Sa është borxhi publik?

Nga Koço Broka, botuar në Dita, 18 mars 2024

Kur dëgjon për rënien e borxhit publik të lind kureshtja të njihesh me disa nga treguesit kryesorë të tij.

Sipas njoftimeve zyrtare “borxhi publik zbriti në 59.2% në fund të vitit 2023, nivel më i ulët se periudha para pandemisë dhe gjithashtu më i ulëti që nga viti 2010”, “Borxhi publik ka shkuar në një nivel historik, nën 60%”

Natyrshëm lind pyetja a janë të sakta nëvetvete këto të dhëna?

Duke iu referuar BULETINIT STATISTIKOR I BORXHIT, të Ministrisë së Financave , përgjigja është Po.

Stoku i borxhit gjithsej në fund të vitit 2023 rezultoi  59.22% të PBB, nga 64.46% që ishte në vitin 2022 dhe 74.49% në vitin 2021.

Kjo duket qartë edhe nga të dhënat e Grafiku Nr 1, mbi borxhin publik gjithsej të shprehur në lek:

Si rezulton nga të dhënat, e grafikut, në vitin 2023, borxhi publik gjithsej në vitin 2023, rezultoi 1 trilion e  369 miliard  lekë nga 1 trilion e 378 miliard lekë që ishte në vitin 2022 ose 9 miliard lek, dhe 1 trilion e 382 miliard lekë që ishte në vitin 2021. Pas një rritje kreshendo të borxhit public sidomos në vitin 2020 por edhe 2021, vihet re një stanjacion dhe rënie të lehtë të borxhit public në terma absolute të matur në lek.

Kjo ka ndodhur për faktin se gjatë dy viteve të fundit ka pasur një rënie të ndjeshme të kursit të këmbimit të Euros në lek, nga 120.76 lek për 1 Euro në vitin 2021, në 114.23 lek për 1 Euro në fund të vitit 2022 dhe 103.88 në fund të vitit 2023.

Këtu ka ndikimin e vet (në rënien e borxhit publik në terma relativë në përqindje) dhe rritja sidomos  nominale e Produktit të Brendshëm Bruto,nga  1,856.2 miliar lek në vitin 2021, në 2,138.3 miliard lek në vitin 2022, dhe 2,311.7 miliard lekë në vitin 2023.

Por a ja vlen të matesh vetëm me hijen e mëngjezit sado reale është ajo në vetvete?

Fakti që borxhi publik është realizuar në kushtet e rënies në terma reale të pensioneve për vitin 2023, apo rë rënies reale  të pagave në sektorin shtetëror  në vitin 2022, prej -4.5 përqind sipas INSTAT, dëshmon se nuk ka vend për t’u matur me hijen e mëngjezit, nuk ka vend për vetëkënaqësi dhe aq më tëpër për mburrje.

Më e pakta kjo kërkon që INSTAT, por dhe vetë Qeveria të bëjë me dije se cila ka qënë ecuria e pagës dhe pensionit real për vitin 2023.

Kjo do hidhte dritë se si ka ecur rishpërndarja e shtesës niminale dhe reale të Prodhuktit të Brendshëm Bruto, të të ardhurave midis grupeve të caktuara ekonomiko- shoqërore.

Ndërkohë është e nevojshme të hidhet dritë se çfarë ka ndodhur me borxhin e brendshëm dhe borxhin e jashtëm të matur në Euro:

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, të prezantuar në Grafikun Nr 2, rezulton se borxhi publik i brendshëm i cili në përgjithësi merret në lekë ka rezultuar në vitin 2023, 748 miliard lekë, nga 732.7 miliardë lekë në vitin 2022 dhe 702.3 miliardë lekë në vitin 2021. Pra në vetvetve borxhi i brendshëm ka vijuar të rritet, ndonëse rritja e tij ka qënë për vitin e kaluar 15.4 miliardë lekë ose 2.1%.

Por çfarë ka ndodhur me borxhin e jashtëm të shprehur në Euro?!

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave rezulton se stoku i borxhit të jashtëm neto në fund të vitit 2023 rezultoi 5977.6 milion euro, nga 5653.2 milion euro që ishte në vitin 2022, me një shtesë prej 324.3 milion euro ose një rritje prej 5.7 %.

Pra si stoku i borxhit të brendshëm i shprehur në lek, dhe borxhit të jashtëm të shprehur në euro kanë vijuar të kenë një rritje jo të vogël edhe gjatë vitit 2023.

Por në kushtet kur gjithë stoku i borxhit të jashtëm të matur në euro konvertohet në lek, me kursin e këmbimit më 31 Dhjetor , borxhi i jashtëm i shprehur në lek pëson një rënie të konsiderueshme duke ulur dhe gjithë borxhin public si në terma absolute e vecanërisht në terma relative ndaj PBB.

Për të masur një pamje të plotë mbi ecurinë e borxhit duhet patur parasysh se për vitin 2023, borxhi i jashtëm u mor me një nivel të lartë interesi  prej  6.125%, shumë më i lartë se sa Eurobondet para-ardhëse, prej 3.55% deri  3.75%.

Në këto kushte vihet re një rritje e interesave të paguara për borxhin publik, në 47.6 miliard lek në vitin 2023, nga 39.6 miliard lek në vitin 2022 dhe 35.8 miliard lek në vitin 2021.

Kjo rritje e interesave gjithsej për pagimin e borxhit shfaqet jo vetëm në terma absolutë por edhe relativë.

Ndërkohë duhet thënë se kursimet e shqiptarëve janë jo të vogla. Pra përderisa ka kursime jo të pakta si në lek ashtu dhe në euro, dhe në kushtet kur periudha mesatare kontributive e pensionistëve të rinj ka rënë dukshëm vitet e fundit dhe për rrjedhojë pensioni është i ulët do ishte mirë që borxhi të merrej nga burimet e brendshme, duke parë mundësinë e përfitimit të pensionistëve sidomos atyre me nivel të ulët të tij por që kanë akumuluar disa kursime, nga kjo alternativë

Në kushtet kur Partia e mazhorancës kërkon rivitalizimin e saj me të rinj e të reja, nuk do ishte herezi që këta te fundit ta kushtëzojnë përgjigjen e ftesës për rivitalizimin e saj me diskutimin e ndjekjen e politikave sociale dhe njëkohësisht efektive që përjashtojnë rënien reale të nivelit të jetesës të grupeve të caktuara shoqërore dhe sidomos atyre vulnerable dhe mundësojnë një rritje gjithëpërfshirëse të nivelit të jetesës.

Natyrisht politikat ekonomike në një moment të caktuar kane efekte kontradiktore. Psh forcimi i lekut ndaj euros ka kontribuar në stopimin dhe uljen e inflacionit, por ai po shoqërohet me rënien e dukshme të ekportit të mallrave.

Kjo kërkon t’u kushtohet vëmendja e duhur analizave ekonomike dhe sidomos debatit konstruktiv për ecurinë social ekonomike të vendit dhe të mos matemi me hijen e mëngjezit.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi