Po ne, ç’kemi bërë e çfarë po bëjmë?

Nga Rexhep Meidani, botuar në Panorama Online, 25 shkurt 2014

A mjafton kjo?!

Duam, s’duam, shfaqjet, sjelljet teatrale apo “show” është bërë pjesë e jetës sonë social-kulturore e politike-institucionale. Sidomos, ajo është mjaft e dukshme në gjirin e politikës, sa në sytë e publikut ka marrë një ngjyrosje të qartë gënjeshtre e mashtrimi. Madje, në kushtet e sotme, shmangia e saj nuk duket e lehtë. Sidoqoftë, nuk mund të mos vlerësohet pamja e jashtme, elementi etik e estetik në ngjarje, procese e objekte, ndërkohë që, mbi të gjitha, duhet konsideruar seriozisht përmbajtja, pamja e brendshme, thelbi racional i tyre. Pikërisht një gjë e tillë më erdhi në mendje, kur po sistemoja disa materiale të një takimi ndërkombëtar mbi punësimin, pas dy përurimeve të zyrave të punës: në Tiranë dhe Durrës. Pa dyshim, një rregullim pozitiv jo thjesht për paraqitjen e jashtme apo pamjen estetike, por duke shpresuar se ato do të jenë edhe funksionale! Sepse po mbyllet muaji i gjashtë i kësaj qeverie dhe nuk duket ndonjë shenjë për rritje vendesh të reja pune, përkundrazi! Aq më tepër që është premtuar ajo shifra e famshme, por edhe “astronomike”, për hapjen e 300 000 vendeve të reja të punës brenda 4 vjetëve të kësaj qeverisje, gjë që në mesatare nënkupton 75 000 vende të tillë në vit (37 500 vende në 6 muaj). Ndërkohë ia vlen të kujtohet, p.sh., që në konferencën e janarit Presidenti francez foli, gati-gati me dyshim e ndrojtje, për mundësinë e hapjes së 50 000 vendeve të reja të punës në Francë për të gjithë vitin 2014!…

Punësimi, sidomos i të rinjve, është sot kardinal.   

Në terminologjinë e punësimit sot përdoret një term i veçantë NEET për një ri që nuk është “në shkollë, në punë, ose në një trajnim profesional” (“Not in Education, Employement or Training” – NEET), si akronim i germave të para të fjalëve të mësipërme në anglisht). Sidoqoftë, përcaktimi i tij në planin kohor nuk është i njëjtë në vende të ndryshme, Kështu, p.sh., në Mbretërinë e Bashkuar, në këtë klasifikim futen të rinj të moshave 16-24 vjeç, kurse në Japoni intervali kohor kap moshat 15-34 vjeç (pikërisht, për të përfshirë dhe mosha më të rritura: të papunësuarit, të papërfshirë në një shkollim të vonshëm, në një formim permanent ose trajnim pune, por dhe të paangazhuarit në punë shtëpie dhe ata që nuk kërkojnë punë). Në fakt, kur përfshihen edhe të rinjtë e papërfshirë në forcën e punës, në dallim nga NEET, përdoret dhe termi NLEET, (“Neither in the Labor force nor in Education, Employment or Training”). Po sa është ky interval moshe për NLEET-in në Shqipëri? Duket i madh, por askush nuk të jep përgjigje!…

Pikërisht, në konferencën vjetore të Klubit të Madridit, të zhvilluar në Australi në dhjetor 2013, u trajtua me tepër përkushtim problemi i NEET-it dhe NLEET-it. Aty, midis të tjerash u identifikuan disa rekomandime të rëndësishme që iu përcollën presidencës australiane të G20. Midis tyre vlejnë të përmenden dhe çështje që lidhen me integrimin e politikave ekonomike të shëndetshme për biznesin dhe sipërmarrjen; me luftën për uljen e informalitetit; rritjen e mëtejshme të pjesëmarrjes së gruas në fuqinë punëtore, të moshuarve apo invalidëve; përpjekjet për edukim, aftësim dhe profesionalizëm të pranueshëm në këto grupe të pambrojtur; shtimin e lehtësimeve për ruajtjen e punonjësve me anë të mbështetjes publike e mbrojtjes sindikaliste, por dhe reduktimit të kontributit në sigurimet shoqërore; rritjen e prodhimit të gjelbër dhe të shërbimeve në kuadër të industrisë së energjisë së rinovueshme etj.

13 barriera të identifikuara dhe rekomandimet përkatëse.

Këtu më poshtë po rreshtojmë, përmbledhtazi, këto 13 pengesa apo barriera të shoqëruara me rekomandimet përkatëse. Ato janë:

1- Rritja e mëtejshme e popullsisë NEET (Si rekomandim kryesor është që të rritet kërkesa agregate dhe pjesëmarrja në iniciativa financiare, të investohet më shumë në edukim e trajnim profesional për një punësim afatgjatë dhe mundësi avancimi e karriere, të rritet angazhimi për punësimin e të rinjve me probleme shëndetësore, për mbështetjen e sipërmarrjeve të reja ose krijimin e biznesit të ri, për respektimin e të drejtave të punës sipas standardeve ndërkombëtare).

2 – Informaliteti i përhapur kudo, përfshirë punësimin, kushtet e punës, asistencën, sigurimet shoqërore e shëndetësore etj. (Për këtë qëllim, të zhvillohen politika që ndikojnë ose ndihmojnë përfshirjen në veprimtari prodhuese e sociale, mundësinë e kreditimit, rritjen e kapaciteteve, mbështetjen për sipërmarrje sociale, transformimin social e kooperimin, krahas programeve për një asistencë sociale të pranueshme. Me fjalë të tjera, të “formalizohet informaliteti”, duke projektuar incentiva të shumta për grupe të veçanta, p.sh., të rinj në pritje të punësimit, të papunë për një periudhë tepër të gjatë etj.).

3 – Trysnia për fleksibilitet në rritje të tregjeve të punës, sepse ndërkohë që kapitali rritet me shpejtësi të madhe, puna e paspecializuar e ka shpejtësinë e saj të kufizuar. (Të shoqërohet kjo diferencë ekzistuese me një zhvendosje për nga puna e specializuar me anë të edukimit dhe trajnimit, por dhe politika të përshtatshme në shpërndarjes e të ardhurave).

4 – Promovimi i punë-mbrojtjes, p.sh., i sindikatave, pa dëmtuar mundësitë ose shanset e pjesës tjetër pa këtë siguri. (Të krijohen lehtësira për punonjësit nëpërmjet incentivave dhe mbështetjes publike, deri nëpërmjet reduktimit të kontributit për sigurimet shoqërore).

5 – Çrrënjosja e varfërisë ekstreme dhe e urisë dhe jo thjesht minimizimi i përjashtimeve në punësim, sipas objektivave të zhvillimit të mijëvjeçarit. (Të shtohen angazhimet për rritje të punësimit, krahas objektivave të tjerë që reduktojnë pabarazinë).

6 – Mungesa e kapacitetit teknologjik për monitorimin e plotë të ndryshimeve në punësim. (Të nxitet dhe inkurajohet një “revolucion të dhënash” për të zhvilluar teknologji moderne monitorimi për punësimin dhe objektiva të tjerë kundër pabarazisë).

7 – Në një ekosistem, mallrat dhe shërbimet nuk janë shprehur ende në terma ekonomikë, ndërkohë që ata duhet të jenë të lidhur me të në mënyrë të pashmangshme në mënyrë që modeli i  rritjes të rezultojë i qëndrueshëm. (Të shtohet prodhimi i gjelbër e shërbimet përkatëse, por dhe industritë e energjisë së rinovueshme për të stimuluar ekonominë, duke pakësuar dëmet ndaj mjedisit dhe krijimin e vendeve të reja të punës, në mbrojtje të tij).

8 – Vështirësi në transferimin apo tranzitimin e proceseve të prodhimit, të teknologjive dhe vendeve të punës për një ekonomi gjithnjë më të gjelbër. (Të realizohet një kooperim i ngushtë midis qeverisë dhe partnerëve socialë, si, p.sh., në rastin e partneritetit publik-privat në Gjermani në rinovimin e ndërtesave për rritje të efektivitetit energjetik).

9 – Zgjerimi i pabarazisë në sajë të rënies së pagave, rrogave e pensioneve përkundrejt  rritjes së çmimeve. (Përmirësimi i pagave, indeksimi i tyre, të paktën në linjë me prodhueshmërinë, veçanërisht për punëtorët me të ardhura të ulëta, duke fuqizuar më tej dhe sistemin e sigurimeve shoqërore).

10 – Të diplomuarit e papunësuar apo ata të punësuar në një nivel të papërshtatshëm punësimi janë ata që bëhen më të rrezikshmit ndër të gjithë aktorët politikë. (Të krijohen mundësi, oportunitete për të diplomuarit që të punësohen në përputhje me nivelin e tyre të formimit, duke pakësuar pakënaqësitë e mospërfilljes, privimit, mos vlerësimit, probabilitetit për rebelim ose konflikt të dhunshëm).

11 – Mungesa e vendeve të punës e ul besimin publik dhe angazhimin civil, gjë që mund të shoqërohet me turbullira e përplasje. (Të integrohen politikat ekonomike të shëndetshme për bizneset dhe sipërmarrjen e brendshme, në reduktim të korrupsionit, informalitetit e papunësisë, duke shtuar pjesëmarrjen e grave, të më moshuarve dhe invalidëve, por dhe duke rritur kujdesin për trajnimin profesional dhe aftësimin e grupeve të margjinalizuara, të rrezikuara apo të pambrojtura).

12 – Meshkuj të papunë, me formim të dobët, të pamartuar apo pa familje janë shënjestra për rekrutim prej grupeve të rrezikshme të krimit, terrorit, mafies, milicisë paraushtarake, të cilët mund të nxisin e shkaktojnë turbullira popullore. (Të rritet shkalla e punësimit për këtë kategori në mënyrë sa më të shpejtë, ndërsa në një kohë të mëvonshme duhet të synohen ndryshime të thella në strukturën sociale që i ka mundësuar situata të tilla të pafavorshme për këtë shtresë popullsie).

13 – Situatat e pas konfliktit dëshmojnë një thyeshmëri të dukshme brenda shoqërisë civile, që e bën paqen dhe stabilitetin shumë më pak të sigurt. (Të krijohet qëndrueshmëri në përputhje me mundësitë ekonomike, që të integrohen në fuqinë punëtore pas konfliktit ish luftëtarët; pra, të garantohet paqja nëpërmjet sigurisë ekonomike dhe një pune të gjithanshme përfshirëse për zhvillim të mëtejshëm).

Po për ne?

Në kuadër të këtyre shqetësimeve në nivel global mund të veçohen apo të lexohen sot edhe ato të nivelit lokal, pra, në rastin tonë, shqetësimet, barrierat dhe pengesat e lidhura me varfërinë, punësimin, korrupsionin politik, administrativ dhe kapilar, përfshirjen dhe përjashtimin social, vetë zhvillimin ekonomik në Shqipëri. A nuk është dhe shumica e shqetësimeve apo pengesave të mësipërme që ndeshet edhe te ne? Po, pa dyshim! Lexuesi neutral nuk e vë fare në diskutim një pyetje të tillë dhe përgjigjen përkatëse. Sidoqoftë, këto shqetësime, pra dhe rekomandimet përkatëse, duhet të lexohen me kujdes nga politika aktuale, sidomos nga qeveria shqiptare. Veçse, nuk duket të jetë tamam ashtu, sepse, në fakt, veprimet e deritanishme, më shumë propagandistike e populiste, skenike e televizive, por edhe të hallakatura e improvizuara, po dëshmojnë të kundërtën. Bile, ky është dhe vetë thelbi i problemit në qeverisjen e sotme. Për ta korrigjuar një përafrim të tillë, kërkohet më tepër transparencë e mirëkuptim, më pak arrogancë e arbitraritet, me shumë aftësi e mençuri, më tepër modesti e ndërveprim, më tepër energji e konstruktivitet, ndoshta, pse jo, edhe ndryshime të detyruara në skuadrën qeverisëse! Çdo vonesë është në vetvete kohë e humbur!…

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi