Deficiti buxhetor dhe borxhi publik

Në kontabilitetin kombëtar, deficiti buxhetor rezulton kur të ardhurat e shtetit janë më të vogla se shpenzimet e tij, pra, bilanci buxhetor është negativ. Gjithashtu, administratat publike (tërësia e organizmave të tjera qëndrore, e qeverisjes vendore dhe e administratës së sigurimeve shoqërore) njohin një deficit publik kur shpenzimet publike për një vit janë më të larta se të ardhurat publike; pra bilanci i financave publike është negativ. Në rastin kur hyrjet në buxhet janë më të mëdha se daljet flitet për një tepricë buxhetore, rast ky që ndodh rrallë. Konkretisht, në shumicën e vendeve buxhetet publike (të matura me një periodicitet vjetor) ndërtohen në deficit.

Për të ekuilibruar llogaritë, deficiti mund të kompensohet nëpërmjet:

– huamarrjes, kjo e çvendos problemin në kohë, nevojitet besimi i kreditorëve dhe ka një kosto suplementare meqënëse duhet të paguhen interesat;

– përdorimit të rezervave paraprakisht të akumuluara prej tepricave buxhetore të realizuara gjatë viteve të mëparshme;

– rritjes së tatimeve, duke supozuar që ato nuk mbysin aktivitetin ekonomik, gjë që do të sillte uljen e të hyrave për buxhetin publik., Anasjelltas, ulja e tatimeve e ndërtuar për të stimuluar rritjen e aktivitetit ekonomik do të sillte rritjen e shumatores të të ardhurat fiskale;

– emetimit monetar;

– reduktimit të shpenzimeve publike.

Borxhi publik

Borxhi publik përfshin shumatoren e huave shtetërore dhe të interesave të maturuara e të pashlyera deri në momentin e llogaritjes së tyre. Marrja e borxheve nga ana e shtetit diktohet nga nevojat e sigurimit të burimeve të të hyrave për mbulimin e deficitit buxhetor. Borxhi publik shtohet çdo vit kur deficiti publik vjetor financohet ekskluzivisht prej huave të reja. Përveç huave të shtetit qëndror, në borxhin publik llogariten edhe huatë e marra nga organizmat që janë në mvartësi të institucioneve qëndrore të shtetit dhe ato të qeverisjes vendore. Së fundmi, borxhi publik nuk është borxhi i vendit, sepse ky i fundit përfshin edhe borxhet e njësive ekonomike private dhe të shtetasve të vet.

Kur borxhet e marra përdoren në mënyrë produktive për zhvillimin ekonomik të vendit, atëhere mund të jenë dobiprurëse. Në rast të kundërt kthehen në një barrë të rëndë për gjeneratat e ardhshme të vendit, të cilat do të duhet të përballojnë shlyerjen e tyre.

Borxhi publik ndahet në borxh të brëndshëm (të marrë nga agjentët ekonomikë residentë në vend) dhe borxh të jashtëm (të marrë nga shtete të tjera ose organizata dhe institucione financiare ndërkombëtare). Nga pikpamja e afatit të shlyerjes, borxhi publik mund të jetë afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë.

Borxhi publik më shpesh matet në përqindje të PBB. Ky tregues është ekonomikisht më i përshtatshëm se vetë vlefta e borxhit publik. Në fakt, kapaciteti i një shteti për të rimbursuar borxhin e tij është në funksion të burimeve që ai mund të mobilizojë për këtë qëllim. Burimet janë funksion i madhësisë së PBB, sepse masa e tatimeve është në përpjestim të drejtë me aktivitetin ekonomik të vendit. Pra, pesha e borxhit publik është në funksion të PBB së vendit – sa më i pasur të jetë një vend, aq më shumë mund të marrë borxh. Pason një klasifikim i vendeve sipas borxhit publik (sipas OECD), të shprehur në përqindje të PBB. Të dhënat e borxhit publik mund ti gjeni në web-in e Ministrisë së Financave.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi