Rishikimi gjyqësor i aktit administrativ

Instituti i rishikimit gjyqësor të akteve përbën një garanci kushtetuese për shtetasit për mbrojtjen e të drejtave të tyre nëpërmjet gjykimit të drejtë publik dhe nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme. Kjo e drejtë sanksionohet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë në nenin 42, pika 2, ku thuhet se : “Kushdo për mbrojtjen e të drejtave, të lirive dhe interesave të tij kushtetuese dhe ligjorë…, ka të drejtën e një gjykimi të drejtë dhe publik brënda një afati të arësyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e caktuar me ligj“. Deri në vitin 2012 çështjet administrative nuk kanë qënë caktuar në mënyrë specifike në juridiksionin e gjykatave të krijuara për këtë qëllim dhe të emërtuara si gjykata administrative. Kjo u bë e mundur vetëm pas miratimit të ligjit “Për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe organizimin e drejtësisë administrative“. Ky ligj cakton rregulla të detyrueshme për subjektet e gjykimit administrativ, organet shtetërore, personat juridikë dhe shtetasit për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative, ekzekutimin e vendimeve gjyqësore administrative, si dhe organizimin e gjykatave administrative.

Gjykata administrative është kompetente për shqyrtimin e mosmarrëveshjeve:

– që lidhen me një veprim administrativ, pavarësisht nga forma dhe lloji i tij;

– me marrëdhëniet e punës të rregulluara nga Kodi i Punës, në të cilat punëdhënësi është një organ publik;

– me një akt nënligjor normativ të organeve qendrore apo organeve të njësive të qeverisjes vendore.

Gjykata administrative nuk shqyrton mosmarrëveshjet, të cilat lidhen me aktet nënligjore normative, që sipas Kushtetutës, janë në kompetencën e Gjykatës Kushtetuese, apo shqyrtimi i të cilave, sipas legjislacionit në fuqi, është në kompetencën e një gjykate tjetër, apo sipas të cilave punëdhënësi është organi publik i barazuar. Në rast të ngritjes së këtyre padive, gjykata edhe kryesisht merr vendim për nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit të saj apo për shpalljen e moskompetencës dhe dërgimin e akteve organit kompetent.

Njihen disa lloje mosmarrëveshje administrative:

– Mosmarrëveshjet administrative objektive dhe mosmarrëveshjet administrative subjektive. Janë mosmarrëveshje administrative të natyrës subjektive ato raste kur objekt shqyrtimi bëhen aktet administrative (individuale), ndërsa mosmarrëveshje administrative objektive janë ato që mund të hapen kundër akteve të përgjithshme (normative).

– Mosmarrëveshjet mbi ligjshmërinë e aktit dhe mosmarrëveshjet e juridiksionit të plotë. Në mosmarrëveshjen mbi ligjshmërinë e aktit gjykata vlerëson nëse me aktin administrativ të kundërshtuar është shkelur ligji në kuptimin material ose formal, ndërsa në mosmarrëveshjen e juridiksionit të plotë gjykata e vendos marrëdhënien kontestuese.

Në mosmarrëveshjet e juridiksionit të plotë vendimet gjyqësore janë më të shumta se në mosmarrëveshjet mbi ligjshmërinë e akteve administrative. Kjo ndodh për shkak se në mosmarrëveshje të tilla gjykata nuk kufizohet vetëm në anulimin e aktit administrativ, por vendos çështje konkrete administrative. Si rregull, ky është funksioni i gjykatave administrative.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi