Ditmir Bushati

Z. Ditmir Bushati, lindi në Shkodër, më 24 Mars 1977. Ai është i martuar me znj. Aida Bushati (Gugu). Ata kanë dy fëmijë, Hera dhe Martin.

Z. Bushati është zgjedhur deputet në Qarkun e Tiranës në 2009-n dhe u rizgjodh sërish në të njëjtin qark në zgjedhjet e 23 Qershorit 2013. Ai ka shërbyer si Kryetar i Komisionit Parlamentar për Integrimin Europian (2011-2013) dhe anëtar i Komitetit të Përbashkët Parlamentar BE-Shqipëri (2009-2013). Prej 2011, ai është zgjedhur Anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste të Shqipërisë.

Z. Bushati është diplomuar me medalje të artë nga Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës (1999). Ai ka kryer studimet për Master në të Drejtën Ndërkombëtare Publike (LL.M.) në Universitetin e Leidenit, Holandë (2001). Z. Bushati ka qenë përfitues i bursave të programeve të ndryshme të studimit dhe kërkimit si: TEMPUS, NUFFIC, Victor Felsom, Kokalis. Ai ka qenë kërkues shkencor në të Drejtën Ndërkombëtare Publike pranë Institutit TMC Asser, Hagë, Holandë (2003) dhe kërkues shkencor në Çështjet Europiane, pranë Universitetit të Athinës, Greqi (2000). Ai ka kryer një sërë specializimesh për çështjet ndërkombëtare në disa institucione prestigjioze si: Universiteti i Harvardit; Akademia e së Drejtës Ndërkombëtare në Dallas, SHBA; Akademia Universitare Abo, Finlandë.

Përpara përfshirjes në politikë, z. Bushati ka qenë aktivist i shoqërisë civile. Ai ka drejtuar Lëvizjen Europiane në Shqipëri. Ka ushtruar gjithashtu funksionin e Drejtorit të Përafrimit të Legjislacionit në Ministrinë e Integrimit Europian, duke qenë njëkohësisht pjësë e ekipit negociator të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA); këshilltar i Zëvendëskryeministrit për Çështjet Europiane; këshilltar ligjor në Gjykatën Kushtetuese; Zyrën e Presidentit të Republikës së Shqipërisë; Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish Jugosllavinë, Hagë, Holandë.

Z. Bushati ka shërbyer si analist i Freedom House (2007-2008) për Raportin “Kombet në Tranzicion” (Nations in Transit); reporter kombëtar për Shoqatën Europiane të së Drejtës Ndërkombëtare (ESIL); koordinator kombëtar i Fondacionit për Shoqëri të Hapur (OSF) për monitorimin e ecurisë së Shqipërisë në procesin e integrimit evropian (2006-2008). Ai ka shërbyer si konsulent në projekte të ndryshme të BE, BB, USAID, GIZ, OSI, Fondacionit Friedrich Ebert, IOM, SNV.

Z. Bushati gjithashtu është lektor në të Drejtën Europiane dhe Procesin e Zgjerimit të BE-së pranë institucioneve të ndryshme universitare e kërkimore në Shqipëri e Kosovë. Ai ka botuar punime shkencore dhe artikuj në fushat e lidhura me procesin e zgjerimit të BE-së, të Drejtën Ndërkombëtare Publike dhe të Drejtën Europiane.

Z. Bushati është zotërues i gjuhës angleze dhe italiane e njohës i frengjishtes.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi