Ben Blushi: Shqipëria në 100 vjet, pabarazi dhe parti fetare

Prezantimi i librit të ri të Ben Blushit, titulluar “Hëna e Shqipërisë”, ishte organizuar krejt ndryshe kësaj radhe. “Një rikthim në origjinë” e quajti botuesi i UET-Press, Henri Çili, takimin e djeshëm në librarinë “Albania” mes gazetarësh të ftuar nga Shqipëria dhe Kosova, duke iu referuar profesionit të dikurshëm të Ben Blushit dhe atij vetë, gazetarisë. E kur e di se ndodhesh mes gazetarësh, biseda merr formën e pyetje-përgjigjeve.  

Libri juaj “Hëna e Shqipërisë” sapo ka dalë në libraritë e kryeqytetit. Çfarë është ky libër për ata që ende s’e kanë lexuar?

Shkurt do të them se çfarë nuk është ky libër. Nuk është një libër artistik, nuk është profeci dhe besoj të mos jem gabim. Jam i sigurt se këto tri cilësi i ka në mungesë.

Ky tekst, i cili me shkak është realisht i shkurtër, besoj se mund të ishte një tekst më i gjatë, se Shqipëria e meriton të ketë një tekst shumë të gjatë për këto tema sigurisht, por se besoj një tekst më elegant, më i lehtë është më i asimilueshëm për një masë më të madhe njerëzish. Besoj se ky tekst është i thjeshtë për t’u lexuar dhe për t’u shijuar ndoshta. Në përgjithësi ky libër përpiqet të bëjë një parashikim, duke marrë parasysh Shqipërinë sot dhe Shqipërinë në të shkuarën. Diku e them se ka vetëm një mundësi për të bërë një parashikim të vogël për atë që në pret, ka vetëm një mundësi të lexosh të shkuarën dhe të tashmen. Duke lexuar të shkuarën e Shqipërisë në 100 vjetët e fundit, duke lexuar të tashmen, ndoshta është pak më e lehtë të lexojmë të ardhmen, sigurisht duke parë kontekstin politik ku jetojmë, Europën, rajonin, botën në përgjithësi. Për fat të mirë sot nuk jemi të izoluar, ato që ndodhin edhe larg në Krime, apo në Lindjen e largët apo në Amerikën Latine, sëmundjet, epidemitë, fenomenet shoqërore, kulturore, teknologjike etj., janë gjëra që na prekin. Jetojmë ndoshta në rajonin më interesant të botës, i cili për vite e vite sidomos këto të fundit ka prodhuar aq shumë fe, kulturë, politikë, akoma konfliktet më të mëdha të botës janë në Mesdhe ku jemi dhe ne, kam parasysh Sirinë apo Izraelin, Palestinën, kam parasysh Evropën në përgjithësi. Pra gjithë këto fenomene në të ardhmen e afërt apo të mesme padyshim që do na prekin. Unë jam përpjekur që të bëj një udhëtim në të ardhmen duke u përpjekur ta ndaj me të tjerët dhe kjo ishte kënaqësi personale.

Ju flisni për një Shqipëri, ku në të ardhmen mendoni se do të thellohet pabarazia sociale. Ju militoni në grupin politik, i cili ka fituar zgjedhjet me premtime ndaj të varfërve, ndaj shtresës së 1 milionë të papunëve. Shikoni një kontrast me këtë?

Unë kur shkruaj nuk harroj se jam socialist, pavarësisht ngasjes për ta lidhur shkrimtarin me politikanin. Si politikan kam pikëpamje që nuk lidhen me artin e të shkruarit.

Mendoj se tri janë qëllimet që Shqipëria ka përpara në 20 apo 30 vitet e ardhshme; Bashkimi me Europën,  Bashkimi me Kosovën dhe zbutja e pabarazisë.

Bashkimi me Europën jam e bindur që do të ndodhë, çështja është me çfarë kostosh do të ndodhë për ne. Pyetja tjetër, pse u vonua kaq shumë? Kush janë këto procese të brendshme që vetëm na shtyjnë, ndërkohë po paguajmë një kosto më të lartë se gjithë vendet e tjera? Në anën tjetër, unë them se procesi i Bashkimit me Europën nuk është një proces i lehtë. Ne nuk jemi aq afër sa ç’duhej të ishim, natyrisht jemi më afër se kurrë në histori.

Së dyti, Bashkimi me Kosovën. Për mua është një qëllim i madh. Nesër do ishte mirë të ishim bashkë me Kosovën si shtet më i madh, shumë më i organizuar, treg më i madh, me një kulturë kombëtare të konsoliduar etj. Natyrisht ky është një proces. Në libër them sesi do avancojë Shqipëria me Kosovën në të ardhmen. Janë dy modele që shkojnë krah për krah, po zhvillohen njësoj politikisht, ekonomikisht, pavarësisht se përbëhen nga i njëjti popull, flasin të njëjtën gjuhë. Nëse këto dy shtete nuk ecin paralelisht në aspektin e zhvillimit, demokracisë, kulturës etj, bashkimi i të dyjave do jetë një proces jo i lehtë për të ardhmen, duke marrë parasysh dhe konjukturat ndërkombëtare, çka nuk besoj se do jetë gjithmonë e favorshme.

Ndërsa pabarazia, për mua po kthehet në një problem kombëtar. Pabarazia mes njerëzve, mes shtresave, mes gjeneratave dhe mes territorit. Por pabarazia mes njerëzve është edhe më e theksuar.

Ju thoni në librin tuaj: Fetë janë një trashëgimi kulturore më shumë se një trashëgimi materiale. Ato janë histori, janë gjeografi, por nuk janë ekonomi dhe aq më pak, mënyrë jetese. Mendoj se ka shumë besimtarë të cilët mendojnë të kundërtën se feja në gjenezën e vet është mënyrë të jetuari…

Është e vërtetë. Pikërisht këtë them dhe unë, që kështu është menduar për 2000 vjet, por s’duhet të jetë më kështu. Unë flas për defetarizim. Sot ka shumë nuanca të forta dhe theks fetar, siç po e shohim në Turqi që nuk është shumë larg nesh, siç po e shohim në Shqipëri ditët e fundit. Ka në shoqëri një tendencë për një fetarizim të theksuar. Unë them që duhet të shkojmë përpara duke e relativizuar, duke qenë më pak peng të feve.

Po si?

Nuk besoj se ka formulë. Bota ka vuajtur nga fetë, siç ka patur dhe shumë të mira prej saj, sepse feja ka zbutur njeriun në përgjithësi, ka forcuar institucionin e familjes, ka ndarë të mirën nga e keqja, i ka dhënë njeriut shpresë kur s’ka pasur. Nuk jemi në atë fazë të zhvillimit njerëzor. Unë nuk them se fetë janë të padobishme, por them që nuk mund të jenë busull për të orientuar jetën e shumicës së botës. Dhe në qoftë se kjo ndodh, pre janë shoqëritë më të varfra, varfëria na çon në këtë drejtim, besoj.

Unë nuk kam një recetë, por nëse europianizimi i Shqipërisë nuk vonohet, kjo do na japë mundësi të jetojmë në një shoqëri mbi baza  të tjera ku fetë kanë rolin e vet, por nuk janë udhëheqëse. Raporti i shtetit me fenë është i qartë, i përcaktuar. Por jo në të gjitha rastet është i qartë dhe këtu tek ne. Kam frikë apo dyshoj se në të ardhmen tendenca për të marrë vendime me nuanca të tjera, qoftë edhe politike, do jetë më e fortë. Se ne habitemi, por Turqia është realitet. Sado e pasur e me progres ekonomik, ka ardhur në pushtet një parti me theks të fortë fetar, e cila sot është ndoshta partia më pak demokratike në këtë zonë të botës ku jetojmë.

Në këtë kontekst, rrezikojmë që partitë fetare të kthehen në faktor politik?

Unë them se po. Do të ketë mundësi, në kushtet tona, që në të ardhmen në vendin tonë të ketë parti me baze fetare. Unë kam shfrytëzuar në libër një parashikim që ka bërë OKB-ja për popullsinë e botës në 100 vitet që vijnë, ku thuhet se e gjithë Evropa do tkurret në përgjithësi, pra europianët do shtohen më pak. Jo se nuk jetojnë mirë. Një europian jeton më mirë se një kinez, një gjerman jeton më mirë se një indian, në të gjitha kuptimet e fjalës ekonomike, kulturore, sociale. Tendenca është që këta popuj do shtohen dhe ne që jetojmë në këtë pjesë të botës do pakësohemi dhe pyetja është: Pse? Në qoftë se e gjithë Evropa do pakësohet, ne nuk mund të bëjmë përjashtim, se nëse bëjmë, nuk jemi një vend europian, e në fakt jemi. N.q.s OKB pretendon dhe kam arsye të besoj, se sot ne jemi 2.8 milionë banorë dhe pas 100 vjetësh do jemi 1.8, ka arsye për secilin prej jush të pyesë: Pse? Janë shkak vetëm lindjet apo dhe që emigracioni do vazhdojë. Pastaj kemi arsye të pyesim veten: Ky vend është i jetueshëm për 10 vjetët e ardhshëm? A do kenë arsye fëmijët tanë të jetojnë më këtu, nëse do jetë kjo frymë konflikti, në qoftë se do ketë parti me karakter fetar, në qoftë se vendi do të fetarizohet, në qoftë se varfërohet…Pra, çfarë do jemi ne pas 20-30 vitet e ardhshme? Këto janë pyetje me të cilat unë jetoj vazhdimisht. Jam përpjekur t’u jap një përgjigje dhe të gjitha rrugët më çojnë në atë që thashë; në 20 apo 30 vjet në Shqipëri do ketë një sens të fortë pesimizmi, fatkeqësisht.

Për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, ju renditët një sërë faktorësh nëse ndodh apo jo. Referuar ngjarjeve në Krime, do të thosha që, a mos është siguria ajo që mund të përshpejtojë bashkimin mes dy vendeve? Sepse dy rrugë janë për sigurinë në Kosovë; bashkimi me vendin amë, ose anëtarësimi i saj në NATO?

Ke të drejtë, por unë nuk mendoj se e ardhmja e Kosovës rrezikohet si para 10 vjetësh nga serbët ose nga  konjukturat ndërkombëtare që atëherë nuk ishin të favorshme. Shqiptarët janë popull që kanë marrë koncesionet më të mëdha në këtë shekull, sipas meje. Pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin në NATO.  Ndoshta koncesionet më të mëdha që ndërkombëtarët i kanë bërë një vendi që nga Lufta e Dytë Botërore. Nuk mendoj se në të ardhmen, kufizimi i Serbisë apo një konjukturë më e pafavorshme në Ballkan apo në Evropë, raportet me Rusinë që do vazhdojnë të jenë jo gjithmonë miqësore, mund ta rrezikojnë të ardhmen e Kosovës. Kosova nuk e rrezikon të ardhmen si një shtet i pavarur. Në qoftë se bashkimi i Shqipërisë me Kosovën që një ditë, në kushte të tjera, mund të ndodhë, shtyhet apo vonohet, kjo do të ndodhë për shkak të shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë. Është paragjykimi që ka bota në përgjithësi dhe ka arsye të ketë për pamjaftueshmërinë tonë për të gjeneruar dhe për të mbajtur shtete në këmbë që na ka dhënë deficite historike. Edhe sot prapë jemi vendi që ngremë shumë pikëpyetje për aftësinë tonë shtetformuese. Sigurisht që suazat ndërkombëtare; anëtarësimi në NATO na jep një siguri më të madhe. Sigurisht që Shqipëria do ketë më shumë arsye në të ardhmen për të kërkuar bashkimin me Kosovën, sesa vetë Kosova e cila mund të jetë pak më reflektive apo më pasive në këtë drejtim. Shqipëria do të jetë më aktive. Partitë politike do të fillojnë të bëjnë garë, siç ka ndodhur dhe në zgjedhjet e kaluara, kush është më nacionalist, kush e bashkon më shpejt Shqipërinë me Kosovën, sepse terreni politik i Shqipërisë në të cilën garohet për taksat, për arsimin, për kulturën, po shteron. Pse po ngrihen tonet nacionaliste në Shqipëri? Kjo do të thotë se në të ardhmen do kemi më shumë terren nacionalist, do kemi më shumë garë brenda Shqipërisë, por jo në Kosovë, ku nacionalistët mbase vijnë duke u qetësuar. Ndoshta e kam gabim. Në fakt shpresoj ta kem gabim.

Në këtë libër ju parashikoni se çfarë do ndodhë. Ky lloj pesimizmi që ju parashikoni mund të kthehet në depresion dhe si politikan aktiv, çfarë mund të bëni?

Edhe një herë po e përsëris, shpresoj të jem gabim. Do ishte më mirë për të gjithë ne po të isha unë gabim. Në qoftë se shoqëria hyn gradualisht në një fazë pesimizmi, që unë e kam quajtur “sëmundja e hënës” simbolikisht, ky lloj pesimizmi natyrisht ka arsye, por do ketë dhe pasoja. Duke qenë një vend relativisht modest, jo shumë i madh, historia ka treguar se nuk kemi zotëruar kurrë territore të të tjerëve, nuk i kemi çuar përpara qëllimet tona me armë, nuk kemi shkaktuar luftë, të tjerët mund të na kenë shkaktuar, ndërsa ne jemi mbrojtur mirë apo keq. Nga kjo kemi mësuar shumë, historia na jep këtë leksion, kemi qenë të varfër por paqësorë, ndaj nuk besoj se ky lloj pesimizmi mund të ketë përmasa depresive, pra të na çmendë si komb. Dhe për më tepër, jemi në një kornizë sigurie që është NATO, dhe gradualisht jemi dhe drejt Bashkimit Europian, të cilat kanë vetëm një qëllim: të na disiplinojnë si popull për të na thënë kush është raporti i ligjit me ne. Ky është problemi ynë më i madh në histori. Nuk kemi raport të mirë mes nesh dhe ligjit, pra mes njeriut dhe asaj që është kontratë kolektive. Pra, pavarësisht se do hyjmë në një etapë pesimiste, që kryesisht do ta vuajnë brezat e rinj, një gjeneratë që në masën 70% është e papunë, shoqëria vuan edhe më shumë. Në përgjithësi, në Europë papunësia tek të rinjtë është problem, por është dhe më e theksuar në Shqipëri për arsyet tona. Për këto arsye do hyjmë në një fazë pesimizmi, por nuk besoj se kostoja do jetë çmenduria kolektive.

Ju i keni mëshuar tezës se Shqipëria duhet të ketë një klasë të mesme të fuqishme. Politikat aktuale të taksimit, a po shkojnë drejt kësaj klase?

Pabarazia do të theksohet në Shqipëri se, për fat të keq binjakëzimi mes klasës së pasur dhe jetës politike po bëhet edhe më i dukshëm, edhe më i fortë. Kjo do të thotë se të luftosh pabarazinë në një kuptim direkt apo indirekt, duhet të marrësh vendime që i detyrojnë të pasurit të ndajnë pasuritë me të varfërit. Në Shqipëri akoma nuk jemi në këtë realitet, na duhen ndoshta shumë vjet për t’u afruar. Dhe ky është një nga dallimet më të mëdha që kemi sot me Europën. Është mënyra sesi ne i qasemi pabarazisë. Dhe pabarazia në të ardhmen do të ketë efektet e veta; dhe pse populli më i vogël në Evropë, ne jemi kampionë në numrin e emigrantëve që kemi prodhuar. Kemi zbuar nga Shqipëria 1/3-ën e popullsisë së 20 viteve të fundit. Një milion shqiptarë kanë emigruar dhe emigracioni vazhdon, sigurisht jo në përmasat e vitit 1997 apo të viteve ‘91-‘92. Po pse kanë ikur, se jetohet këtu shumë mirë? Jo. Ikin se nuk ka shpresë në përgjithësi. Kjo do të thotë se në të ardhmen do vazhdojë emigracioni, aq më tepër në kushtet që do afrohemi me BE-në, do jetë dhe më e lehtë për të emigruar se nuk do lindë nevoja të torturohesh si sot për të marrë një leje pune, sepse do të jetë një treg i përbashkët. Nëse tregu i punës është i bashkuar teorikisht me BE-në, një pjesë e madhe mund të ikin, sepse do paguhen më shumë atje e këtu më pak. Ky magnet do vazhdojë për sa kohë nuk kemi gjendur instrumentet e duhura politike, ekonomike, shoqërore për të luftuar pabarazinë për të mos pasur një hendek kaq ekstrem mes të varfërit dhe të pasurit, i cili nuk është vetëm problemi i së tashmes, por dhe i së ardhmes.

Të kthehemi te pjesa e bashkimit me Kosovën. Në 100 vite janë kosovarët ata që, nëse kanë shpëtuar nga asimilimi prej Serbisë, kjo ka qenë ëndrra për bashkim. Sot kemi një parti nacionaliste, e cila ka marrë kryeqendrën e Kosovës, madje ka dhe 10 deputetë në parlament. Nëse rikthehemi në aspektin sportiv, janë kosovarët ata që mbajnë kombëtaren shqiptare në futboll, madje mbushin dhe stadiumet, ndaj nuk më rezulton i drejtë konstatimi se do jetë Kosova ajo që nuk e dëshiron bashkimin…

Unë uroj që të keni të drejtë, por në qoftë se Shqipëria me Kosovën mund të bëjnë një gabim në të ardhmen, është gara nacionaliste se kush e do më shumë bashkimin. Unë nuk kam ndërmend të shtyhem këtu, unë bëj një lexim të fakteve, të tendencave nacionaliste si në Kosovë dhe Shqipëri, të një terreni kulturor politik, i cili është i ngjashëm, por nuk është i njëjtë dhe besoj se për arsye ekonomike, për arsye të diferencave që vazhdojnë të thellohen mes Shqipërisë dhe Kosovës, në disa plane kulturore ekonomike sociale të konfliktualitetit apo jokonfliktualitetit politik, ethet nacionaliste në Shqipëri mund të rriten, ndërsa në Kosovë të shuhen.

Ju bëni pjesë në një mazhorancë, që shumë prej këtyre ideve i ka pasur në programin e saj dhe është votuar gjerësisht; rritje takash, përpjekje për të zbutur pabarazinë etj.  Pse përsëri nuk jeni optimist kur janë në pushtet idetë tuaja?

Po më fton në një terren që nuk dua të hyj, sepse nuk kam bërë antiplatformën e platformës që fitoi zgjedhjet dhe as e kam në plan. Por nëse e keni parë në libër, unë kam evituar dy gjëra dhe e kam bërë me qëllim. Qëllimi i parë që i injoroj, pra kam evituar emra partish dhe emra njerëzish që janë aktivë sot në politikë apo që ju besoni se marrin vendime për ne. Nuk jam marrë fare me këtë, i jam shmangur këtij lloj diskutimi sepse unë nuk kam pasur qëllim të bëj një libër për Shqipërinë e dy apo tri viteve të ardhshme. Pak e shumë, ne e dimë si do jetë Shqipëria në dy apo tri vitet e ardhshme. Nëse dikush më bind se një që e ka rrogën 300 euro në Shqipëri pas kaq vjetësh do ta ketë 1300 euro, unë nuk e besoj. Pra optimizmi im nuk shkon deri këtu. Nëse dikush më bind se nga Shkodra deri në Sarandë mbas tre vjetësh do shkohet me një autostradë si ajo që më lidh me Berlinin, unë s’e besoj. Por që për shkak të kësaj inercie mund të ketë përmirësime të vogla sistemi, unë këtë e besoj. Por unë nuk jam në këtë pjesë të analizës, flas për disa dekada, kur arritjet e vogla që mund të kemi sot, do jenë të papërfillshme.

Zoti Blushi, ju flisni në libër për një izolim të tretë të Shqipërisë pas dy izolimeve, që ju i sqaroni shumë mirë dhe kjo është ndikuar nga ata që ju i quani nënprefektë. Në këto 100 vite, çfarë mund të bëhet për ta shmangur këtë izolim të tretë të vendit?

Ajo është një metaforë. Për aq sa e njoh unë Shqipërinë, ata janë pjesë e këtij realiteti, besoj dhe për shkak se Europa nuk është vetë në ditët e saj më të mira; kriza ekonomike vazhdon, papunësia po rritet, partitë po rivitalizohen, roli i Kishës po zbehet. Pra në përgjithësi shkëlqimi që ka pasur Europa në botë para 20-30 apo 100 vjetësh nuk është më ai që ka qenë. Konkurrenca Amerikë, Europë, Rusi, Azi, Afrikë, Kina padyshim, India, do ta zbehin rolin e Europës. Meqenëse ky realitet do vazhdojë, sigurisht Shqipëria, sipas meje, nuk do jetë kaq proeuropiane sa është sot. Me statistika, ne jemi sot vendi më proeuropian në Evropë, me 87 %. Unë them se në të ardhmen nuk do të jetë më kështu, pra vala e shqiptarëve optimistë karshi Evropës do zbehet për arsye të brendshme dhe të jashtme. Ndaj  kam përdorur një metaforë, “nënprefektin”, duke marrë parasysh personazhin e një filmi të dashur që përshkruan një tip social tipik shqiptar, diçka mes orientalit dhe oksidentalit me një dilemë mes të dyjave dhe e kam përdorur si një argument për të thënë që këta tipa ‘nënprefektësh’ që ne i njohim shumë mirë, jo vetëm që janë të pasur, por kanë dhe fuqi të tjera. Këta do kthehen në një makinë të vogël që do thonë: “Pse duhet të shkojmë në Europë? Mirë jemi kështu, sepse liria jonë është më e vlefshme”.

Ju thoni se Shqipëria nuk vërtitet midis Lindjes dhe Perëndimit, por midis lindjes politike dhe lindjes fetare. Mund ta sqaroni pak më mirë këtë dhe, a ka një kontradiktë, sepse sapo thatë që jemi një vend europian?

Gjeografikisht jemi një vend europian. Por nga mënyra sesi kemi avancuar nga 1500-ta deri më 1912-ën, një shenjë oksidenti apo europianizmi në këtë vend nuk u pa. Nuk luftuam ne për të qëndruar në Europë në atë kohë, ndoshta nuk kishim arsye sepse ka njerëz që e besojnë, se perandoria osmane e kohës ishte më e avancuar se rilindja italiane dhe se prodhonte muzikë më të bukur se Beethoveni dhe Mozarti në vitet 1700-1800. Unë nuk e besoj këtë. Nëse i qasemi 20 viteve të fundit, përpjekje europianizimi në Shqipëri kemi parë pak, prandaj them se Shqipëria vërtitet rreth Lindjes politike; që është Rusia post-sovjetike sepse këtë politikë shtetformuese kemi zgjedhur në këto 20 vjet. Kemi zgjedhur të gjitha fenomenet që kalon Rusia (me përjashtim të ekspansionizmit, ne nuk jemi një vend që pushtojmë vendet e tjera se nuk kemi fuqi), që janë korrupsioni, autokracia, raporti me mediat e lira, sundimi i një pakice ndaj shumicës dhe krijimi i oligarkisë që është tipike ruse. Bindja ime është se kemi qasje politike nga Lindja, që është Rusia, për shkak se kemi qenë pjesë e atij sistemi për gati 40 vjet dhe kemi qasje fetare nga Lindja, që është Turqia dhe gjithë bota që ajo përfaqëson mbas kësaj.

Botuesi Henri Çili

Ben Blushi, politikan i rëndësishëm, gazetar, shkrimtar, eseist, një nga mjeshtrat e penës dhe të mendimit në jetën publike dhe politike shqiptare të pasviteve ’90, ka menduar kësaj radhe që në esenë “Hëna e Shqipërisë” të sintetizojë shumëçka që mendon për të shkuarën, por në një strukturë shumë të gjetur dhe në letërsinë bashkëkohore, një histori për të ardhmen.

Unë do të jap tri konsiderata paraprake:

Elementi i parë është që në Shqipëri, Ben Blushi bën pjesë në radhët e atyre politikanëve që numërohen me gishtat e dorës, të cilët mendojnë, jo vetëm mendojnë, por dhe e ndajnë atë që mendojnë me publikun, dhe jo vetëm e ndajnë, por e lënë atë të shkruar çka është shumë e rëndësishme. Ky është avantazhi i parë.

Së dyti. Kur lexoja dorëshkrimin e këtij libri, disa ngjarje nuk kishin ndodhur akoma, disa parashikime nuk kishin ndodhur, siç është arrestimi për veprimtari xhihadiste të disa të rinjve apo propozimi i Dhomës Amerikane të Tregtisë për legalizimin e hashashit. Që do të thotë, mprehtësia për të kapur fenomene të së ardhmes së afërt apo të largët është e jashtëzakonshme.

Së treti. Meqenëse jemi në strehën e një librarie, në strehën e një universiteti që është Shtëpia botuese universitare, unë kam dhe një zili personale, besoj do ta kenë dhe shumë kolegë të mi pedagogë, sepse libri është mjaft i mirë, i mbështetur metodologjikisht për të gjitha ato që quhen stilema krijuese, pra ka idetë fillestare shumë të veçanta shumë origjinale, çka e bën një akademik në vetvete dhe një akademik që dallohet ndër të tjerët. Nuk po guxoj, dhe as Blushi pretendon që të jetë një akademik, por mendoj se me këtë libër është padyshim në grupin e njerëzve të ideve në Shqipëri.

Së fundmi dua të shtoj se ky libër bën pjesë në llojin e publicistikës tonë politike, që në gjykimin tim nis herët si tentacion me, “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet” e Sami Frashërit, “Problemet shqiptare” e Mit’hat Frashërit, “Vija e Teodosit” e Aurel Plasarit, “Shqipëria ç’mund të jetë” e Ardian Klosit, apo “Reforma shqiptare: shmangia e karakterit tiranik të politikës” e Spartak Ngjelës.

Shkurt është një arkitekturë e mendimit politik dhe shoqëror, e cila duke parashikuar të ardhmen në fakt na flet shumë për të sotmen.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi