Cenimi me ligj i së drejtës së KLSH për informacion do të ishte regres

Nga Bujar Leskaj, Kryetar i KLSH, botuar në Shqiptarja.com, 6 prill 2014

Projektligji i ri për KLSH ka ardhur si kërkesë e kohës për të modernizuar auditimin e jashtëm publik në Shqipëri, por edhe si plotësim i rekomandimeve të Komisionit Evropian në Progres Raportet e tij për Shqipërinë në vitet e fundit, duke filluar nga viti 2008 e deri në vitin 2013. Projektligji bazohet plotësisht në standardet ndërkombëtare INTOSAI, përkatësisht në Deklaratën e Limës (Nenet 5, 6, 7, 10, 11 dhe 20) dhe në Deklaratën e Meksikës (Parimet 3, 4 dhe 8) për pavarësinë e institucioneve të auditimit të jashtëm publik.

Nëse ai miratohet nga Kuvendi sipas draftit të paraqitur nga KLSH dhe të rënë dakord me Drejtorinë e Përgjithshme të Buxhetit (DG-Budget) të BE-së dhe me programin SIGMA të BE dhe OECD-së, ligji rregullon përfundimisht pavarësinë e institucionit dhe konceptimin modern të të drejtave dhe detyrave të KLSH. Kjo nismë ligjore sjell pavarësi të plotë të institucionit, si simotrat evropiane, rritjen e nivelit të zbatimit të rekomandimeve të institucionit, saktësimin e së drejtës së KLSH për të audituar fondet e akorduara nga BE-ja për Shqipërinë, deri te përfituesi përfundimtar, përcaktimin e së drejtës për të nxjerrë opinion mbi llogaritë financiare të institucionit të audituar, si dhe çertifikimin e vetë audituesve.

Duke qenë të gjithë të ndërgjegjshëm se me një ligj të ri modern dhe evropian për KLSH, ndihmojmë vendin në rrugën e tij të integrimit në BE, jam i bindur se asnjë nga deputetët e Kuvendit të Shqipërisë nuk do të donte ta shmangte këtë ligj nga standardet ndërkombëtare INTOSAI, duke e bërë të papranueshëm për Komisionin Evropian, si dhe për të gjithë EUROSAI-n, komunitetin e SAI-ve(KLSH-ve) evropiane. Ecuria e deritanishme e konsultimeve në Kuvend për projektligjin ka qenë shumë e mirë. Mirëpo, në diskutimet në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave dhe në prezantimin e projektligjit në Komisionin e Ligjeve në javët e shkuara (dua me këtë rast të falënderoj të gjithë deputetët e Komisioneve për qëndrimin e tyre konstruktiv dhe mirëdashës ndaj KLSH), ndërsa deputetët ishin të kthjellët për pavarësinë financiare dhe pati një prekje të lehtë të pavarësisë organizative të institucionit, e drejta e KLSH për qasje të pakufizuar në informacion u prek rëndë. Për të qenë të sinqertë, kufizohet e drejta e KLSH për të mbledhur çdo informacion të nevojshëm, me qëllimin “jo të mirë” për të ruajtur tatimet dhe administratën tatimore. Nëse këto cenime do të ruhen deri në variantin përfundimtar, gjykoj do të ishte më mirë të mbanim ende në fuqi ligjin e vjetër të vitit 1997, i cili të paktën të drejtën për akses në informacion të KLSH-së nuk e kufizon, dhe e ruan të paprekur pavarësinë e tij organizative.

Duhet të kuptojmë të gjithë se ky projektligj bëhet shumë lehtë i papranueshëm, jo vetëm për ne, por edhe për Bashkimin Evropian dhe të gjithë komunitetin e institucioneve të auditimit të jashtëm publik, në rast se cënohet pavarësia e institucionit. Në rast se cënohet e drejta e tij për të marrë informacion dhe pavarësia organizative. Kjo e drejtë dhe kjo pavarësi, e sanksionuar në Deklaratën e Limës(e konsideruar Kushtetuta e institucioneve të auditimit të jashtëm publik) dhe në Deklaratën e Meksikos, por edhe në Direktivat e Këshillit të Evropës të viteve 2006 dhe 2008, për auditimin statutor, është e shenjtë për SAI-t(KLSH-të) e zhvilluara evropiane dhe kudo në botë. Ajo ka shtyrë Organizatën e Kombeve të Bashkuara në 22 dhjetor 2011 të miratojë Rezolutën A/66/442 mbi Pavarësinë e Institucioneve të Auditimit të Jashtëm Publik (SAI), duke njohur se “Institucionet e auditimit të jashtëm publik mund të kryejnë detyrat e tyre objektivisht dhe në mënyrë efektive, vetëm nëse ato janë të pavarura dhe janë të mbrojtura nga ndikimi i jashtëm”.

Kjo Rezolutë i angazhon të gjitha Parlamentet e vendeve anëtare të punojnë për ruajtjen dhe forcimin e pavarësisë së SAI-ve. Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Mun, në përshëndetjen e tij drejtuar Kongresit të XXI-të të INTOSAI, të mbajtur në Pekin më 22 tetor 2013, ka theksuar se:” Institucionet supreme të auditimit janë “watchdog”, roje besnike që ndihmojnë për të nxitur përdorimin efikas dhe efektiv të burimeve publike. Duke ruajtur te plote pavaresine e tyre, ato do të luajnë një rol kritik në mbështetje të zbatimit të axhendës së re të Kombeve të Bashkuara për zhvillim të qëndrueshëm, që mbështetet mbi qeverisjen e mirë, transparencën, përgjegjshmërinë dhe financat inovative”.

Ne si KLSH, gjykojmë se kërkesa për të kufizuar të drejtën tonë për informacion është një keqkuptim. Si institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik dhe financiar në vend, ne gëzojmë me Kushtetutë të drejtën për të audituar mënyrën se si vilen të ardhurat publike dhe si kryhen shpenzimet. Dihet nga të gjithë, edhe nga nxënësit e shkollave të mesme, se Buxheti i Shtetit ka dy kolona kryesore, të ardhurat dhe shpenzimet. Zëri kryesor i të ardhurave buxhetore janë të ardhurat e siguruara nga administrata tatimore. Është e paimagjinueshme të kërkohet të pengohet auditimi i mënyrës se si vilen të ardhurat tatimore, duke i kufizuar KLSH-së qasjen në informacionin e organeve tatimore. Ne kërkojmë të auditojmë vlerësimin tatimor, i cili kryhet nga administrata tatimore, dhe nuk kërkojmë të auditojmë  vetëdëklarimin tatimor, i cili kryhet nga tatimpaguesit privatë. Në diskutimet në Komisionet e Kuvendit, deputetëve të nderuar ju kam bërë pyetjen: Nëse nuk do ta auditojë KLSH administratën tatimore për veprimtarinë e saj, për vlerësimin tatimor, atëhere kush do ta auditojë këtë administrim për mbledhjen e të ardhurave tatimore, aq shumë të rëndësishëm për Buxhetin e Shtetit? Apo do të qëndroje si “lulja mos më prek”?! Nëse po, përse?

Kështu si ne, gjykon edhe Bashkimi Evropian dhe SIGMA. Në letrën e tij të datës 28 mars 2014, drejtuar KLSH, z. Robert Gielisse, Drejtor i Njësisë së Kontrollit të Brendshëm Publik në Drejtorinë e Përgjithshme të Buxhetit (DG-Budget) në Komisionin Evropian, thekson se “Ne jemi të mendimit se, duke kufizuar qasjen e pakufizuar ne informacion te KLSH-se, sikurse është propozuar tani, do të shkohet në mënyrë të qartë kundër standardeve ndërkombëtare, në çështjen e informacionit të mbajtur nga autoritetet tatimore”. Në letrën e tij dërguar KLSH më 1 prill 2014, z. Joop Vrolijk, Këshilltar i Lartë i Programit SIGMA të BE-së dhe OECD-së për mbështetje në qeverisje dhe menaxhim, shprehet se “Ligji i ri do të jetë në perputhje me Standardet Nderkombetare të Institucioneve Supreme të Auditimit. Parime të rëndësishme, të tilla si pavaresia funksionale, operacionale dhe administrative e KLSH, një mandat i gjerë, duke përfshirë auditimin e të gjitha shpenzimeve dhe të ardhurave të organizatave të caktuara të sektorit publik, si dhe qasja në informacionin e këtyre organizatave, janë të garantuara. Ne presim që karakteri plotësisht në përputhje me INTOSAI-n i draftit të ri të Ligjit të KLSH me amendimet, nuk do të rrezikohet nga kufizime në këto parime”.

INTOSAI, organizata botërore e institucioneve të auditimit të jashtëm publik, është e qartë dhe kategorike në mbrojtjen e pavarësisë së plotë të SAI-ve(KLSH-ve). Sikurse e ka theksuar Dr. Josef Moser, Sekretari i Përgjithshëm i INTOSAI-t, i organizatës ndërkombëtare të institucioneve të auditimit të jashtëm publik, në Simpoziumin e përbashkët OKB-INTOSAI, të zhvilluar në Vjenë në mars 2013, “Pavarësia e një institucioni të auditimit të jashtëm publik nënkupton ruajtjen e plotë të pavarësisë financiare, organizative dhe vepruese të tij, si kushte “sine kua non” të ekzistencës dhe dobishmërisë së tyre për qytetarët”.

Pavarësisht debatit për çështjen e aksesit në informacion të KLSH dhe pavarësisë organizative të tij, apo edhe batutave reciproke, dua sërisht të falenderoj deputetët e Kuvendit, si të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, dhe atij të Ligjeve, për qëndrimin e tyre konstruktiv deri tani. Shpreh bindjen se projektligji i ri do të miratohet në Kuvend, i mbështetur plotësisht në Kushtetutën e vendit dhe në standardet ndërkombëtare të auditimit, veçanërisht në Deklaratat e Limës dhe Meksikos.

Në vend të mbylljes, dua të sjell në vëmendjen e opinionit tonë publik sigurinë e qasjes së pakufizuar në informacion të audituesve statutore(audituesve të Bashkimit Evropian, si Gjykatës Evropiane të Audituesve në Luksemburg, ashtu dhe institucioneve supreme të auditimit të shteteve anëtare të BE-së), të dhënë nga Direktiva të veçanta të Këshillit të Evropës

Projektligji ynë duhet të shërbejë si një hap përpara për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian(këtë këndvështrim do ta shtjelloj, së bashku me direktivat e BE-së, në prezantimin e projektligjit në Komisionin e Integrimit të Kuvendit, dhe më tej në një shkrim tjetër në media). Ai nuk duhet kurrsesi të jetë një regres në të drejtën kushtetuese të KLSH për auditim dhe informacion për realizimin e auditimeve, me qëllimin jo të mirë për të ruajtur disa institucione të paprekura nga auditimi i jashtëm publik, pra për të dëmtuar transparencën, llogaridhëniën dhe kontributin për mirëqeverisje.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi