund të kërkohen, mjafton të ketë vullnet, vizion dhe largpamësi. Diçka që dukshëm mungon. Derisa zgjidhja të vijë, Shqipëria ka nevojë për shtet funksional dhe serioz, për President, parlament, qeveri dhe institucione që shohin tej hijes së tyre, që mendojnë e punojnë për qytetarët pastaj për veten, që kalkulojnë për interesat qytetare pastaj për interesat e tyre, që kanë sens mase dhe modestie, – tipare integriteti, përgjegjësie dhe lidershipi, të cila fatkeqësisht nuk e gjejmë dje as sot as në ligjërimin arrogant qeveritar dhe as në përgjigjen arrogante presidenciale.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi